Qëndrimi i Greqisë lidhur me shtetësinë e Kosovës mbetet i pandryshuar, deklaroi presidentja greke, Katerina Sakellaropoulou, gjatë vizitës në Beograd më 28 mars.

Greqia është një prej pesë shteteve të Bashkimit Evropian që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

“Gjithmonë ka presione në nivel diplomatik, por kjo nuk ka ndikuar në pozicionin tonë, ne kemi konsistencë në politikë”, tha Sakellaropoulou pas takimit të saj me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Ajo gjithashtu theksoi se Greqia e mirëpret Aneksin për zbatimin e marrëveshjes drejt normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë, që u arrit në Ohër më 18 mars, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Greqia është e gatshme të mbështesë Beogradin dhe Prishtinën në zbatimin e marrëveshjes”, shtoi ajo.

Përveç Greqisë edhe Sllovakia, Qiproja, Spanja dhe Rumania janë pesë shtetet anëtare të BE-së që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Athina, megjithatë, ka shprehur mbështetjen për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Kurti dhe Vuçiç pas më se 10 orësh bisedime, arritën marrëveshje për zbatimin e propozimit evropian

Në Ohër, Kosova dhe Serbia u pajtuan për aneksin e zbatimit të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të pranuar parimisht  gjatë një takimi në Bruksel, më 27 shkurt. Propozimi i BE-së nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i njohin dokumentet e njëra-tjetrës, si: pasaportat, diplomat dhe targat e makinave. SHBA-ja e ka mbështetur propozimin e BE-së, i cili më herët është njohur edhe si plani franko-gjerman.