Në stilin e tij denigrues kryeministri tha atë që thotë prej 22 vitesh: kush është kundër meje është i paguar nga opozita, është antishqiptar, është anti-evropian, është i korruptuar, trafikant, kriminel dhe imoral. I ka thënë në vite të njëjtat epitete kundër kujtdo që ka pasur përballë që nga Azem Hajdari, Gramoz Pashko, Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja, Neritan Ceka, Arben Imami, Genc Pollo, Ilir Meta, Fatos Nano, Edi Rama, Alfred Moisiu, Bamir Topi e deri tek më të fundit, grevistët e urisë.
Disa prej tyre nuk jetojnë më, disa sot i ka aleatë besnikë në qeveri, disa i ka përballë në opozitë.
Në logjikën dhe formimin personal fanatik të periudhës komuniste kryeministri Berisha nuk njeh metodë tjetër përveç këtij stili luftarak denigrimi dhe fyes edhe për kulturën minimale qytetare të këtij vendi.
Parimi i denigrimit të kundërshtarit, i baltosjes së tij, i asgjësimit publik të tij duke (keq)përdor ministra e deputetë militant, sharës të paguar në media, struktura të specializuara abuzimi dhe deri edhe institucionet më të larta të shtetit - janë e mbeten parim jetësor, pjesë e identitetit dhe formimit politik të njeriut, i cili prej vitit 1968 vijon të jetë në pushtet.
Për ata që njohin karakterin dhe praktikat e tij sjellja ka një shpjegim: Berisha flet për turmat, udhëheq për turmat, ushqehet nga turmat dhe kërcënon me turmat. Ai nuk e pranon elitën politike, nuk pranon qytetarinë dhe as kurajën civile, nuk pranon oponencën profesionale dhe as kritikën mediatike, fraksionin në parti apo kundërshtinë e ideve të tij në publik. Për të, kushdo që nuk bën pjesë në vathën e tij, përbën rrezik dhe duhet eliminuar, me të gjitha mjetet dhe në të gjitha format.
Ai është e mbetet i vetmi politikan në Shqipëri që publikisht e pranon se kundërshtarët i do vetëm për ti mundur, - një luftë e pambaruar që ka nisur më 1968 dhe ndryshuar përkohësisht kah më 1991, - një tipar i revolucionit permanent që buron nga koncepti komunist i opozitës dhe oponencës armike.
Ai nuk merret me grevën e urisë dhe kërkesat e grevistëve, nuk pranon të diskutojë mbi ish të përndjekurit politikë dhe denigrimin e tyre moral dhe ekonomik, e shpërfill rolin negociator të ambasadorit amerikan apo të BE në këtë grevë dhe përpjekjet formale të disa institucioneve të tjera kushtetuese.
Për të nuk ka rëndësi greva dhe as kërkesat, për të ka rëndësi gjetja e armikut të ri, një front i ri lufte politike kundër armikut imagjinar, një klimë e re frike dhe kërcënimi ndaj atyre që janë vendosur kundër, pra një mesazh force për zgjedhjet e ardhshme dhe CV e tij politike.
Berisha u bë President dhe figurë popullore me mbështetjen e fuqishme të elitës intelektuale, rinisë studentore, ish pronarëve, ish të përndjekurve politikë dhe sindikatave. 22 vjet më vonë ato janë pesë kategori kritike ndaj kryeministrit, të përjashtuara nga PD dhe struktura e pushtetit, të braktisura nga loja e pisët e pazareve të pushtetit, të papërfaqësuara në rrethin e ngushtë familjar e klanor të vendimmarrjes.
Berisha është 68 vjeç dhe ai e di se nuk ka më moshë për të provuar rikthimin në pushtet, ndaj çdo ditë pushteti e përjeton si ditën e fundit, e përdor maksimalisht për garantimin e të nesërmes, është në kërkim të çfarëdo grupi shoqëror që mund ti besojë dhe i gatshëm të përdorë çdo mjet politik për të pamundësuar rotacionin politik në pushtet, në parti dhe në sistemin politik.
Ai është i ndërgjegjshëm se kategoritë e mësipërme e kanë braktisur dhe në rrethana të tilla, është më i gatshëm të bëjë koalicion me komunistet (me votat e Hysni Milloshit fitoi zgjedhjet lokale), me kryeministrat historikë të PS (Nano e Meta kanë qeverisur në 8 nga 10 vitet e PS), sesa të pranojë rikthimin e moralit politik dhe dialogun me ata që e sollën dy herë në pushtet, sidomos ish themeluesit e PD dhe ish të përndjekurit politikë. Kjo është arsyeja që ai sot merret me stallën e derrave të Gjergj Ndrecës dhe jo me 17 vitet e burgut të tij politik; që me informacione SHIK-u kërkon listat e kredive, banesave dhe familjarëve të secilit grevist dhe jo peticionin ekonomik të tyre; që akuzon grevistët se po vetëvriten në llogari të PS dhe refuzon të na tregojë përse SHBA e BE janë çdo ditë pranë grevistëve; që si Makbethi kërkon skenarë kriminalë për krimin e tij në vend që të bërë atë që bëri për Ramiz Alinë, kurimin me paratë e shtetit dhe dërgimin jashtë shtetit po me paratë e qeverisë.
