Marrëveshja në Ohër, publikohet nga BE teksti! Kurti: Njohje 'de facto' nga Serbia! Vuçiç: S'mund të nënshkruajmë marrëveshje juridike ndërkombëtare me Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se marrëveshja e arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut është “njohje de facto” por shtoi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po i ik nënshkrimit të marrëveshjes. Kurti tha se i takon Bashkimit Evropian që ta gjejë mekanizmin që ta bëjë këtë marrëveshje ndërkombëtare ligjërisht të obligueshme.

“Marrëveshja bazë është njohje e ndërsjellë de facto. Pra, kjo është njohje de facto ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Kurti.

Pas raundit të bisedimeve, Kurti tha se pajtimi publik është arritur për aneksin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne erdhëm në Ohër për të nënshkruar marrëveshjen bazë, me një aneks. Pala tjetër, njëjtë si në takimin e kaluar [takimi në Bruksel më 27 shkurt] po i ik nënshkrimit të marrëveshjes”, tha Kurti.

I pyetur rreth deklarimit të shefit të lartë të BE-së, Josep Borrell, se pajtimi i sotëm e parasheh nisjen e shpejt të procesit të krijimit të një mekanizmit të vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë, kryeministri Kurti, nuk mohoi një gjë të tillë, por tha se kjo do të bëhet duke u bazuar në standardet më të larta.

“Nuk është vetëqeverisje, është vetëmenaxhim”, tha kryeministri Kurti kur iu përgjigj pyetjes nëse do të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

“Ekziston një paragraf i cili flet për një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit joshumicë serb dhe natyrisht se ne do të udhëhiqemi prej standardeve më të larta që edhe serbët në Kosovë të mos kenë asnjë cenim, asnjë diskriminim”, shtoi ai.

Kurti tha se kjo marrëveshje e arritur në Ohër, “është më e mira e mundshme në këto rrethana për Kosovën, për raportet e Kosovës me Serbinë. Ai tha se aneksi do të publikohet nga Bashkimi Evropian.

“Unë mendoj që është platformë solide për të ecur përpara, e andaj është e pranueshme për ne”, tha Kurti.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se nuk e ka nënshkruar aneksin për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, “sepse Serbia është shtet i njohur ndërkombëtarisht, ndërsa Kosova nuk është” prandaj, sipas tij, nuk mund të arrihet një marrëveshje juridike ndërkombëtare. Ai ka folur para popullit më 19 mars, duke diskutuar për takimin që ka zhvilluar në Ohër me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, një ditë më parë, nën ndërmjetësim të negociatorëve evropianë.

Ditën e djeshme Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u takuan në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve dhe pas më se 10 orësh bisedime, arritën marrëveshje për zbatimin e propozimit evropian. Ndërmjetësues të takimit ishin diplomatët evropianë, Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak. Në cilësinë e vëzhguesit ishte i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Në Ohër, palët u pajtuan për aneksin e zbatimit të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Kurti dhe Vuçiq e kanë pranuar në parim propozimin e BE-së gjatë një takimi në Bruksel, më 27 shkurt. Propozimi i BE-së nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i njohin dokumentet e njëra-tjetrës, si: pasaportat, diplomat dhe targat e makinave. SHBA-ja e ka mbështetur propozimin e BE-së, i cili më herët është njohur edhe si plani franko-gjerman.

Marrëveshja e dakordësuar por e pafirmosur

Në faqen zyrtare të BE-se është publikuar edhe dokumenti i Aneksit të Implementimit të propozimit franko-gjerman.  Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht për t’i respektuar të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe këtë Aneks, dhe për t’i zbatuar të gjitha detyrimet e tyre përkatëse - që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi - në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim. Palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Palët e kanë parasysh se, menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe këtij Aneksi, ndërmjetësuesi i BE-së do të fillojë procesin për t’i ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë, për t’i konsideruar detyrimet e reja të Serbisë, që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi. Palët pajtohen për të miratuar Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, si çështje urgjente.

Për të zbatuar Nenin 7, Kosova nis menjëherë negociatat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për përcaktimin e aranzhimeve dhe garancive specifike, që sigurojnë një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të dialogut, siç përcaktohet nga ndërmjetësuesi i BE-së.

