Demonstrues të shumtë u përleshën me policinë në grevën e përgjithshme që përfshiu 54 qytete në Itali. Policia italiane vuri në pranga disa prej protestuesve të cilët hodhën fishekzjarrë dhe objekte të tjera në drejtim të tyre.

Sipas mediave vendase, tensionet u ndezën kur një grup prej 20 studentësh të veshur si Santa Claus u ngjitën mbi gardhin e selisë së këshillit të qarkut duke hedhur shishe dhe mjete të tjera në drejtim të policisë, e cila më pas hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Ndërkaq, mësohet se 11 policë mbetën të plagosur gjatë përleshjeve me protestuesit e zemëruar me reformën e punësimit të kryeministrit Mateo Renzi. Me papunësinë në nivel rekord, sindikatat thonë se barra e reformave dhe ulja e shpenzimeve po bie padrejtësisht mbi punëtorët dhe se nuk do të ketë asnjë efekt në rritjen ekonomike.

Greva e përgjithshme ka mbyllur shërbimet bazë si transporti lokal, portet dhe shumë shkolla në të gjithë Italinë. Në marshimin e sotëm kanë marrë pjesë edhe disa anëtarë të partisë së Renzit, çka është interpretuar sipas analistëve si një shenjë përçarje Partisë Demokratike në pushtet.

Vitet e fundit disa qeveri italiane janë përpjekur të reformojnë ligjet e punësimit por kanë dështuar pasi ekonomia Italisë mbetet në recension. Prodhimi i brendshëm Bruto gjatë vitit të kaluar ka rënë me 0.4%. Që nga viti 2010, vetëm dy shtete Haiti dhe Zimbabve janë renditur poshtë Italisë me rritjen më të ulët.


Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)