PRISHTINË, 3 Tetor /ATSH-B.Jashari/.- Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Francesco Paolo Figliuolo u takua sot në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it në Prishtinë, me kryesuesen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë, Constantina Athanassiadous.
Në njoftimin e KFOR theksohet se, gjatë kësaj vizite të parë zyrtare, gjenerali Figliuolo dhe Ambasadorja Athanassiadou biseduan për situatën e përgjithshme të komuniteteve në Kosovë dhe përparimin e arritur në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Aktualisht, Greqia është një vend i rëndësishëm kontribues i KFOR-it me më shumë se 200 ushtarë të zbarkuar në Kosovë, të cilët veprojnë në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it.
Komandanti i KFOR-it dhe Ambasadorja greke vlerësuan lart rëndësinë e kontributit të KFOR-it, si reagues i tretë, për të mbështetur Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe të gjitha organizatat vendore dhe ndërkombëtare, si dhe ruajtjen e një ambienti të qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes në mbarë Kosovën, konform Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Takimi i sotëm është vazhdimësi e takimeve të ngjashme të cilat komandanti i KFOR-it i mban për të pasur një qasje më gjithëpërfshirëse ndaj situatës së përgjithshme në Kosovë./m.m/