Palët bien dakord për të krijuar një Komitet të Përbashkët Monitorues, të kryesuar nga BE-ja, brenda 30 ditësh. Zbatimi i të gjitha dispozitave do të sigurohet dhe mbikëqyret nga Komiteti i Përbashkët Monitorues. Për të zbatuar Nenin 9, BE-ja do të organizojë një konferencë donatorësh brenda 150 ditësh, për të krijuar një paketë investimesh dhe ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë. Asnjë shpërndarje nuk do të ndodhë përpara se BE-ja të përcaktojë se të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë zbatuar plotësisht. Kosova dhe Serbia pranojnë se mosrespektimi i obligimeve të tyre nga Marrëveshja, Aneksi ose Marrëveshjet e Dialogut të kaluar, mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre përkatëse të anëtarësimit në BE dhe për ndihmën financiare që marrin nga BE-ja.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:13
Marrëveshja Kurti-Vuçiç, Ambasadori Hill: Serbia e ka përqafuar të ardhmen evropiane, por ka ende shumë punë për të bërë

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. Hill ka thënë se rezultati më i rëndësishëm i negociatave është se Serbia e ka përqafuar të ardhmen evropiane.

Hill shkruan se ka ende shumë punë përpara, por SHBA do jetë në krah të dy vendeve.

“Rezultati më i rëndësishëm nga bisedimet e Ohrit, Serbia ka përqafuar të ardhmen e saj evropiane dhe një plan të qartë se si të arrijë atje. Një vendim që kërkon mençuri, integritet dhe guxim. Mbetet shumë punë dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë me ju në çdo hap të rrugës”, shkruan Hill.

Ora 15:30
Pesë gjërat kryesore nga takimi Kurti-Vuçiç në Ohër

Bashkimi Evropian e ka quajtur si shumë të suksesshëm takimin e 18 marsit në Ohër mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut të nivelit të lartë mes dy vendeve. BE-ja ka thënë se në të palët janë pajtuar për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga BE-ja.

Por, edhe kësaj radhe nuk kanë munguar interpretimet e ndryshme të palëve rreth asaj se çfarë marrëveshje është arritur. Më poshtë i kemi renditur pesë gjërat kryesore nga rezultati i takimit në Ohër.

1. Marrëveshja nuk është nënshkruar dhe duket se është hequr dorë nga diçka e tillë, edhe pse zyrtarë të BE-së kanë insistuar deri në momentin e fundit në nënshkrim, si të Marrëveshjes, ashtu edhe të aneksit. Tani Bashkimi Evropian duhet të gjejë rrugë për t'i bindur palët që ta kuptojnë Marrëveshjen si obligim, dhe t'i implementojnë të gjitha pikat. Kjo, në rastin e Serbisë, mendohet të bëhet përmes përfshirjes së Marrëveshjes në kornizën e negociatave të anëtarësimit në BE, ndërsa për Kosovën në Komisionin për Normalizim. Me këtë, kushtëzimi i procesit të integrimeve evropiane me normalizimin e raporteve, bëhet edhe më i qartë, edhe më i gjerë.

2.Nuk do të jetë e lehtë që deklarata e kryediplomatit të BE-së, Josep Borell, ta ketë peshën e marrëveshjes së arritur. Ajo, pa nënshkrim të palëve, nuk është formalisht Marrëveshje ligjërisht obliguese, por është vetëm një deklaratë politike. Prandaj edhe implementimi do të varet nga vullneti politik i palëve, nga presioni politik i bashkësisë ndërkombëtare, më shumë sesa si obligim ligjor. Kjo paraqet sfidë të madhe, sepse palët nuk i kanë zbatuar as obligimet për të cilat e kanë vënë nënshkrimin më parë.

3.Për Kosovën, me rëndësi të veçantë është pjesa e aneksit, e cila sqaron se renditja e pikave në Marrëveshje nuk reflekton prioritetet sipas rëndësisë, dhe se të gjitha pikat duhet të implementohen në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra. Pra, nuk do të mund të bllokohet zbatimi i një pike, me arsyetimin se ndonjë tjetër nuk është zbatuar. Kjo vlen edhe për obligimin e Serbisë që të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

4.Për Serbinë, rëndësi të veçantë ka kërkesa që Kosova të nisë menjëherë punën për sigurimin e një niveli të duhur të vetëmenaxhimit për serbët në Kosovë. Kjo besohet se ka të bëjë me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, edhe pse nuk përmendet me emër, as në aneks, as në Marrëveshje. Megjithatë, në aneks thuhet se kjo duhet të bëhet në përputhje me obligimet nga marrëveshjet nga e kaluara në dialog, që besohet i referohet detyrimit për të krijuar Asociacionin.

