Gropa e vdekjes në Vlorë, babai:
Burg përgjegjësve ose i varros!

Një gropë e hapur në mes të rrugës, në dalje të qytetit të Vlorës, në drejtim të Orikumit, ku po ndërtohet "Lungomare", u bë shkak për aksidentin mbrëmjen e djeshme, ku humbi jetën 18-vjeçari, Kristo Panajoti.
 
I riu udhëtonte në një automjet "BMW X6", i cili drejtohej nga shoku i tij, Petraq Beja, 21-vjeç.    
 
Shqiptarja.com ka siguruar video dhe fotot të vendit ku ndodhi aksidenti i rëndë.
 
Siç duket edhe nga pamjet, gropa e hapur prej punimeve që po kryhen për ndërtimin e shëtitores, është rreth 3 metra e thellë dhe gati 4 metra e gjerë.
 
Siç edhe vërehet, në rrugë nuk ka tabela sinjalizuese dhe asnjë barrierë tjetër sigurie, pavarësisht se ai segment është pjesë e rrugës kryesore që lidh Vlorën me pjesën tjetër të jugut të vendit.

Jo pa qëllim, të afërm të Kristo Panajotit, pasi vendosën buqeta me lule në vendngjarje, goditën me gurë mjetet e firmës që po kryen punimet në "Lungomare", pasi mungesa e sinjalistikës solli edhe humbjen e jetës së të riut.     

Ndërsa babai i viktimës deklaroi se nëse përgjegjësit nuk do të shkojnë në burg do të bëjë vetëgjyqësi. “Burg përgjegjësve ose do t’i varros aty, aty!

Nga ana tjetër, Policia ka gjetur fajtor për aksidentin, drejtuesin e mjetit BMW X6, shok me viktimën, Petraq Beja, 21-vjeç. Sipas policisë, Beja ka shkelur rregullat e qarkullimit rrugor, pasi ka humbur kontrollin e automjetit dhe për pasojë ka rënë në gropë.

Ndërkohë janë marrë në pyetje përfaqësuesit dhe punonjësit e firmës Nën/Kontraktore "XH.E.M - sh.p.k", e cila kryen punimet për rikonstruksionin e kësaj rruge.

18-vjeçari Kristo Panajoti, u përcoll sot për në banesën e fundit mes lotëve dhe dhimbjes së familjarëve, miqve dhe shokëve të tij. Ai do të prehet në varrezat e fshatit të Dhërmiut. 



gropa ne lungomare
(Familjarët e Kristo Panajotit në vendin e aksidentit)
gropa ne lungomare
(Gropa e hapur në rrugë ku ra automjeti me dy të rinjtë) 

Familjarët lule në vendin e aksidentit, akuza firmës
Edhe familjarët e të riut që humbi jetën kanë bërë përgjegjëse firmën kontraktuese e cila po kryen punimet në "Lungomare". Ata akuzojnë se në rrugë nuk ka asnjë sinjal që të paralajmërojë rrezikun, ndërsa nuk është devijuar as trafiku i automjeteve. Teksa kanë vendosur lule në vendin e aksidentit, të irrituar, familjarët kanë qëlluar me gurë në drejtim të mjeteve të firmës. "Vdekshi", "e provofshi edhe vetë" apo "pse na morët djalin në qafë", ishin thirrjet e familjarëve të Kristi Panajotit, për vdekjen tragjike të të riut.  

18-vjeçari përcillet për në banesën e fundit
Trupi i pajetë i 18 vjeçarit është përcjellë në drejtim të fshatit të Dhërmiut aty ku do të bëhet edhe varrimi. Fillimisht kortezhi mortor ka ndalur në vendin ku u aksidentuan dy të rinjtë dhe për pasojë njëri prej tyre mbeti i vdekur. Me lotë në sy, babai i Kristit bën apel që të vihen përballë drejtësisë shkaktarët dhe kushdo që mund të ketë fajin për këtë aksident. Duke hedhur lule në gropën e madhe ku përfundoi makina, Renato Panajoti babai i viktimës kërkon drejtësi dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes, pasi makina nuk doli nga rruga, por përfundoi në mes të gropës së hapur në mes të rrugës nga firma e punimeve.

Edhe nëna e 17 vjecarit A. Panajoti kërkon apel, drejtësi. Me lotë në sy bëjnë thirrje që sa më shpejt, mbrapa hekurave të vendosen shkaktarët e këtij aksidenti cilido qofshin ata. Ndërkohë pritet zbardhja e plotë e ngjarjes nga prokuria dhe policia dhe dokumentimi i plotë i ngjarjes. 

Aksidenti
Kristo Panajoti, 18-vjeç, nuk i mbijetoi përplasjes së automjetit BMW X6 me skarpatën e gropës së hapur në mes të rrugës. Ai udhëtonte sëbashkë me shokun e tij, Petraq Beja, 21-vjeç, përgjatë shëtitores së Lungomares kur automjeti i tyre ka përfunduar në gropë. Dy të rinjtë u transportuan menjëherë në drejtim të spitalit të Vlorës, por Panajoti nuk i mbijetoi plagëve. Shoku i tij, Petraq Beja, është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa i ka thënë grupit hetimor se në rrugë s'kishte sinjalistikë. 

Kristo Panajoti ishte djali i një biznesmeni të njohur ndërtimi në qytetin e Vlorës. 18-vjeçarit iu dha sot lamtumira e fundit mes dhimbjes së madhe nga familjarë, miq dhe shokë të tij. 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen