Më 13 shtator, Partia e Lirisë ka thirrur protestë para inceneratorit të Tiranës. Përveç deputetëve që mbështesin Ilir Metën, të pranishëm do të jenë edhe deputetët demokratë. Në fjalën e tyre para Kuvendit, deputetët e PD janë të ndarë në vendimin nëse do të jenë pjesë e protestës.

“Në protestë merret pjesë por varet sipas axhendës. Nëse kemi punë më të rëndësishme se protesta, mund të bëjmë atë punën tjetër”, tha Luan Baçi.

“Kjo është stinë protestash sepse e tillë është situata në Shqipëri. Në çdo ditë, çdo shqiptar duhet të ndihet në protestë. Ky është misioni. Kini durim. PD ka thirrur protestë, do thirrë protesta”, tha Flamur Noka.

“Do jemi pjesë e çdo proteste qytetare. Ne kemi filluar një aktivitet intensive që nga java e kaluar”, tha Edi Paloka.

Edhe Grida Duma tha se do të jetë e pranishme në çdo protestë dhe shtoi se është e vetmja zgjidhje ndaj “një regjimi që ka një dekadë në pushtet e s’mban përgjegjësi”.

“Në çdo protestë duhet marrë pjesë. Ka arritur nuk pikë ku nuk duhet të gjykojmë me kë, po duhet të shkojmë drejt çfarë. Duhet protestuar sepse nuk ka asnjë zgjidhje tjetër me një regjim që ka një dekadë në pushtet dhe s’mban asnjë përgjegjësi. Unë do jem kudo që të jetë një protestë, nuk ka rëndësi radha ku do të vendosem por në protesta do të jem kudo”, tha Grida Duma.

Ndërsa Saimir Korreshi u shpreh se nu ki ka bërë askush ftesë për protestë por do të jetë i pranishëm.

“Unë jam çdo ditë në protestë i shkreti por s’më ka ftuar njeri. Nuk ka ftesë për protestë, por unë shkoj në çdo protestë, kushdo që ta organizojë”, tha Saimir Korreshi.

Një koment e bëri edhe Erion Braçe duke ngritur disa pyetje për Ilir Metën, organizator i protestës.

“Cila është zgjidhja që ka? I ndan mbetjet ai? Ia hedh punëtorja apo i derdh vetë? Pyeteni për këto”, tha Braçe.