LUSHNJE - Burbuqe Hoxha, bashkëshortja e mësuesit të arrestuar për abuzim me nxënësen e tij 12-vjeçare, ndodhet në një gjendje shoku. Në një prononcim për A1Report ajo ka pranuar të flasë për këtë ngjarje, ku shprehet se të gjithçka e ka mësuar nga mediat dhe ende nuk arrin të besojë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. 

Bashkëshortja e 62-vjeçarit Demir Hoxha rrëfen se ditën e arrestimit burri i saj ishte duke punuar tek toka, kur në banesë mbërritën efektivët e policisë. Sipas saj ata e morën bashkëshortin dhe nuk i treguan asgjë për arsyen e këtij veprimi. 

Burbuqe Hoxha i bën thirrje organeve kompentente që t’i mundësojnë një takim me bashkëshortin e saj në ambientet e qelisë për të sqaruar këtë çështje me Demir Hoxhën. 

“Nëse gjithçka është e vërtetë atëherë ai duhet të marrë dënimin e merituar, por nëse ky skandal nuk është i vërtetë, atëherë drejtësia të vihet në vend”, thotë ajo. 

Ndërsa 62-vjeçari u arrestua një ditë më parë pas denoncimit të prindërve të të miturës 12-vjeçare, masa ndaj tij pritet të jepet pas 72 orëve.

Redaksia Online
(Gre.M/ Shqiptarja.com)