Gruaja e Fatos Nanos padit
Drejtorinë e Tatimeve: Më vodhën

Gruaja e Fatos Nanos padit <br />Drejtorinë e Tatimeve: Më vodhën
TIRANE - Kompania që zotërohet në masën 100 për qind nga Xhoana Nano, bashkëshortja e ish-kryeministrit dhe ish-kreut të Partisë Socialiste Fatos Nano, ka paditur në gjyq Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, drejtorinë rajonale dhe atë të apelimit tatimor, për shkak se nuk i kthejnë një shumë prej 12 milionë lekësh të vjetra, që, sipas saj, është pjesë e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar që duhet të rimbursohet, sipas ligjit në fuqi.

Por, administrata fiskale ka refuzuar t’ia njohë këtë të drejtë. Joy Travel është një kompani që ushtron aktivitet në fushën e turizmit dhe hotelerisë e udhëtimeve, transport urban, interurban dhe ndërkombëtar të personave dhe mallrave. Ajo ka agjenci transporti ndërkombëtar udhëtarësh dhe ushtron veprimtarinë e saj brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, në fushën e import-eksportit me shumicë e pakicë, të mallrave industriale, ushqimore, konfeksioneve, etj. E regjistruar në janar të vitit 2001 si aktivitet biznesi, ajo ka aktualisht të deklaruar në shtet një kapital prej 32.8 milionë lekësh (235 mijë euro).

Si çdo biznes i madh, kompania është e detyruar të derdhë në shtet TVSH-në, tatim, nga i cili i kthehet pjesa që paguhet nga konsumatori fundor, psh klientët e autobusave, të cilës kompanitë e paguajnë paradhënie në Tatime.

Fakti që puna ka shkuar deri në gjyq nuk është aq domethënës për sasinë e shumës që pretendohet, se sa për personin që është pronar i biznesit. 12 milionë lekë të vjetra nuk e pasurojnë as zonjën Nano dhe as ministrinë e Bodes, por bën përshtypje fakti që, edhe pse i është nënshtruar procesit të apelimit në Drejtorinë e përgjithshme të Tatimeve, detyrimi nuk është pranuar të eliminohet, pra institucioni ka vijuar t'ia mbajë një shumë të tillë kompanisë, si shifër që nuk mbulohet nga rregullat e rimbursimit. Në këtë mes, nuk ka luajtur aspak rol fakti që pronarja është bashkëshortja e një personi VIP të politikës shqiptare, i cili, për më tepër, ka qenë të paktën dy herë pranë marrjes së postit të kreut të shtetit.

Por, një gjë e tillë ka ndodhur muaj më parë dhe, me sa duket, fakti që Nano është kthyer në një qytetar të zakonshëm ka bërë që tatimorët të jenë të paepur ndaj detyrimit të tij të pretenduar ndaj shtetit. Çështja civile gjyqësore është regjistruar në datë 1 nëntor të këtij viti, disa muaj pas largimit të mundësisë që Fatos Nano të zgjidhej president i Republikës.

Paditësja ka kërkuar në gjyq konstatimin e pavlefshmërisë absolute te shkresës nr. prot 36968/1, date 13.07.2012 te Drejtorisë Rajonale Tiranë dhe të shkresës me nr. prot 65746/1, datë 21.09.2012. Po kështu, ajo kërkon pavlefshmëri edhe të vendimit të Drejtorisë së Apelimit Tiranë të datës 17 tetor 2012. Si përfundim, Joy Travel kërkon që t'i kthehet nga tatimorët shuma prej 1.221.990 lekësh si pjesë e TVSH-së të rimbursueshme, mbajtur padrejtësisht.
Seanca e ardhshme do të zhvillohet më datë 7 dhjetor.

DETYRIMET

Ka një numër të konsiderueshëm të proceseve civile në Gjykatën e Tiranës, ku kërkohet shfuqizimi apo ndryshimi i akteve administrative, të lëshuara nga drejtoritë rajonale tatimore, që janë ankimuar pa sukses edhe në drejtorinë e Apelit pranë Drejtorisë së përgjithshme të Tatimeve.

Këtu bie në sy gjyqi civil i shoqërisë italiane Technimont, që, ndërkohë, ka çuar në arbitrazh shteti shqiptar për një dëmshpërblim 70 mln euro për TEC-in e Vlorës, apo kompania Interalbanian e sigurimeve, edhe kjo me pronarë austriakë.

Me pronar austriak është edhe kompania VIP Devolli Hydropower, që ka marrë licencë për ndërtimin e HEC-eve në kaskadën e këtij lumi, me një përkrahje të dukshme nga ana e kryeministrit Berisha, por edhe kjo kërkon shfuqizim të akteve të Tatimeve dhe kthim të TVSH-së, që i është mbajtur pa të drejtë.

Rezultatet e të ardhurave buxhetore do të kishin qenë shumë më të ulta, se ato që janë paraqitur publikisht për 10-mujorin, në rast se shteti do të kryejë detyrimet e veta ligjore për rimbursimin e TVSH-së ndaj biznesit, apo pagesën e rreth 200 milionë eurove që u detyrohet ende, për punë të kryera, kompanive të ndërtimit të infrastrukturës.

Zvarritja e gjyqeve apo këmbëngulja për të mos rimbursuar TVSH-në edhe për VIP-a si kompanitë e sipërpërmendura, duke nisur nga ajo e Xhoana Nanos, me influencën e padiskutueshme në qeveri, tregojnë se punët me arkën e shtetit shkojnë shumë më keq se sa thuhet.

Shkrimi u botua sot në gazetën SHQIPTARJA.com
(eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?