Gruaja e drejtorit të SHIU-t
ortake me tregtarë armësh

TIRANE- Ka dashur me shumë marifet të “kamuflojë” faktin se po merret edhe me tregtinë e armëve, por gjithë skema e menduar nga Drejtori i Shërbimit Informativ të Ushtrisë Ylli Zyla, (në foto) duket se është dekonspiruar nëpërmjet dokumenteve zyrtare.

Edhe pas shumë rasteve të denoncuara për skandalin e tregtisë së armëve, konflikti i interesit vazhdon pa asnjë problem në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes. Bashkëshortja e kreut të Shërbimit Informativ Ushtarak Shqiptar Ylli Zyla, është bashkëaksionere me disa tregtarë të licensuar për eksport armatimi në Shqipëri, duke shkelur në mënyrë të hapur ligjin "Për konfliktin e Interesit". Liljana Zyla që prej vitit 2008 është bashkëaksionare në kompaninë "Wind Sun Water Initiative" (WSWI) sëbashku me shtetasit Lorenc Goça dhe Andrzej Izdebeski (shtetas polak) të cilët në të njëjtën ditë që kanë themeluar kompaninë me gruan e shefit të SHIU-t kanë krijuar edhe dy kompani të tjera në Tiranë me objekt aktiviteti tregtinë e materialeve ushtarake dhe armatimit. Deri këtu, me dokumente ndoshta nuk ka asgjë, por vendndodhja e zyrave të kompanisë energjetike dhe kompanisë së armëve në të njëjtin vend, nuk është një koicidencë e rastësishme.

Kompania "WSWI "ku është bashkëaksionare dhe shtetasja Liljana Zyla është krijuar më datën 28 janar të vitit 2011. Ajo ka si objekt të aktivitetit të saj operimin në sektorin energjitik. Por duket se në të njëjtën datë dhe ditë dy ortakët e Zylës Goça dhe Izdebeski kanë shkuar në QKR për të regjistruar dhe dy kompani të tjera, të quajtura UNIMESKO dhe NITRO-CHEM të cilat janë kompani që kanë si objekt të aktivitetit të tyre, tregtinë në sektorin e materialeve ushtarake dhe eksportin e armatimeve. Të dyja këto kompani rezultojnë të licensuara në Ministrinë e Mbrojtjes, ato kanë marrë lejen për të eksportuar armatime.

Lidhjet e kompanive
Në të njëjtën ditë që kanë çelur kompaninë energjitike në bashkëpronësi me bashkëshorten e kreut të SHIU-t dy sipërrmarësit Goça dhe Izdebeski kanë themeluar shoqëritë UNIMESKO dhe NITRO-CHEM. Këto shoqëri janë regjistruar me adresën: "Bulevardi Zhan D'Ark, Kompleksi "MATRIKS", Kati i IV", e cila është ekzaktësisht e njëjta adresë zyrtare dhe e kompanisë tjetër "WSWI" në të cilën është aksionere Liljana Zyla, çka tregon se kompanitë operonin edhe në të njëjtën zyrë. Të treja kompanitë kanë patur edhe të njëjtin numër kontakti telefonik dhe ky numër ekspozohet qartë në të dhënat publike të QKR-së. Shtetasi Lorenc Goça kompaninë NITRO-CHEM e ka themeluar sëbashku me një tjetër shtetas polak, i cili quhet Tomas Ptazinski dhe që kontrollon të gjithë paketën e aksioneve të kësaj kompanie ndërsa Goça rezulton administrator i saj.

Kompania energjitike
Ndërsa Liljana Zyla rezulton aksionere në një kompani energjitike, ortakët e saj në të njëjtën ditë kanë hapur dhe dy kompani të tjera për tregtimin e armatimeve. Por kompania energjitike "Wind Sun Water Initiative" në ndryshim nga kompanitë e tjera energjitike të regjistruara në QKR, nuk ka të deklaruar asnjë aktivitet konkret të ushtrimit të aktivitetit në sektorin energjitik. Kompanitë energjitike rëndom raportojnë në QKR dhe publikojnë më pas vendet e ushtrimit të aktivitetit ose detaje të tjera në lidhje me aktivitetin energjitik. Në tabelën e të dhënave të kësaj kompanie përveç adresës së zyrave qendrore nuk ka të shënuar asnjë filial, apo kantier, apo dhe projekt energjitik në të cilin është fokusuar kjo kompani. "Kompania ka për objekt ndërtimin dhe shfrytëzimin e hidrocentraleve, të të gjitha llojeve dhe fuqive, duke shfrytëzuar energjinë ujore, djellore, termale, sipas dispozitave ligjore të legjislacionit aktual shqiptar. Projektime te te gjiitha llojeve dhe përmasave, ndërtimeve dhe konstruksioneve. Ndërtime civile dhe ekonomike. Ndërtime hidroteknike, hidrocentrale, turbina dhe tregtimi i tyre", shkruhet në përshkrimin e objektit të aktivitetit të kësaj kompanie.

