TIRANE- Gjergj Ndreca, njëri prej ish të burgosurve politikë të cilët vazhdojnë grevën e urisë që prej 22 shtatorit, është përfshirë nga flakët. Sot në mëngjes ekipi i gazetarëve të Tv A1 Report, u gjend  pranë 2 çadrave ku po zhvillohet greva e urisë, në lagjen "Komuna e Parisit", dhe filmuan pamjet ekskluzive të këtij akti tronditës, në ditën e 17-të të grevës së urisë së ish të burgosurve politikë. Në orën  09:00 Gjergj Ndreca është lyer me benzinë dhe më pas i ndihmuar nga një shok i tij rrobat kanë marrë flakë, pavarësisht përpjekjes për ta ndaluar.

Pamjet ekskluzive të siguruara nga kameramani Amarildo Ramko, i Tv A1-Report tregojnë qartë momentet kur rreth orës 09:00 të mëngjesit të sotëm, Gjergj Ndreca del nga çadra e grevistëve dhe largohet disa metra më tutje. Në dorë mbante një shishe me benzinë me të cilën lag rrobat. Në momentin kur tenton të ndezë shkrepësen shokët e tij e kuptojnë dhe së bashku me një polic tentojnë t'i vijnë në ndihmë për ta ndaluar. Ndërsa Ndreca bërtet: “Më vini shkrepsen”, shokët i kanë lidhur duart prapa. Ndërkohë që nga një bashkëvuajtës i tij, Pal Shtjefni i ndodhur para Ndrecës, ndez çakmakun dhe rrobat e grevistit marrin flakë menjëherë. Në një moment shokët dhe polici largohen dhe më pas tentojnë ta shuajnë duke i hedhur ujë dhe mbuluar me batanije. Babai i 4 fëmijëve është dërguar në spital në gjendje të fikti. Në gjëndje të fikti është dërguar dhe grevisti Llazi Koçi.

72 orët në vazhdim janë vendimtare për jetën e 50 vjeçarit. Mjekët thanë se Ndreca ndodhej në terapi intensive pasi kishte plagë në 40 % të trupit, në fytyrë dhe në rrugët respitarore dhe duhet të presim 72 orë për të parë mbarëvajtjen e gjëndjes së tij shëndetësore.

Ndërkohë që rreth orës 10:30 ish të burgosur politikë (siç kishin paralajmëruar) u mblodhën para kryesisë së Kuvendit për të protestuar. Të indinjuar dhe nga akti tronditës i ndërmarrë nga Gjergj Ndreca, ata fajësuan qeverinë dhe Berishën. Protestuesit të mbështetur dhe nga përfaqësues të sindikatave të minatorëve, sindikatave të tjera e ish të përndjekurve politikë thërrisnin ”Saliu kriminel, Ndreca hero, Gjergj Ndrecën e dogji Saliu”.

Kryetari i shoqatës së të burgosurve politikë u bëri apel qytetarëve t'i bashkohen protestës së tyre cdo të hënë tek kryesia dhe cdo të enjte jashtë tek parlamenti dhe paralajmëroi se “Grevën të mos të bëjë gabim ta prekë njeri me dorë”.


gjergj ndreca me logo A 1report
(Foto: momenti Kur Shqevi i ve flaken Gjergj Ndreces)


gjergj ndreca
(Foto: momenti kur Gjergj Ndreca u perfshi nga flaket)

Ora 15: 18 RREFEHET BASHKESHORTJA: JAM E SHOKUAR 

Ina Ndreca, bashkëshortja e Gjergj Ndrecës i cili tentoi të vetëflijohej duke u djegur me benzinë tregon momentet e tmerrit të mësuara nga tv.
“Nëpërmjet mediave , e pashë në televizion, u shokuam , për ne është një traum e madhe”- thotë Ina. Ajo shton se gjëndja shëndetësore e mbetet e rëndë. “Ka më shumë djegie të jashtme, por ka probleme të brendshme”. Ina mama e 4 fëmijëve, thotë se pati komunikuar me Gjergjin para se të bënte aktin e vetëflijimit dhe i kishte kërkuar që ti dërgonin djalin. “Ia cova djalin, gjendja e tij ka qenë shumë e stresuar. Ç’të them Gjergji është shumë impulsiv nuk jap dot shpjegime, por që për ne është traum e madhe për femijët më shumë, duhet të kishte menduar më shumë për fëmijët. I pyetur nëse mbështet bashkëshortin shkruan “Normale që e mbështesim se ja dimë vuajtjet por këto nuk ia falim që shkoi deri në vetflijim.”
Ajo i bën apel shtetit për ti ndihmuar dhe për të vënë dorën në zemër për këtë shtresë.

