Niko Ago në një letër publike shkruan në mediat greke arsyet që e detyruan të emigrojë në Greqi dhe shkaqet “pa shkak” që qeveria greke e detyron të rikthehet.
Nën një editorial “Lamtumirë Greqi” gazetari, publicisti dhe veprimtari i të drejtave të njëriout NIko Ago rrëfen se shkoi në Greqi 20 vjet më parë ku pas përpjekjeve të shumta dhe punëve të ndryshme i detyruar për të mbijetuar arriti të mësoje gjuhën greke dhe të realizojë ëndrën e tij, të bëhet gazetar në mediat greke.
Tashmë ka dy vajza 18 dhe 17 vjec.
“Atë që di me siguri është se kam punuar me ndershmëri –shkruan Ago në letrën e tij- iu përkushtova profesionit dhe angazhimit në shoqërinë civile”
Në 17 Maj në shtëpinë e tij mbërrin një urdhër i pazakontë, autoritetet greke i kërkojnë të largohet nga Greqia.
Arsyeja?
Grekët u kujtuan që në vitet 2007-2008 kur unë kalova një problem serioz shëndetësor nuk kisha të rinovuar librezën e shëndetit për një kohë shumë të shkurtër- shkruan Niko Ago.
Ky fat i kërcënon dhe shumë emigrantë të tjerë në Greqi të cilët për një arsye ose tjetër e kane lidhur jetën e tyre me Greqinë dhe vazhdojnë t’i japin këtij vendi kontributin e tyre edhe në këto ditë tepër të vështira për popullin grek.
Megjithatë kjo le të shërbejë për të gjithë ne të shohim në sy se shpesh është shumë e gabuar sfida që vëmë me vetveten
Ndaj s’më mbetet gjë tjetër për të thënë:
Lamtumirë GREQI! -mbyll letrën e tij gazetari.
HISTORIA E SHKRUAR E GAZETARIT QË DUHET TË LËRË GREQINË
“Ishte Mars i 1992-shit kur vendosa të vij për herë të parë në Greqi. Edhe pse ende mjaft i ri në moshë, megjithatë pata arritur të martohesha. Lashë pas bashkëshorten dhe nisa peripecinë. Mbërrita në Kallambaka, bashkë me tim vëlla, pas tetë ditësh udhëtimi me këmbë. Nga dita e katërt,veç, udhëtimi u bë me njërën këpucë në dorë. Njëra këmbë që pata operuar kohë më parë, nuk kishte të njëjtën …dëshirë me mua për udhëtim dhe u enjt keqas.
…
Në Selanik mbërrita në orën 5 të mëngjesit, me trenin që kisha marrë nga Larisa. Pasi kalova llahtarën që provova kur pashë dhjetra taksi të rreshtuara, të cilat i mora për makina të policisë, u drejtova tek e para prej tyre. Doja të udhëtoja për në Dhrama dhe të vetmen adresë që kisha ishte një numër telefoni . 0521 25 648 shkruante letra që mbaja në dorë.
…
Shoferi, një mesoburrë rreth të 55-ave, me mjekërr të bardhë dhe të gjatë, me një shirit zie në njërin krah, më bëri disa xhiro derisa ora shkoi 7 , orë kur nisej autobusi. Përpara se të më zbriste, pasi më zgjoi me dashamirësi prindërore nga një gjumë vdekjeje që më kishte zënë për aq kohë sa ai bënte udhëtime në qytet për ditën e punës (lodhja e tetë ditëve ishte e pamundur të mos triumfonte në të nxehtin e makinës), më dha një byrek të nxehtë me djath, një kuti me lëng frutash dhe një paketë cigaresh. Bëra lëvizjen t’i jepja paratë, nga ato pak që disponoja. Më shkeli syrin, diçka më tha në greqisht (që natyrisht nuk e kuptova) dhe më bëri shenjë t’i vendos sërish në xhep. Për pak, autobusi do të nisej drejt qytetit që më vonë do të kthehej në atdheun tim të dytë, në atdheun e fëmijëve të mi dhe së fundi, edhe Itaka ime…
…
Nëse sot, pas 19 vjetësh që jetoj në Greqi, të cilën e konsideroj atdheun tim të dytë (dhe që shpesh pyes veten nëse termi i mësipërm nuk shpreh ndjenjat e vërteta për të dhe duhet ta quaj thjesht atdhe) dikë dua të gjej, ta përqafoj dhe t’a falenderoj nga zemra, është ai NJERI.
Por një “faleminderit” e kam edhe për Greqinë, që kaq shumë më ka dhënë gjithë këto vite, dhe kaq shumë më jep përditë, edhe pse dikur erdha pa më ftuar…..”
(ns/shqiptarja.com)