Ndërsa opozita akuzon Policinë për dhunë ndaj protestuesve gjatë ngjarjeve të së martës, socialistët i janë përgjigjur duke rikthyer në vëmendje masakrën e 21 Janarin, kur gjatë protestës së opozitës së kohës u vranë katër qytetarë të pafajshëm.

Ky është kontrasti që dominoi debatin e sotëm  në Komisionin për Nismat Qytetare, ku Ivi Kaso këmbënguli se përgjegjësia bie mbi Policinë dhe për këtë arsye kërkoi thirrjen në seancë të ministrit të Brendshëm, ndërsa Fatmir Xhafaj argumentoi se e drejta për të protestuar nuk mund të përdoret për të justifikuar sulmet ndaj institucioneve dhe forcave të rendit.

"Sot Shqipëria, Tirana është gdhirë e plagosur, sepse janë plagosur ata që janë shpresa e këtij vendi dhe emblema e qytetërimit tonë, e jona në veçanti, studentët. Për fat të keq, kemi asistuar në skena që asnjëri prej nesh nuk do të donte t'i kishte parë. Na kujtojnë protestat studentore të viteve '90. Madje, edhe atëherë, kur u përmbys një regjim, dhuna e ushtruar ndaj studentëve nuk ka qenë kaq e egër, kaq gratis. Kanë me qëllim t'i frikësojnë, në mënyrë që të mos guxojnë të dalin sot.  Jam i qartë për misionin e Policisë së Shtetit për mbrojtjen e institucioneve, por misioni kryesor është mbrojtja e jetës së qytetarëve. Nuk mund të mbivendoset ky mision me misionin tjetër për të ruajtur fasadën e disa institucioneve që, për fat të keq, janë bërë fasada e një regjimi të kalbur e të korruptuar. Unë kërkoj që ky komision të përmbysë rendin e ditës, të thërrasë ministrin e Brendshëm dhe të marrë shpjegime se kush ishin urdhëruesit e dhunës ndaj studentëve dhe përgjegjësia që fillon nga ministri e deri te polici i fundit që ka ushtruar dhunë ndaj studentëve dhe të moshuarve" tha Kaso. 

Fatmir Xhafaj e kundërshtoi këtë krahasim, duke i kujtuar Kasos masakrën e 21 janarit kur në bulevard u vranë Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj 

 "Ka mbi 100 ditë që protestohet në Tiranë dhe sjellja e shtetit dhe policisë ka qenë korrekte. Kam qenë vetë protestues, siç tentuat ju të ishit dje, dhe e kam provuar edhe kundërshtimin e policisë mbi kurriz. Nuk kam pranuar që janë vrarë 4 njerëz në një protestë të lirë qytetare. Ke të drejtë të protestosh, por, po e tejkalove, do të përgjigjet policia. Natyrisht, unë besoj se, sikurse duhet të mbrojmë fort të drejtën dhe lirinë e protestës, të drejtën kushtetuese të qytetarëve, nga ana tjetër nuk duhet të mbrojmë dhe të përkrahim dhunën ndaj institucioneve, ndaj policisë. Sepse tejkalon kufijtë e lirisë së protestës. Ju kërkojmë që të mos inspironi atë që ka të bëjë me dhunën" tha ai. 

Xhafo theksoi se protestat janë një e drejtë kushtetuese por nga ana tjetër aktet e dhunës ndaj policisë duhen dënuar dhe jo inspiruar. 

"Protesta është e drejtë kushtetuese, bën pjesë në rrethin e të drejtave themelore të qytetarëve. Duhet të ndajmë të njëjtën qasje edhe për faktin që protesta e dhunshme është e dënueshme. Dhuna nuk mund të tolerohet. Është e vërtetë që mund të ketë raste të tejkalimit të përdorimit të forcës nga policia. Një rast konkret që ka ndodhur është i papranueshëm. Policia ka pezulluar oficerët dhe ka nisur hetim të brendshëm dhe sipas ligjit të policisë. Ke të drejtë të protestosh, por, po e tejkalove, do të përgjigjet policia. Natyrisht, unë besoj se, sikurse duhet të mbrojmë fort të drejtën dhe lirinë e protestës, të drejtën kushtetuese të qytetarëve, nga ana tjetër nuk duhet të mbrojmë dhe të përkrahim dhunën ndaj institucioneve, ndaj policisë. Sepse tejkalon kufijtë e lirisë së protestës. Ju kërkojmë që të mos inspironi atë që ka të bëjë me dhunën." tha Xhafaj .