Një ditë para nisjes së bisedimeve me Trojkën, kryeministri Samaras kishte deklaruar se qeveria ka rënë dakord për reduktimin e shpenzimeve në vlerë 11.5 miliardë euro deri në vitin 2014, dhe se për këtë kishte arritur të tejkalonte dhe rezistencën e lidërve të partive të koalicionit Venizelos dhe Fotis Kuvelis.
Qeveria greke pritet të përfundojë të dielën raundin e parë të bisedimeve me Trojkën. Ministri i financave Stournaras, pritet të takohet të dielën me Trojkën ku do informojë mbi përparimin e negociatave për Planin e Kursimit.
Megjithatë për një version përfundimtar të masave shtrënguese do të bihet dakord vetëm në fillim të shtatorit. Qeveria greke duhet të bëjë shkurtime të ndjeshme të pagave në shërbimin civil. Qeveria duhet të arrijë marrëveshje me trojkën, gjithashtu edhe për të lejuar një plan për pagesën e tatimit mbi të ardhurat me anë të kësteve mbi një çmim tavan deri në 60 mijë euro, siç dëshiron trojka.
Samaras pritet të takohet me kancelaren gjermane Angela Merkel në Berlin dhe presidentin francez Francois Hollande, më 24 dhe 25 gusht.
(ns/Shqiptarja.com)