TIRANE- Katër personat e arrestuar për “Trafikim të lëndëve plasëse” kanë pranuar në gjykatë se kryenin tregtinë e tritolit me celularë, në mënyrë që të nxirnin të ardhura financiare, pasi nuk kishin mundësi tjetër punësimi. Ndryshe nga sa kishin deklaruar në bisedat e përgjuara, mes tyre dhe agjentit të infiltruar të policisë, që ishin të gatshëm të vendosnin dhe lëndë eksplozive në shtylla, automjete dhe komisariate, kundrejt pagesës, këtë fakt katër të arrestuarit Dritan Dauti, Dashnor Dumani, Asllan Plaku dhe Bledar Plaku e kanë kundërshtuar në gjykatë.

Sipas deklarimeve të të ndaluarve asnjëri nuk ka ndërmarë veprime të tilla kriminale, por nga ana tjetër prokurori Përparim Kulluri deklaroi se thënien e të ndaluarve duhet kohë që të verifikohen nëse qëndrojnë ose jo. Në fund të seancës gjyqësore Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur të pranojë kërkesën e prokurorit, duke lënë në masën e “arrestit në burg” katër të arrestuarit e mësipërm.

16 mijë euro borxh
Nga përgjimet e prokurorisë janë zbardhur disa biseda telefonike ku tregohet se të arrestuarit hyjnë në komunikim me një agjent policie, i cili interesohet për të blerë lëndë eksplozive me celularë. Sipas informacioneve të grumbulluara shtetasi Dritan Dauti në bashkëpunim me shtetas të tjerë ka vendosur edhe herë të tjera, lëndë plasëse në zonën e Fushë-Krujës dhe Krujës në objekte të ndryshme. Ky shtetas ka ndërruar edhe emrin nga Dritan në Febjus.

Nga ana e policisë gjyqësore është bërë e mundur rregjistrimi i një bisede, ndërmjet një bashkëpuntori të policisë dhe shtetasit Febjus Dauti, ku ky i fundit thotë se ai bashkë me 3-4 shokë të tij mund të vendosin eksplozivë me porosi në vende të ndryshme si makina, komisariate policie, shtylla të tensionit të lartë apo kudo që të bëhet porosi kundrejt shpërblimit me para. Ky shtetas thekson vetëm që pjesa e shpërblimit me para të jetë korrekte dhe në kohë pasi kur e ka bërë edhe herë të tjera këtë punë, personat që e kanë porositur i kanë mbetur borxh një shumë prej 16 mijë euro. Ndër të tjera ai i thotë burimit se mjafton të thotë se ku dëshiron që të vendoset lënda eksplozive dhe ai do ti thotë cmimin dhe më pas e vendos atë. Gjithashtu ai mund të vendosë lëndën shpërthyese edhe duke e telekomanduar nga distanca.

Arrestimi i autorëve
Personi i cili ka kryer bisedën me të dyshuarin është i gatshëm që të bëjë një marrëveshje me oficerin për të realizar një blerje të stimuluar lëndë eksplozive nga subjekti i dyshuar. Për interesa të këtij hetimi është autorizuar me vendim të prokurorit veprimi stimulues, blerja nga personi i autorizuar të minave me eksploziv nga i dyshuari. Në zbatim të këtij autorizimi si dhe në ndjekje të të dhënave të përfituara nga përgjimet telefonike në datë 17 janar 2015 në orën 16:20 në autostradën Durrës-Tiranë, në zonën në afërsi të mbikalimit për këmbësor në Shën Vlash, u konstatuan shtetasi Febjus Dauti, një person tjetër rreth moshës 30-vjeç, i cili mbante në dorë një qese të kuqe.

Në këto moment kanë ndërhyrë oficerët e policisë, të cilët kapën në duart e tij tre kallëpe, në trajtë cilindrike, me përmasa të ndryshme, të mbështjellë me natriban të zi, me dy fije të dala nga pjesa e trupit. Këto materiale dyshohet se janë lëndë shpërthyese e llojit eksploziv C4. Në momentet e këmbimit të lëndës plasëse kanë qenë të pranishëm dhe janë kapur nga policia edhe shtetasit e dyshuar Dashnor Dumani, Bledar Plaku e Asllan Plaku. Sa më sipër është kryer arrestimi në flagrancë i shtetasve, si persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “trafikimit të lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive”.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 21 janar 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)