TIRANË- Një ditë pas sulmit nga grupi i hackerave iranianë “Homeland Justice”, qeveria thotë se shërbimet e Postës Shqiptare vijojnë normalisht. Ministri Ervin Demo, pas mbledhjes së qeverisë tha se ekspertët e Postës Shqiptare në bashkëpunim me AKSHI-n po bëjnë një analizë, por deri më tani nuk janë në dijeni grupi iranian të ketë marrë të dhëna të rëndësishme dhe se shërbimet e postës kanë akses të plotë në to.
“Është duke u zhvilluar një analizë nga AKSHI dhe ekspertët e postës shqiptare. Të gjitha shërbimet vazhdojnë normalisht. Nuk ka të dhëna, deri më tani, që ka informacione të enkriptuara të cilat janë të paaksesushme nga posta. Por, duhet të presim raportin e institucioneve për sa i përket asaj çfarë ka ndodhur brenda postës. Ajo çfarë dua të nënvizoj është që autoriteti i luftës kibernetike i ka kapacitetet dhe i rrit garancitë dita-ditës sa i përket integritetit të të dhënave publike të institucioneve shqiptare. Jo të gjithë institucionet janë të përfshirë në ombrellën e kësaj mbrojtje”, tha Demo.
Sulmi në shërbimet e Postës Shqiptare nga grupi i hackerave iranianë vjen pas sulmit ndaj faqes së Kuvendit të Shqipërisë dhe në një kohë kur vendi ynë është rreshtuar krah SHBA dhe Izraelit pas sulmeve që nisën në Iran. Në postimin e grupit iranian, pasi sulmit kibernetik, thuhej se "zyrtarët e Postës Shqiptare janë shndërruar në shërbëtorë dhe skllevër të terroristëve të Kampit Ashraf 3 për disa muaj".
Shqipëria e ka shpallur Iranin shtet financues të terrorizmit, ndërsa Kuvendi i ka kërkuar qeverisë që të shpallë organizata terroriste Gardën Revcolucionare dhe Hezbollahun.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike thotë se asnjë e dhënë nuk është fshirë nga sulmi kibernetik që ndërmoi grupi iranian ndaj Postës Shqiptare. Në reagim thuhet se shërbimet vijojnë normalisht dhe se një grup pune është ngritur menjëherë për një analizë.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike sqaron se në kuadër të masave parandaluese dhe për të mundësuar një analizë të plotë teknike, disa shërbime janë vendosur përkohësisht jashtë funksioni nga vetë Posta Shqiptare.
Reagim mbi incidentin kibernetik ndaj Postës Shqiptare
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike informon opinionin publik se, më datë 25 mars 2026, është konstatuar një incident kibernetik që ka prekur infrastrukturën e teknologjisë së informacionit të Postës Shqiptare. Bazuar në vlerësimin paraprak, nuk janë identifikuar të dhëna të enkriptuara apo të fshira, si dhe nuk janë konstatuar ndërprerje të shërbimeve si pasojë direkte e këtij incidenti.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, AKSK ka ndërmarrë të gjitha hapat e parashikuara nga procedurat operative të reagimit ndaj incidenteve, duke ngritur një grup të dedikuar pune, i përbërë nga ekspertë të sigurisë kibernetike. Ky grup ka nisur menjëherë punën në bashkëpunim të ngushtë me stafin teknik të Postës Shqiptare për:
* analizimin e thelluar të incidentit dhe verifikimin e çdo komprometimi të mundshëm;
* identifikimin e indikatorëve të komprometimit (IOC);
* analizën e log-eve dhe event-eve në sistemet kritike;
* izolimin dhe sigurimin e sistemeve, me qëllim parandalimin e çdo ndikimi të mëtejshëm.
Në kuadër të masave parandaluese dhe për të mundësuar një analizë të plotë teknike, disa shërbime janë vendosur përkohësisht jashtë funksioni nga vetë Posta Shqiptare, me rekomandim të Autoritetit. Aktualisht, të gjitha shërbimet publike janë rikthyer dhe janë funksionale për publikun.
Ndërkohë, në burime të hapura janë publikuar disa të dhëna të dyshuara si të eksfiltruara, të cilat po verifikohen për autenticitetin dhe burimin e tyre. Deri në këtë moment, sasia e të dhënave të mundshme të ekspozuara vlerësohet e kufizuar.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dënon çdo akt që cënon infrastrukturat kritike të informacionit dhe mbetet i përkushtuar në garantimin e integritetit, konfidencialitetit dhe disponueshmërisë së sistemeve të teknologjisë së informacionit në Republikën e Shqipërisë.
AKSK do të vijojë të informojë publikun në mënyrë transparente mbi zhvillimet e mëtejshme dhe do të publikojë një raport përfundimtar pas përmbylljes së analizës.
Për çdo informacion zyrtar, qytetarët dhe mediat ftohen t’u referohen vetëm kanaleve zyrtare të AKSK.
Komente










