Mediat greke kanë publikuar pamjet, ku dy shqiptarë të dyshuar, rrahën për vdekje një 42-vjeçar grek, i cili ishte në një lokal nën shoqërinë e të dashurës së tij.
Ngjarja e rënda ka ndodhur disa ditë më parë në Rafina të Athinës, ndërsa në pamje duket momenti kur të rinjtë rrahin grekun, sapo ai del nga tualeti i lokalit.
Në pamjet e publikuara viktima shihet duke shtyrë të rinjtë me të cilët më pas përfshihet në një sherr.
Më pas ndërhyn pronari i lokalit për t'i ndarë, ndërsa për t'i dhënë fund episodit ndërhyn edhe punonjësja brenda lokalit.
Dy 24-vjeçarët që u arrestuan për vrasjen kanë dalë sot para hetuesve. Njëri prej tyre ka deklaruar se nuk kishte ndërmend që ta vriste, ndërsa autori i dytë është shprehur se ka “varësi ndaj alkoolit”.