Ora 15: 00 ARRESTOHET PAL SHTJEFNI AKUZOHET PER PLAGOSJE TE RENDE ME DASHJE

Rreth orës 15 policia informon se arrestoi Pal Shtjefnin nën akuzën e plagosjes se rende me dashje. Ja deklarata e policise se Tiranës: "Nga Seksioni Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Lirisë së Personit është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Pal Shtjefni, 59 vjec, banues në Tiranë, ish-i përndjekur politik dhe pjesëmarës në grevën e urisë të grupit të ish të burgosurve politik. Ky shtetas, i ka vendosur zjarrin në trup më anë të një cakmaku, shtetasit Gjergj Ndreca, i cili sapo ishte lyer me benzinë. Falë ndërhyrjes së menjëhershme të strukturave të policisë të planizuar me shërbim pranë grevës së urisë të ish përndjekurve, kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve në trup të Ndrecës dhe dërgimin e menjëhershëm të tij, në QSUT në repartin e djegjes, i cili aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën. Ndaj shtetasit Pal Shtjefni u muar masa e arrestit për konsumim të veprës penale të Plagosjes së rëndë me dashje, pasi i dëmtuari ka marrë plagë të rënda djegjeje në pjesë të ndryshme të trupit. "

Ora 12: 45 MJEKU: NDRECA KA DJEGIE NE 40 % TE SIPERFAQES SE TRUPIT

Mjeku i repartit të djegies në QSUT, Ilir Nezha në një prononcim për median rreth orës 12: 30 deklaroi se Gjergj Ndreca ka djegie në 40 % të sipërfaqës së trupit, si dhe djegie në rrugët respiratore. “Ai ndodhet në terapi intensive dhe duhet të presim 72 orë për të parë si do verë. Ka djegie të gradës së dytë”- deklaroi mjeku Nezha në një prononcim për gazetarët në QSUT.

Ora 11: 03 ARRESTOHET PAL SHTJEFNI
Gazetari i TV A1 Report Arsen Rusta informon se policia e Tiranës ka prangosur Pal Shtjefni. Arrestimi i tij është bërë rreth 2 orë pas ngjarjes së ndodhur para çadrave.

Ora 10: 59 NDRECA DJEGIE TE SHKALLES SE TRETE
Gazetari Tv A1 Report Arsen Rusta informon se mjekët në qendrën e djegie plastikës bëjnë të ditur se Gjergj Ndreca ka pësuar plagë të djegies në shkallë të tretë. Plagë ka dhe në fytyrë.

Ora 10: 40 TUFA: TE PERSERISIM KERKESAT E 1991: "LIRI DEMOKRACI
"
“Ndreca dogji vetveten në mënyrë të qëllimshme. Për tiu kundërvënë gjendjes në të cilën ndodhen të burgosurit politikë, dhe gjakftohtësisë se kësaj qeverie. Nuk kërkojnë më tepër sesa dëmshpërblimin për vitet që kanë bërë burg. Qytetaërt të përgatiten për mos bindje civile. Të përsërisim kërkesat e 1991: “Liri Demokraci”.

Ora 10: 35 TE BURGOSURIT POLITIKE NE PROTESTE PARA KRYESISE
Kryetari i Shoqatës së të burgosurve Politikë, Skënder Tufa dhe mbështetës të grevistëve janë vendosur para kryesisë së Kuvendit për të protestuar. Skënder Tufa në një prononcim për median komentoi veprimin e shokut të tij Gjergj Ndreca për vetëflijim si përgjigje ndaj heshtjes së qeverisë dhe paralajmëroi se kjo grevë do të shkojë deri në mosbindje civile.
“Ndreca iu përgjigj heshtjes me vetëflijim. Ky është një apel për cdo qytetar, sepse kur cënohet i burgosuri politik cënohet demokracia. Ne të burgosurit politik po ju japim shembullin se ky rend kërkon një përgjigje popullore e qytetare. Ne do të kërkojmë dhe mos bindje civile. Do ta mendojmë duke bashkëvepruar me sindikatat. I bëj thirrje qytetarëve të ngrihen. Thirrje dhe opinionit ndërkombëtar të mos heshtë ndaj kësaj heshtjeje që po bën qeverie. Të burgosurit politikë po kërkojnë plotësimin e kërkesave ekonomike. Ne nuk po ngremë zërin si një shtresë, por si cështje mbarë shqiptare ”- tha Tufa para kryesisë së Kuvendit. Tufa tha se grevistët tek çadrat janë rrethuar nga policia.

