Gripi, rrezikon ata
persona që e kaluan një herë

Gripi, rrezikon ata<br />persona që e kaluan një herë
TIRANE- Kjo nuk është koha që qytetarët të neglizhojnë shëndetin e tyre duke menduar se gripi kaloi. Madje, kjo rekomandohet edhe për ata që e kanë kaluar një herë gripin sepse ai mund të rikthehet edhe me komplikacione më të rënda pas 2 apo 3 ditësh kur ne mendojmë se u shëruam. Drejtuesja e polit të gripit në Shërbimin e Infektivit të QSUT-së Entela Ramasaço tha se komplikacionet që gripi ka lënë pas, janë të shumta.

Sipas saj, aktualisht janë rreth 70 persona që i drejtohen çdo ditë për ndihmë urgjencës së spitalit infektiv të QSUT-së. Ramasaço pohon se situata gripale në vend nuk është më në rritje, por edhe muaji mars do të vijojë me numër të lartë pacientesh. Ende janë në qarkullim dy nëntipe të virusit A, ndërkohë që në tre vitet e fundit ky është gripi që la më shume pasoja te personat që preku. Ndaj, edhe pse mund ta kalojnë gjendjen gripale, pacientet duhet të kenë kujdes që të mos neglizhojnë rikthimin e tij. “Komplikacionet të cilat janë vënë re, kanë qenë të tipit respirator, pneumonia, bronkopneumonira por edhe jashtë këtij trakti respirator.

Ka raste kur kalon kjo situatë gripi, por kemi dy-tre ditë pauzë dhe sërish ringritje të temperaturës. Pikërisht ky do të jetë edhe momenti kur mendohet për ndonjë komplikacion të mundshëm”, ka pohuar Ramasaço. Sipas saj, askush nuk duhet të gënjehet nga temperaturat më të ngrohta të pranverës së nisur për të neglizhuar simptomat e një gripi të fortë siç ka qenë ai i këtij viti. Rekomandimet bëhen për të gjithë popullatën, por më të kujdesshëm duhet të jenë kategori të caktuara, si fëmijë e të moshuar, apo të sëmurët kronikë. Në një javë, në të gjithë vendin, numërohen 16 mijë persona të prekur nga gripi.

Rastet më të rënda janë ato tek personat me sëmundje të tjera kronike, ose në ekstremet e moshave. Ndërkohë, sa i përket rasteve të personave të prekur nga gripi i derrit, nga autoritetet shëndetësore raportohet se janë rreth 60 pacientë. Por gjatë ditës së sotme do të jetë Ministri i Shëndetësisë ai që do të raportojë në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë mbi situatën në të cilën ndodhemi dhe masat që janë marrë nga institucionet përgjegjëse.

Shkrimi u publikua sot (11.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?



×

Lajmi i fundit

Operacioni i SPAK, shoqërohet Elvis Ndreca, djali i xhaxhait të deputetit socialit Eduard Ndreca

Operacioni i SPAK, shoqërohet Elvis Ndreca, djali i xhaxhait të deputetit socialit Eduard Ndreca