Unimesko, skeda
e pronarëve të armëve

Dy prej ortakëve të Liljana Zylës kanë themeluar të tjera kompani në Shqipëri por edhe jashtë vendit. Andrzej Izdebzki është një biznesmen polak i fokusuar prej vitesh në tregtinë e armatimit. Në një kërkim të thjeshtë në internet mund të zbulosh se kompanitë e krijuara prej tij janë të listuara si kontraktore të hershme të Ministrisë së Mbrojtjes së Polonisë. Në Poloni ai rezulton pronar i të paktën dy kompanive. Kompania e parë e themeluar prej tij është "E%K Spolka" e krijuar që prej fillimit të viteve 90-të dhe e listuar në shumë buletine të Ministrisë së Mbrojtjes polake si kontraktore. Një tjetër kompani e themeluar prej tij është "UNIMESKO Pl" një tjetër kompani e fokusuar në import-eksportin e armatimit, kompani e themeluar në vitet 2000 dhe prej së cilës duket se ka marrë emrin dhe filiali I saj në Tiranë, "Unimesko shpk". Por Izdebski rezulton dhe me një aktivitet të ngjeshur tregtar në Kroaci dhe Slloveni.

Izdebzki
Kompanitë e tij rezultojnë aktive në buletinet informative të biznesit të këtyre dy shteteve, ndërsa Izdebzki rezulton me dy kompani të tjera të themeluara në shtetin Slloven. "Morse sro" është kompania e parë e krijuar në Slloveni prej tij që në vitin 1994, ndërsa kompania tjetër është "Seagle Trade sro" e themeluar në vitin 2001. Pikërisht në këtë kompani të dytë rezulton se Izdebzki është ortak me një shtetas slloven të quajtur Lubomir Hlavac i cili është një ndër sipërrmarësit më të fuqishëm slloven në fushën e armatimeve. Hlavac është pronar ose bashkëpronar i një rrjeti kompanish dhe fabrikash të fokusuara në prodhimin e armatimeve por dhe import-eksportin e tyre.

Goça
Lorenc Goça është një tjetër ortak i bashkëshortes së kreut të Shërbimit Informativ ushtarak. Aktiviteti i tij tregtar fillon ditën kur në Shqipëri shtetasit polakë nisën regjistrimin e tre kompanive të tyre në të njëjtën datë. Lorenc Goça është aksionar në kompanine energjitike "UIND SUN UATER INITIATIVE", ndërsa në kompanitë e tjera UNIMESKO dhe NITRO-CHEM të cilat kanë për objekt tregtinë e armatimeve ai ka vetëm pozicionin e administratorit, pasi paketa e aksioneve të këtyre kompanive kontrollohet prej të njohurve të tij polakë. Duket se Goça në vitin 2011 dhe në vitin 2012 ka nisur të operojë dhe me të tjerë ortakë dhe bashkëpuntorë. Ai rezulton përfaqësues ligjor i kompanisë energjitike "REA" e themeluar në Mars të vitit 2011, e cila është në pronësi të dy shtetasve sllovenë. Ndërsa në Qershor të vitit 2012 ai hyri 20 përqind aksionar në kompaninë e sapothemeluar "DEMIING shpk", duke patur bashkëortakë të tij një shtetas serb të Bosnjes dhe dy shtetas të Kosovës. Edhe kjo kompani ka shpallur si objekt të sajin tregtinë në sektorin energjitik.

(hh/im/sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se Rama e Basha do të bëjnë kompromis për të ardhmen e Shqipërisë?



×

Lajmi i fundit

John

Fatbardh Kadilli: Kemi kryetar, por jo Lider