Greqiciteti i një censusi

Greqiciteti i një censusi

Censusi

Në faqen zyrtare të CIA-s, në seksionin ciafactbookalbania (Linku: https://www.cia.gov/the-world-factbook/countries/albania/#people-and-society) jepen të dhënat të detajuara për vendin tonë. Në të shkruhet se popullsia e Shqipërisë e update-uar në vitin 2023 është 3.101.621 banorë.

Më tej shkruhet se 82.6 për qind e popullsisë janë shqiptarë, ndërsa në grupet e tjera të popullsisë shkruhet se grekë janë 0.9 për qind. Më tej, 1 për qind janë të tjerë së bashku vlleh, rumunë, maqedonas, malazezë dhe egjiptianë. Dhe pjesa e mbetur prej 15.5 për qind e popullsisë janë të paspecifikuar.

Pra, besoj e lexuat mirë. Sipas CIA-s, jo sipas ndonjë institucioni shqiptar, në Shqipëri ndodhen 0.9 për qind e popullsisë minoritarë grekë, që me një veprim matematikor të thjeshtë i bie që janë 27.914 banorë. Këtu përfshihen minoritarët në zonën e Dropullit dhe në të gjitha zonat e tjera kryesisht në zonën e Himarës. E sjellim këtë referencë për shkak se në Shqipëri ka nisur censusi i 12-të në 111 vjet shtet, ndoshta më i detajuari që është kryer ndonjëherë. E bashkë me të edhe diskutime dhe debate nga më të ndryshmet.

Por ajo që tërheq vëmendjen nëse e lexon formularin lidhet me dy çështje, popullsia dhe feja. Dhe të dyja çuditërisht të bën të dyshosh përse nga ky census Greqia fqinje mund të nxjerrë përfitime. Jo më kot mora vetëm një element, atë të popullsisë minoritare greke në vendin tonë.

CIA, një institucion serioz, nxjerr këtë shifër që në fakt korrespondon me shifra afërsisht të njëjta të paktën në 100 vitet e fundit. Por, me censusin që sapo ka nisur gjasat janë që jo vetëm kjo shifër të rritet artificialisht, por Shqipëria të ndodhet përballë një fakti apo fenomeni që mund të shfrytëzohet negativisht ndaj nesh dhe në interes nga qarqet antishqiptare. Së pari që nga viti 1990 Greqia shfrytëzoi varfërinë dhe emigrimin e shqiptarëve që shkuan atje duke i bërë grekë, mjaftonte të ndryshonin emrat nga Islam në Ilia, nga Mazllëm në Miço dhe nga Alije në Helena. Dhe këta nuk ishin as nga zona minoritare në Shqipëri e as me prejardhje nga minoriteti. Por greqizimi vijoi në mënyrë akoma më të turpshme kur shteti fqinj pajisi me pasaporta greke një numër të konsiderueshëm shqiptarësh që jetonin në Shqipëri dhe u dha pension atyre duke bërë konvertimin në grekë. Me këtë joshje dhe në Shqipërinë kaotike të atyre viteve këta krijuan një grupim vërtetë unikal në kontinent. Janë shqiptarë në rrënjë, degë dhe prejardhje dhe konsiderohen grekë sepse marrin një pension që me të në Shqipëri jetojnë shumë mirë.

Një pjesë e tyre vijojnë të jetojnë në Shqipëri dhe një pjesë në pjesën më të madhe të vitit jetojnë në Greqi. Akoma më interesante janë të dhënat e CIA-s për Greqinë. Me një popullsi 10.497.595 banorë, në Greqi rezuton se 4.4 për qind janë shqiptarë, ndërsa 91.6 për qind janë grekë dhe pjesa e mbetur prej 4 për qind janë të popuj të tjerë. Dhe shteti ynë as ka marrë e as merr mundimin të flasë, të impenjohet e të hartojë një platformën për këtë popullsi të deklaruar nga institucionet e huaja. Dhe të mendosh që çështja çame nuk zihet fare më gojë.

Tashmë që procesi i censusit në Shqipëri ka nisur, bashkë me të kanë nisur të vijnë edhe këta “gjakprishur për një pension” dhe kur punonjësit e censusit t’u shkojnë në shtëpi për t’i regjistruar, ata do deklarojnë pa hezitim se janë grekë. Fundja Greqia për këtë ditë i do.

Por çfarë do të sjellë kjo? Së pari rritjen artificiale të shifrës së numrit të grekëve minoritarë. Nga 27.914, ajo shifër mund të shkojë dy apo disa fish më e madhe dhe kjo sjell një problem artificial që nuk e teprojmë të themi se i ngjan atij të komunave serbe në Kosovë. Së dyti, kjo shifër e rritur mund të sjellë detyrimin ndaj shtetit shqiptar se duhet të zbatojë “të drejtat e minoriteteve” që nisin nga vendosja e detyrueshme e gjuhës greke për përdorim në dy tabela rrugore, në përdorimin në shkresat zyrtare e deri te përdorimi në shkolla. Dhe së treti, pas kësaj rritjeje do të rrisin pretendimet idiote shekullore ndaj kësaj zone që nga Epir i Veriut do ta quajnë enklavë greke në Shqipëri. Pra, si popullsia grekë në Shqipëri dhe feja ortodokse pritet të kemi një rritje në numër të popullsisë në interes të Greqisë dhe habia është që kjo ndodh në kulmin e çështjes “Beleri”. Ëshë një tension në marrëdhëniet mes dy vendeve me elektricitet të lartë, por i stisur dhe involvuar në ekstrem nga pala greke, aq sa mund ta quajmë edhe greqicitet. I marrim me radhë të dy komponetët e censusit.

POPULLSIA NË SHQIPËRI NË CENSUSIN E RI

Nëse lexojmë me kujdes pyetësorin e censusit vërejmë shumë lehtë se e dhëna e parë delikate është popullsia. Mes 187 pikave, ajo 166, 168, 169 janë më të rëndësishmet. E para, 166, bën fjalë për identitetin etnik. Në pyetësor shkruhet: Me çfarë identiteti etnik identifikohet -Emri-? Dhe opsionet janë: 01-Shqiptar/e; 02-Grek/e; 03-Maqedonas/e; 04-Malazez/e; 05-Arumun/e; 06-Rom/e; 07-Egjiptian/e; 08-Boshnjak/e; 09-Serb/e; 10-Bullgar/e; 11. Tjetër grup etno-kluturor; 12. Grup etno-kulturor i përzier; 13- Asnjë; 14-Preferoj të mos përgjigjem. Këtu nuk mund të paragjykojmë kërkënd, por furia e impenjimit grek ditët e fundit në Shqipëri si dhe përvoja po e tyre në këto 33 vjet ka një ekspasion të shtuar. Ashtu siç e kanë njoftuar edhe kolegë të tjerë, mjafton që nga Greqia të vijnë disa autobusa si ato në kohën e fushatave dhe ditës së votimit zgjedhor dhe shqiptarët e pasaportave greke të shkruajnë në formular se janë grek apo greke dhe numri që ata synojnë arrihet. Dhe çdo ndodhë? Padyshim që do të arrihet ajo që qarqet greke antishqiptare e synuan për tre dekada: Rritjen artificiale të grekërve në Shqipëri. Kjo do të ishte jo vetëm një arritje e madhe e atyre qarqeve “megali idea”, por do të ishte njëkohësisht një turp kombëtar për Shqipërinë dhe shqiptarët që në zona që nuk kanë asnjë lidhje as me Greqinë as me minoritarët të na krijohen enklava artificiale greke. Mjafton të shikojmë dy nga censuset më të rëndësishme në historinë tonë, ai i vitit 1922 dhe ai i vitit 1945. Në vitin 1922 rezultonte se në Shqipëri kishte 16.000 grekë dhe në vitin 1945 kishte 26.535 grekë. Me popullsinë e asaj kohe rezulton se numri i grekërve në Shqipëri është ruajtur i pandryshuar. Në asnjë nga këto dy vite popullsia e banorëve që janë deklaruar grekë nuk e ka arritur 1 për qindshin. Pas 1 shekulli, ne vërtetë kemi rrezikun që shifta të ndryshojë dhe kjo të ndodhë artificialisht nëpërmjet një platforme të ndyrë duke blerë disa shqiptarë. Prandaj për të mos shkuar deri në këtë pikë, lipset që politikanët, shtetarë qëndrorë dhe veçanërisht ata lokalë duhet të ndërpresin aksionin dhe hovet antishqiptare për ta kthyer këtë census në një turp. Është e nevojshme një thirrje që në fakt na e kanë lënë të parët tanë. Mjafton të kujtojmë gazetën “L’Albania libre” që i përkiste Bllokut Nacional Independent në vitet ‘50-të bënte një thirrje që edhe sot të emocionon:

“Ju, Besaxhij, bani si të dueni me kolltuqe ministrore (kur të dalë terfoja), por aman, pash emin e Shqipnis, mos ia lueni gurt e themelit ndërtesës së atdheut”.

