Në Shqipërinë e harmonisë unike fetare, Krishtlindja nuk fton në festë e lutje vetëm besimtarët e krishterë të cilët janë praktikantë të besimit. Pranvera është ortodokse nga e ëma. Thotë se nuk është praktikante, por në kishë, në këtë ditë të shënjuar, shpreson të gjejë atë që thotë se po i mungon prej kohësh, jo vetëm asaj, por gjithë shoqërisë: Vëmendja dhe ngrohtësia njerëzore!
Dikur mësuese muzike, tani në pension dhe në karrocë me rrota pas një aksidenti fatkeq 5 vite më parë, Pranvera jeton vetëm me motrën e saj. Të dyja iu bashkuan meshës së Krishtlindjes në Katedralen Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.
Në përballimin e vështirësive me të cilat e ka përballur jeta, ndihet e vetme, pa përkrahjen e njerëzve të dashur apo të shtetit.
“Vetëm pensionin kam. Të ardhura s’kemi. Shkuam në spital dhe na thanë: ne nuk japim. Nuk ia dalim. Ilaçet, doktori… Tani lum ai që është doktor. Me këtë pension 25 mijë lekë... I vijmë rrotull atij pensioni.”, - thotë Pranvera Balluku për "Report TV".
Ajo ndien mungesën e interesit nga shoqëria dhe të afërmit.
“Shoqet e mia, farefisi të pyesin si jam, si s’jam. Kaq. Shoqëria ka hallet e veta, por se të vjen një shoqe në shtëpi nuk është keq.”, - vijon Balluku.
Pa u mbështetur në të mirat materiale, me ndjenjën e mallit për të afërmit dhe shoqërinë, dritën e shpresës për jetën Pranvera Balluku thotë se e gjen te shpirtërorja.
“Ishallah na ndihmon Kisha. Tani shpresën në Zot e kena! Financiarisht, jo, s’të jep njeri, por të paktën të pyesin si je, si shkon.", - vëren ajo.
Megjithë dredhitë që jeta i ka bërë, Pranvera dëshiron të besojë te mrekullitë.
"Ishallah më sjell mua njëherë shëndetin.”, - thekson ajo.
Kam tezen me 103 mij lek pension e vetme femi nuk ka burri i ka vdek
Përgjigju