Në çdo vend të botës demokratike një kryeministër, një prind, një politikan dhe një deputet do të kishte sensin e përgjegjësisë publike për të bërë gjithçka për të evituar humbjen e jetës së grevistëve, kurse ai, me ndërgjegje, çdo ditë kërcënon të kundërtën, me shpresën makabre se sëmundjet dhe aktet e vetëvrasjes do të pakësojnë numrin e grevistëve.
Greva e urisë nuk është zgjidhje, është fundi në listën e mundshme të protestave demokratike. Ata të përndjekur i provuan të gjitha, dhe kur gjetën të mbyllur çdo derë, u ndodhën në dilemën e kobshme nëse ia vlen të jetohet në një shoqëri amorfe, pa kujtesë e reagim, nën një regjim që nuk dëshmon me asnjë akt se të do të gjallë. Mesazhi i kryeministrit është i qartë: ai nuk ka më nevojë për ju, për votën tuaj, për mbështetjen dhe as kostumin e dhuruar prej jush të antikomunistit.
Ai nuk ka nevojë më as për qytetarët, as për elitën, as për ish-dhjetoristët, as për ish-pronarët, as për median e pavarur, - ai mendon se i ka të gjitha, i meriton të gjitha, dhe nëse nuk i jepen, është i gatshëm me çdo mjet t'i marrë të gjitha. Në dëlirin e tij nuk e fsheh synimin të identifikohet me Zotin, me kombin dhe popullin, si dhe të kërcënojë se do të jetë padron absolut i tyre edhe 35 vite të tjera. Ai nuk ka më nevojë të tregohet diçka që nuk është, të besojë në diçka që nuk e ka besuar kurrë, të sillet ndryshe nga çfarë i lejon formimi i tij, - ai thjesht është i lodhur nga qytetarët dhe ankesat, nga pretendimi për zgjedhje të fshehta e grevat, nga kritikat në media dhe mosbesimi ndërkombëtar.
Ai i do qytetarët vetëm si skllevër të bindur, që nuk ankohen, që nuk shikojnë, që nuk mendojnë, që lumturohen me ushqimin e pakët të ditës dhe i puthin dorën sundimtarit të tyre. Ai ndodhet në atë pikë ekstreme, në të cilën Stalini vendosi të ekzekutojë edhe mjekët e tij, ku Enveri dha urdhër të vetëvritet edhe kryeministri i tij, ku Kastro shpalli armike vajzën e tij, ku Caushesku i shpalli luftë popullit të tij. Në këtë pikë për çdo shqiptar jashtë stanit të tij nuk është më çudi nëse sheh në ekranin televiziv një kryeministër që shan, bërtet, fyen, denigron, shpif e kërcënon ndaj tij, nëse të nesërmen ndonjë kanal TV apo gazetë e stilit kinez të 1967-ës do tu bëjë jehonë këtyre sjelljeve paranojake, dhe nëse turma e militantëve vijon të mbushë rrjete sociale, parlament, qeveri e rrugica me thirrjet "duam Babën"!
Greva e bëri divorcin historik midis një regjimi të korruptuar dhe arrogant dhe shtresave të djathta historike, të cilat nuk gjejmë më dallim midis Hysni Milloshit, Fatos Nanos, Ilir Metës, Sali Berishës, Edi Ramës apo Gramoz Ruçit. Shqipëria e vitit 2012 është i vetmi vend evropian (pas Bjellorusisë), i cili qeveriset nga i njëjti person në 22 vjet, që ka një kryeministër -ish sekretar i PPSH, që s'ka asnjë të përndjekur politik në qeveri, as parlament, ku qytetarët e braktisur dhe të tradhtuar vetëvriten për të drejtat e tyre, ku një klan politik e financiar keqpërdor për interesa personale shtetin, institucionet, pronat publike, median dhe çdo aset tjetër publik.
Greva e urisë së ish-të përndjekurve vetëm sa e tregoi të vërtetën e trishtë ashtu siç është. Kjo grevë mund të mos ketë sukses afatshkurtër, mund të mbyllet me disa ambulance të tjera që transportojnë të sëmurë për vdekje, mund të shuhet nga kronika e lajmeve të ditës, por efekti dhe mesazhi i saj, - reagimi ekstrem në kërkim të të drejtave të mohuara, - është e mbetet suksesi më i madh i saj. Ajo tregoi se në anën tuaj ishin pjesa qytetare e shoqërisë, ishin zërat e pakët civilë e kurajoz në opinionin publik, ishin bashkëvuajtësit tuaj nga Sami Repishti e Bedri Blloshmi te Visar Zhiti, - dhe se përballë ishin ata që kanë qenë përherë, pushteti, pushtetarët e turmat e sunduara prej tyre.
Mbi të gjitha greva tregoi përfundimisht se kush është morali që mban në këmbë pushtetin, kush fshihet pas kostumit antikomunist për të rivrarë grevistët e përndjekur, kush shihet me deklarata ose heshtje për një vend në listën e ardhshme elektorale, kush ka zgjedhur rrugën më të shkurtër e më pak dinjitoze për të bërë karrierë, kush është e mbetet simbol komunist e antikomunist, kush beson tek demokracia dhe kush përbën pengesën kryesore për Shqipërinë demokratike dhe evropiane.
(s.f/Shqiptarja.com)