TIRANE - Këshilli Studentor i Universitetit të Shkencave Mjekësore i ka kërkuar ish-studentëve të privatit që të zhvendosin grevën e tyre nga ambientet hyrëse të institucionit, në mënyrë që mësimdhënia dhe provimet në këtë universitet të vijojnë normalisht.

Por ardhja e përfaqësuesve të Këshillit Studentor është pritur me ovacione dhe brohorima negative nga ana e mbështetësve të grevistëve.

Sipas kreut të Këshillit Studentor të Mjekësisë, problemi nuk është e drejta për të protestuar, por fakti se studentët e ish-universiteteve private tashmë të mbyllura nga qeveria, përbëjnë problem për mbarëvajtjen e mësimit.

Më herët në QSUT është shfaqur dhe demokratja Grida Duma, e cila e ka cilësuar mosplotësimin e kërkesës së grevistëve nga ana qeverisë një akt të turpshëm, që kërkon të përçajë të rinjtë.

Grevistët janë studentë të transferuar nga universitetet private të mbyllura nga Ministria e Arsimit, dhe kërkojnë që tarifa e tyre studentore prej 2 milionë e 300 mijë lekësh të vjetra, të barazohet me tarifën e studentëve të shtetit.

Disa studentë të Universitetit Publik të Mjekësisë, të cilët janë bërë pjesë e kësaj shkolla me anë të procesit meritë-preferencë përmes një deklarate kanë dalë kundër studentëve që janë transferuar nga privati, pas mbylljes së universiteteve të tyre, të cilët kanë hyrë në grevë duke kërkuar tarifa të barabarta.

Në deklaratë e tyre studentët që kanë fituar të drejtën e studimit në këtë Universitet përmes procesit meritë-preferencë u kërkojnë shokëve të tyre të shkollë që janë në grevë që të lirojnë ambientet dhe që të mund të vijojë normalisht mësimi. 

Gjithashtu ata theksojnë se  “të transferuarit nga privati” nuk do të mund të jenë të barabartë me ta, pasi këta të fundit kanë fituar të drejtën e tyre për arsim në këtë institucion përmes procesit normal. 

Ora 14:05 Berisha: Studentet në grevë për të drejtat e tyre, Rama ushtron terror policor
Ish-kryeministri Berisha ka dalë në mbrojtje të kërkesës së studentëve të transferuar nga universitetet private në ato shetërore, ndërkohë që akuzobn ramën se po ushtron ndaj tyre dhunë policore.

Statusi i plotë i Berishës
Studentet ngujohen ne greve urie per te drejtat e tyre legjitime, Rama ushtron terror policor ndaj tyre. Të dashur miq, rreth 50 studentë nga degë të ndryshme, janë ngujuar dje në grevë urie. Ata përfaqësojnë mbi 8000 studentë të shkollave te larta dhe universiteteve private, te cileve pas mbylljes arbitrare te shkollave te tyre qeveria iu premtoi regjistrimin ne deget korresponduese te universiteteve publike me tarifat e ketyre universiteteve. Ne te vertete qeveria i mashtroi, sepse ne kundershtim me premtimin e saj ajo vendosi per keta studente tarifa 7 here me te larta se se per bashkemoshataret e tyre te universiteteve publike.Autoritetet, ne vend qe te dialogojne me studentet e ngujuar per veteflijim, i rrethuan me urdher te Edi Rames me police, te cilet i pengonin ata te merrnin shtrojet dhe rrobat e tjera per greven e tyre te veteflijimit dhe pengonin studentet e tjere te bashkoheshin me grevistet.I bej thirrje qytatareve, te rinjve, studenteve, te solidarizohen dhe te mbeshtesin kerkesat e drejta dhe greven e urise te studenteve te diskriminuar padrejtesisht nga qeveria Rama -Meta. I kerkoj Edi Rames te nderpresi dhunen policore ndaj studenteve, perndryshe do perballet me pasojat e renda te saj. Studentet do fitojne! 

Ora 10:50 12 orë në grevë, studentët: Nuk jemi mirë nga ana shëndetësore
Ndërsa kanë kaluar pak më shumë se 12 orë nga shpallja e grevës nga studentët e transferuar nga universitetet private të mbyllura në ato shtetërore, ata deklarojnë se nuk janë mirë nga gjendja shëndetësore duke kërkuar edhe praninë e ambulancës dhe të mjekut.

“Do i rezistojmë grevës, pavarësisht se gjendja është e rënduar. Jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund nismës tonë, nuk heqim dorë.”- deklaroi një prej studenteve në grevë.
 
40 studentët që kanë hyrë në grevë janë transferuar nga Universitetet private te Universiteti i Mjekësisë. Ata kërkojnë barazi në tarifa me studentët e tjerë. Por ky argument është rrëzuar dje nga ministrja Nikolla dhe Rektorati i Universitetit të Mjekësisë të cilët u kanë rikujtuar këtyre studentëve se nuk kanë fituar shkollën përmes meritokracisë, por edhe se ata kanë qenë në dijeni të tarifave kur firmosën kontratat e transferimit.

Gjithashtu ato theksojnë se këta studentë janë duke paguar më pak se sa tarifat që kishin në Universitetet private ku ishin regjistruar fillimisht. Por studentët e rrëzojnë këtë qëndrim duke deklaruar se një pjesë e tyre kanë qenë me bursa të plota dhe nuk kanë paguar asnjë lekë në shkollat private.

Më tej studentët deklarojnë se u mungon baza materiale e nevojshme për të zhvilluar një grevë normale.

“Kemi mungesë të batanijeve dhe dyshekëve. Në cdo vende demokratike janë të lejueshme të futen.”- tha studentja. 

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)