ATHINË - Një shqiptar 50 vjeç është vrarë në Athinë. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm pranë një kishe në kryeqytetin helen. Policia greke ka bërë të ditur se, ka qenë një tjetër shqiptar që ka qëlluar me thikë disa herë, 50-vjeçarin, i cili kishte dalë të mblidhte lëmoshë.

Pas ngjarjes, policia ka ndaluar të dyshuarin për krimin, emri i të cilit nuk është bërë i ditur. Në dëshminë e tij, i cituar nga media vendase, i arrestuari ka thënë, se është sulmuar nga 50-vjeçari sapo janë parë në rrugë.

Atëherë i arrestuari kishte nxjerrë një thikë që e kishte me vete, duke e qëlluar disa herë në pjesë të ndryshme të trupit. 50-vjeçari mësohet se ka gjetë vdekjen e menjëhershme.

Policia ka bërë të ditur se, i arrestuari ka qenë bashkë me një tjetër shqiptar kur ka ndodhur ngjarja. Nga hetimet është mësuar se, krimi ka ndodhur për shkak të disa pazareve të prishura në trafikimin e lëndëve narkotike. I arrestuari qëndronte pa dokumente në Greqi.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)