5.Edhe pse nuk përmendet fjala “sanksione“, ato janë përfshirë në porosinë se mosimplementimi nga ana e palëve do të ketë pasoja për procesin e integrimeve të tyre në BE, por edhe për asistencën financiare të Bashkimit Evropian. Edhe Kosova, edhe Serbia, janë përfituese të mëdha të ndihmave nga fondet e Bashkimit Evropian, dhe kjo do të rritet edhe më shumë përmes një konference të donatorëve që do të duhej të zhvillohej brenda 150 ditëve. Diçka e tillë është e rëndësishme, sepse BE-ja do të ketë mundësi më të mëdha, sesa në të kaluarën, për të sanksionuar palët, në rast se ato nuk i zbatojnë obligimet e tyre./REL

Ora 15:08
Varhelyi reagon për marrëveshjen në Ohër: Tregon vendosmëri për rrugën e tyre drejt BE, gati të mbështesim Beogradin dhe Prishtinën

1678969224_Screenshot16.jpg

Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi ka reaguar për marrëveshjen në Ohër duke thënë se janë të gatshëm të mbështesin Kosovën dhe Serbinë për procesin e zbatimit.

“Përkushtimi i plotë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës tregon guxim dhe vendosmëri drejt rrugës së tyre në BE. I përgëzoj të gjitha palët. Ne jemi të gatshëm t'i mbështesim të dyja në procesin e zbatimit të marrëveshjes”, shkroi Varhelyi.

Ora 12:16
Vuçiç i drejtohet popullit serb: Serbia nuk mund të nënshkruajë marrëveshje juridike ndërkombëtare me Kosovën

1678025865_Screenshot1.jpg

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se nuk e ka nënshkruar aneksin për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, “sepse Serbia është shtet i njohur ndërkombëtarisht, ndërsa Kosova nuk është” prandaj, sipas tij, nuk mund të arrihet një marrëveshje juridike ndërkombëtare.

Ai ka folur para popullit më 19 mars, duke diskutuar për takimin që ka zhvilluar në Ohër me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, një ditë më parë, nën ndërmjetësim të negociatorëve evropianë.

I pranishëm në Ohër ka qenë edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili, po ashtu, i ka komentuar si pozitive zhvillimet e së shtunës.

“Askush nuk mund t'ia imponojë Serbisë obligimin për të njohur Kosovën. Serbia mund të punojë në zbatim, deri te vijat e kuqe”, ka thënë ai.

Vuçiç ka thënë një ditë më parë në Ohër se është një arritur një lloj marrëveshjeje, mirëpo që nuk ka nënshkruar asgjë.

Ai ka thënë se është arritur përparim përmes një diskutimi konstruktiv./ REL

Ora 11:03
Dakordësia e Ohrit, opozita serbe: Po krijojmë një ‘Shqipëri të Madhe’

1679220283_Capture.JPG

Kreu i Partisë Popullore nw Serbi, Vuk Jeremiç, ka deklaruar sot se nwse pranohet propozimi franko-gjerman, Serbia do të marrë si ‘shpërblim’ krijimin e Shqipërisë së Madhe, një shtypje më të fortë të lirisë dhe demokracisë dhe minierat e litium.

“Përveç gjithë kësaj, brenda pak vitesh do të ndiqte plani Scholz dhe Macron për zgjidhjen e ‘çështjes së hapur të Bosnjës dhe Hercegovinës’, gjegjësisht heqjes së autonomisë së Republikës Srpska. Ndërkohë, në pushtet në Serbi do të mbetej Vuçiq, i cili do të kalonte në marshin e pestë dhe do të na shkelte edhe më fort se më parë, me mbështetjen e Perëndimit.

Krijimi i Shqipërisë së Madhe do të thoshte që trashëgimia fetare dhe kulturore serbe nuk do të ishte më serbe pas pesë deri në dhjetë vjet, sepse manastiret tona do të binin nën autoritetin e Kishës Ortodokse Shqiptare. E vetmja mënyrë për të parandaluar nënshkrimin e planit “Scholz-Macron” është një referendum ku qytetarët do të thonë fjalën e tyre për atë marrëveshje” – ka thënë ai.

Ora 10:53
Marrëveshja në Ohër, Shtëpia e Bardhë: Kosova dhe Serbia të nisin sa më shpejt implementimin

1679219653_Capture.JPG

Zyrtarë të lartë amerikanë kanë përshëndetur dakordwsinw mes Kosovës dhe Serbisë mbi aneksin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në SHBA, Adrienne Watson, ka përshëndetur marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër të Maqedonisë Veriore më 18 mars.

 “Ne mirëpresim marrëveshjen e lehtësuar nga BE-ja dhe të mbështetur nga SHBA-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe u bëjmë thirrje të dyja palëve që të fillojnë zbatimin e detyrimeve të tyre sa më shpejt të jetë e mundur”, ka shkruar Watson.