FEJA NË SHQIPËRI

Në CIAFACTBOOK sipas të dhënave të vitit 2011 që korrespondon edhe me censusin e atij viti Shqipëria rezulton me një popullsi prej 56.7 për qind myslimane, 10 për qind romane katolike, 6.8 për qind ortodokse, 2.5 për qind ateiste, 2.1 për qind bektashi, 5.7 për qind të feve të tjera dhe 16.2 për qind të paspecifikuar. Këto janë shifra që përfaqësuesit e klerit mund të protestonin ashtu siç protesuan në censusin e vitit 2011. Por CIA ka bërë një shënim në fund të të dhënave që shërben si argument i fortë. Në vitin 1967 shteti komunist ndaloi besimin fetar dhe ai u kthye në vitin 1990. Pra në këto vite shqiptarët jo vetëm ulën besimin, por dhe sot ne vuajmë pasojat e një indiference fetare të diktuar nga ai regjim. Në pyetësorin e censusit që presim të kryhet, feja trajtohet në pikat me numër 168 dhe 169 në të cilat shkruhet: Besimi fetar: A praktikoni apo i përket -emri- një feje ose besimi të caktuar? 01-Po; 02-Jo. Ateist/e (nuk praktikon, ose nuk i përket një besimi të caktuar dhe nuk është besimtar/e; 03- Jo. Nuk praktikon, ose nuk i përket një besimi fetar të caktuar por është besimtare/e.04-Preferoj të mos përgjigjem.

Në pikën 169 shkruhet: Feja, cili është feja ose besimi që ndjek ose i përket? 01-Mysliman; 02-Mysliman-Bektashi; 03-I/E krishter katolik; 04-I/e krishter ortodoks; 05-I/E krishter Ungjillor Protestant; 06-Tjetër besim fetar (specifiko) 07-Preferoj të mos përgjigjem.

Atëherë si pritet të rezultojë kjo? Jo më kot përfaqësuesit e dy feve, ajo myslimane dhe katolike, bënë thirrje besimtarëve të tyre që të tregohen të vëmendshëm në përgjigjet e pyetjeve. Ata si duket kanë patur parasysh pikërisht këtë. Historia ka provuar se shqiptarët kanë qenë nën sulm ofensiv nga Greqia duke përdorur fenë ortodokse. Pak përmendet fakti që në vitin 1921 qeveria e Sulejman Delvinës dëboi nga Shqipëria disa peshkopë grekë ose filogrekë. Studiuesi dhe profesori italian i historisë Roberto Morozzo Della Rocca, në librin e tij “Kombësia dhe feja në Shqipëri 1920-1944” konkludon se ndonjëherë ekzistenca në Shqipëri e katër bashkësive fetare kryesore, myslimane sunite, ortodokse, katolike dhe ajo e bektashinjve ka qenë një faktor përçarjeje për popullsinë shqiptare, duke u lejuar fuqive të huaja që të paraqisnin pretendime mbi Shqipërinë. Shkruan italiani Della Rocca:

“Ortodoksët shqiptarë konsideroheshin në Athinë si një popullsi helenike ç’ka shërbente si motiv ose preteks për të kërkuar aneksimin e Shqipërisë së Jugut nga “mëmëdheu” grek”. (Della Rocca Roberto Morozzo, Kombësia dhe feja në Shqipëri 1920-1944, Shtëpia botuese “Elena Gjika”, Tiranë 1994, faqe 9)

Por kjo shkon në një linjë edhe me studies apo figurat e tjera të rëndësishme të huaja që kanë qenë në Shqipëri si George Gordon Byron, i cili shkruante pas vizitës së tij në trojet shqiptare dhe greke:

“Nuk ka komb tjetër, të cilët fqinjët t’ia kenë frikën aq fort ose ta urrejnë aq shumë sa kombi shqiptar. Grekët nuk i mbajnë për të krishterë dhe as turqit nuk i mbajnë për myslimanë. Dhe me të vërtetë, shqiptarët janë një përzjerie e të dyve. Ose më mirë, nuk janë as të njërës, e as të tjerës fe”.

Si i tillë, regjistrimi i popullsisë dhe i fesë rrezikon të sjellë pasoja të rrezikshme për shtetin shqiptar. Do ishte e udhës së pari që INSTAT të kishte ndërmarrë një fushatë sensibizilimi dhe informimi më parë se të niste censusin. Së dyti shteti duhet të kishte bërë dhe bëjë një fushatë ndërgjegjësimi për të gjithë masën e njerëzve dhe e treta shteti nuk duhet të lejojë dhënien artificiale të të dhënave. Nëse punonjësit e INSTAT dhe ata që realizojnë pyetësorin nuk do tregohen profesionistë dhe nuk do tregohen të vëmendshëm, kjo mund të ketë pasoja, nga e cila do të fitojë Greqia. Të shpresojmë të mos ndodh kështu.

M.T/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë