LEZHE- Pas deklaratave të bashkëshortit të 46-vjeçares së gjetur e vdekur në bodrumin e një pallati në Lezhë, se policia e Lezhës ka trilluar ngjarjen duke fshehur të vërtetën, ka reaguar kjo e fundit. Në një deklaratë për shtyp, policia e Lezhës sqaron se nga ekspertiza mjeko-ligjore që i është bërë kufomës, rezulton se ajo ka humbur jetën brenda 72-orëve nga momenti kur është gjetur e pajetë.
 
Sipas bluve të Lezhës as bashkëshorti dhe asnjë nga familjarët e viktimës nuk janë paraqitur në polici që të bëjnë kallëzim.
 
“Në lidhje me vdekjen aksidentale të shtetases L. B, Policia e Lezhës sqaron opinionin publik se: Rreth orës 10:00, të datës 02.11.2014, pas një telefonate të bërë nga banorë të pallatit , Policia ka gjetur trupin e pajetë të kësaj shtetase tek pallati i banimit tek vendi i quajtur “NET CENTER” tek një depozitë ku kalojnë tubat e ujësjellësit të ndërtesës, në katin përdhe ne bodrum ngjitur me ashensorin.
 
Policia e Lezhës në njoftimin e saj për shtyp ka njoftuar se ngjarja është aksidentale dhe se viktima nuk ka shenja dhune dhe dyshohet se viktima ka humbur jetën brenda 72 orëve, kjo është vërtetuar nga ekspertiza mjeko ligjore që i është bërë kufomës.
 
Pretendimi i bërë nga ana e bashkëshortit te viktimës se Policia e Lezhës nuk më ka lejuar që të bëj kallëzim për vdekjen e bashkëshortes nuk qëndron, pasi as bashkëshorti dhe asnjë nga familjarët e viktimës nuk është paraqitur në polici që të bëjë kallëzim.
 
Sqarojmë opinionin se Policia e Lezhës në lidhje me ngjarjen ka kryer te gjitha veprimet procedurale dhe materialet i janë dërguar Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e Policisë së Lezhës.

Redaksia Online
(shqiptarja.com)