Tiranë, 3 Dhjetor / ATSH - "Grinç vjedh Krishtlindjet" eshte pjesa frymezuar nga tregimi i Dr.Seuss shkruar që në vitin 1957, e cila do të shfaqet premierë këtë fundjavë (të shtunën dhe të dielën ora 10:30) në Teatrin Kombëtar Eksperimental "Kujtim Spahivogli".
Regjisori Endri Çela, në skenografinë e Beqo Nanaj, kostumografinë e Sofi Kara, koreografinë e Aledia Kondaj dhe as.regjisoren Madi Selimi dhe një ekip skenografësh, kostumografësh, koreografësh, kompozitorësh, etj, sjellin në skenën e TKEKS një kastë masive aktorësh, interpretues si Erdit Asllani, Edvin Mustafa, Adriana Tolka, Klea Zeka, Oriana Cama, Fatjon Mici, Sara Jaupaj, Klodjana Keco, Elidon Alika, Aldjon Matarangasi dhe Anderson Gurra, të cilët premtojnë të sjellin për publikun e vogël një shfaqje festive, plot ngjyra dhe të punuar me mjaft profesionalizëm.
Komedia për Krishtlindjet, është konceptuar në formën e një muzikali ku aktrimi shkrihet shumë bukur me këngën dhe performancë koreografike, bën me dije TKE.
"Grinç vjedh Krishtlindjet" është një muzikal që jo vetëm do të shtojë bukurinë dhe fetivitetin për festat e fundvitit duke sjellë një performancë artistike nëpërmjet të cilës fëmijët do të mësojnë se thelbi i këtyre festimeve nuk janë dhuratat, zbukurimet apo tryezat plot me ushqime, por lumturia, harmonia familjare dhe dashuria janë thelbi i vërtet i festave.
/k.m//a.ke/