Ora 10: 20 FORCA TE SHUMTA POLICIE RRETHOJNE KRYESINE

Menjëher pas aktit të djegies, dhe nisur nga paralajmerimi për protestë, forca të shumta policie rrethuan kryesinë e Kuvendit. Kjo u duk qartë edhe nga një foto e publikuar në profilin e tij në Facebook nga deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe. Ky i fundit e shoqëron tekstin me shënimin e mëposhtëm: "Policia rreth Kuvendin dhe Vilen e Berishes, tani, pas vetdjegies se Gjergj Ndreces!!"

Ora 10: 19 BIBERAJ TE GREVISTET: QEVERIA TE HEQE DORE NGA ARROGANCA
Aleksandër Biberaj anëtar i Frymës së Re Demokratike është gjendur pranë grevistëve me të mësuar lajmin e rëndë të djegies së Gjergj Ndrecës. Në një prononcim për Tv A1 Report ai bëri apel për të hequr dorë nga arroganca e të ulet e të bisedojë me grevistët.
“Qeveria të heqë dorë nga arroganca dhe të bisedojë pa tjetër me ta. Këta qytetarë nuk duhet të lihen në këtë gjëndje. Situata shëndetësore dhe psikologjike është e rënduar. Ata e kishin paralajmëruar këtë situatë por dhe e ndërmorën veprimin”- tha Biberaj

GREVA DJE NE DITEN E 16- te
Ndërkaq gjatë pasdites së djeshme dy ish të burgosur politikë janë transportuar në spital për shkak të gjendjes së vështirë shëndetësore me të cilën janë hasur në ditën e 16 të grevës së urisë.

Shpëtim Karamuça rreth 75 vjeç dhe Perikli Shqevi 56 vjeç janë dy ish të përndjekurit të cilët kanë shfaqur komplikacione shëndetësore e për këtë arsye pasditen e djehsme kanë përfunduar në spital. Mësohet se gjendja e tyre është mjaft e rënduar.

KERKESAT E GREVISTEVE
Tetë kërkesat e ish të burgosurve politikë, arsyeja pse prej 22 shtatorit grevistët vazhdojnë grevën e urisë të vendosur në 2 çadra te lagjja Komuna e Parisit janë:

1.Të zhdëmtohen totalisht të burgosurit politikë duke iu llogaritur inflacionin 30 përqind që është vlerësuar leku që nga 2007 deri më tani.

2.Të merren në mbrojtje sociale ata që kanë mbetur vetëm.

3.Te strehohen të burgosurit politikë.

4.Ata që janë gjallë tu akordohet pension sipas ligjit 7703 dt 11.5.93 neni 5 me procedurë të përshpejtuar dhe të drejtpërdrejtë.

5.Trajtimi mjekësor të jetë falas për të burgosurit politikë.

6.Ligjërimi në Parlament i konventës 12 i Këshillit të Evropës për hapjen e dosjeve.

7.Te hapen dosjet e vonuara të të burgosurve politikë që nuk kanë marrë asnjë këst si dhe të hiqen nga parlamenti nenet e terrorit për të burgosurit politikë që janë dënuar në revoltën e Spacit 73 dhe 84.

8.Të punësohen te burgosurit politikë

Në ditën e 16 të grevës së urisë së ish të burgosurve politikë, numri I të gjendurve në spital shkoi në 5, duke e bërë edhe më kritike situatën e grevës së ish të përndjekurve politikë, prej më shumë se dy javësh në ambient të hapur panë zonës së Komunës Parisit në Tirane.

4 DITE ME PARE PROTESTUAN PARA PARLAMENTIT

Katër ditë më parë ish të burgosurit politik zhvilluan protestën e parë para Parlamentit. Gjatë zhvillimit të saj pati konfrontime me forcat e policisë të cilat kishin rrethuar hapësirën pranë Kuvendit ku gjendeshin protestuesit. Me ish të përndjekurit politik u solidarizuan Aleanca KuqeZi si dhe deputeti, Gazmend Oketa anëtar i partisë Fryma e Re Demokratike. Kryeministri Berisha në një konference për shtyp javën e kaluar e citoi grevën politike. Nga 22 shtatori që ka nisur greva, rreth 20 te burgosurit politike janë vizituar edhe nga deputetë dhe drejtues të opozitës si dhe ambasadori i BE-se Ettore Sequi dhe Ambasadori i SHBA-se Aleksander Arvizu. 

Redaksia Online
(sg/shqiptarja.com)