Ora 07:31
Marrëveshje Kurti-Vuçiç? Kreu i LDK-së Abdixhiku pas takimit: Mashtrim dhe humbje e një mundësie historike! Pa njohje dhe me asociacion

1679207607_Capture.JPG

Opozita në Kosovë nuk e sheh një sukses arritjen e dakordësisë dje në Ohër mes Kurtit dhe Vuçiç. kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se epilogu i Kurtit në dialog është mashtrim dhe humbje e një mundësie historike.

 “Mashtrim dhe humbje e një mundësie historike - ky është epilogu i Kurtit si kryeministër në dialog. Një kauzë politike e rremë - që Kosovës i kushtoi tmerrësisht shumë - përfundoi sonte. Kushtet e vëna, fjalimet e thëna, qëndrimet e dhëna, thjeshtë u zhbënë. Përveç saj, një marrëveshje pa njohje, jo finale dhe me asociacion plus në të është çfarë Kurti i solli Kosovës sot. Kjo gjendje e re, e shndërruar si detyrim integrues për vendin tonë, është e pariparueshme më.” – ka përfunduar Abdixhiku.

 

Ora 07:07
BE publikon aneksin e zbatimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi, ja për çfarë ranë dakord Kosova dhe Serbia dje! Komitet i përbashkët monitorues

Bashkimi Evropian ka publikuar aneksin e zbatimit të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilën u dakorduan dje në Ohër kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Aty flitet edhe për një Komitet të Përbashkët Monitorues që do të kryesohet nga BE-ja brenda 30 ditëve. Është detyra pikërisht e këtij komiteti që të monitorojë zbatimin e të gjitha provizioneve.

Aneksi i publikuar nga EEAS:

-Kjo shtojcë përbën një pjesë integrale të Marrëveshjes.

-Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht të respektojnë të gjitha Nenet e Marrëveshjes dhe këtë Aneks, dhe të zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.

-Palët kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i Zbatimit do të bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE.

-Palët vërejnë se menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe kësaj Shtojce, Lehtësuesi i BE-së do të fillojë procesin për të ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë për të pasqyruar detyrimet e reja të Serbisë që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks.

-Agjenda e Grupit Special të Kosovës për Normalizim do të pasqyrojë në mënyrë të barabartë obligimet e reja të Kosovës që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks.

-Palët bien dakord të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, si çështje urgjente.

-Për të zbatuar nenin 7, Kosova fillon menjëherë negociatat në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për vendosjen e aranzhimeve dhe garancive specifike për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të Dialogut siç përcaktohet nga Lehtësuesi i BE-së.

-Palët bien dakord të krijojnë një Komitet të Përbashkët Monitorues, të kryesuar nga BE-ja, brenda 30 ditëve.

-Zbatimi i të gjitha dispozitave do të sigurohet dhe mbikëqyret nga Komiteti i Përbashkët i Monitorimit.

-Për të zbatuar nenin 9, BE-ja do të organizojë një konferencë donatorësh brenda 150 ditëve për të krijuar një paketë investimi dhe ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë. Asnjë disbursim nuk do të ndodhë përpara se BE-ja të përcaktojë se të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë zbatuar plotësisht.

-Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri. Rendi i paragrafëve të kësaj shtojce nuk cenon rendin e zbatimit të tyre.

-Kosova dhe Serbia pajtohen të mos bllokojnë zbatimin e asnjë prej neneve. Të gjitha diskutimet në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes do të zhvillohen në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE.

-Kosova dhe Serbia pranojnë se çdo mosrespektim i obligimeve të tyre nga Marrëveshja, ky Aneks ose Marrëveshjet e Dialogut të kaluar mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre përkatëse të anëtarësimit në BE dhe ndihmën financiare që marrin nga BE-ja.

K.T./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Alb: 19/03/2023 14:31

    You can't win with Serbia we need another war.

    Përgjigju
  • Igor: 19/03/2023 07:53

    Te gjith ju qe moret pjese ne qeverisje e Kosoves e genjyet popullin me pralla se Kosova dote njihet si shtet por nuk ndodhi ju i mbusht xhepat por Kosova mbetet ne gjysem ruge dhe e mvarur nga Serbia me ndihmen e perendimit ,perendimi nuk e njohi Kosoven per nji shtet te pa mvarur por vete per ti ule tensionet pa u njohur nga OKB nuk mundesh te thuash jemi nji shtet sovran ,u perdhunuan 20,000 gra u zhduken 13,000 bura e gra dhe ma ne fund agresori fitoj dhe Kosova i mbetet si dhurate Serbise ,

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja