Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski thotë se nuk ka asgjë kundër apo pro, përfshirjes së ekspertëve të FBI-së në rastin “Monstra”. Kreu i Qeverisë së Maqedonisë  tha se për këtë çështje ka diskutuar me liderin e BDI-së Ali Ahmeti, por se vendimin final e jep Këshilli Gjyqësor dhe jo ai.

“Pra, për përfshirjen e cilitdo qoftë jashtë kufijve të Maqedonisë mund të vendosë vetëm gjykata. Nuk mund të vendosë as Nikola Gruveski e askush tjetër. E vërtet është se gjatë bisedave, ai ma ka përmendur. Mbetet që gjykata të marrë vendim nëse do ta pranojë ose jo përfshirjen e shërbimeve të tjera nga shtete të tjera. Gjithashtu, çështja është se, a do të duan ato shërbime të vijnë dhe të pranojnë një gjë të tillë. Megjithatë, kjo është punë e  gjykatës, në këtë rast vendim i Gjykatës së Apelit dhe vetëm me vendimin e kësaj gjykate mund të thirret ose të pranohet dikush. Unë personalisht, gjithçka që do të miratojë ose pranojë gjykata, nuk kam zgjidhje tjetër, ose nuk do të doja të përzihemi”, deklaroi Gruevski.

Bisedën mes Gruevskit dhe Ahmetit, për përfshirjen e ekspertëve të FBI-së, e bëri të ditur vetë kreu i BDI-së Ameti, për gazetat maqedonase pak javë më parë.  Ahmeti ka thënë disa herë tashmë se rasti “Monstra” duhet të ishte më transparent, madje gjyqësori në Maqedoni sipas tij, është ende selektiv.



Redaksia online
(g.f/shqiptarja.com)