Gruri mbetet stok, “shpresa” te lufta

Gruri mbetet stok, “shpresa” te  lufta

Me mijëra tonë grurë i prodhuar nga fermerët e Lushnjës pritet të magazinohen, pasi mungon tregu i shitjeve. Çmimi është nën kosto. Të nxitur nga subvencionet e shtetit dhe çmimi i lartë, të mbjellat në total sipas Ministrisë së Bujqësisë u rritën 4,5%. Ministria e Bujqësisë shikon si zgjidhje të shpejtë të situatës rritjen e çmimit të grurit në bursat e huaja, për shkak të tërheqjes së Rusisë nga marrëveshja e Detit të Zi, pasi çmimi i ri do të reflektohet automakisht edhe në tregun vendas.

Nëse të rastis të udhëtosh në këto ditë të nxehta përvëluese përgjatë autostradës së Lushnjës, në krah të saj nëpër ara vëren grumbuj masivë me grurë, të ngjashëm me dunat e rërës së shkretëtirës.

Grumbujt e mëdhenj me grurë janë lënë nëpër ara nga fermerët, pasi mungon tregu i shitjes. Çmimi i kërkuar sivjet është 50% më pak se ai i vitit të mëparshëm, gjë që automatikisht sjell mijëra euro humbje për fermerët.

Në fshatin Plug të Lushnjës janë të shumtë fermerët që vuajnë problematikën e mosshitjes së grurit. Të nxitur nga subvencionet e Ministrisë së Bujqësisë dhe çmimi i lartë i grurit, për shkak të luftës në Ukrainë, shumë fermerë në fshatrat e Lushnjës dhe të Korçës shtuan të mbjellat me grurë.

 Met Salliu, i cili bën pjesë në grupin e fermerëve që kanë mbjellë sasi të madhe me grurë, prej gati dy javësh pas përfundimit të sezonit të korrjes dhe shirjes mban të grumbulluar në arë 520 tonë grurë të pashitur

 Z. Salliu pohon se gruri i është kërkuar me çmim 25 deri në 27 lekë për kg dhe nëse e shet me këtë çmim, humbjet arrijnë deri në 40 mijë euro.

 Ai thotë i shqetësuar se deri tani nuk ka shitur asnjë kilogram grurë, ndërsa me laps e me letër bën llogaritë e shpenzimeve dhe humbjeve që do të ketë, nëse e shet grurin me çmimin aktual të tregut. Ai shtoi 40% të mbjellat me grurë për këtë vit.

 “Kostoja e prodhimit të grurit këtë vit ka qenë shumë e shtrenjtë dhe kjo për shkak të çmimeve të shtrenjta të naftës dhe plehrave të tokës. Në total kam shpenzuar 18 milionë lekë për 100 ha grurë të mbjellë.

 Gruri u mboll kur çmimi i naftës kushtonte 240 lekë për litër, DAPI (plehu bazë për plehërimin e tokës) kushtonte 13,500 lekë për kv, fara e mbjelljes u ble me çmim 12,000 lekë për kv.

 Kostoja e qirasë të tokës arrin 30,00 lekë në vit për ha. Me këtë kosto shpenzimesh, nëse e shes grurin 25 apo 27 lekë për kg, humbas direkt 40,000 euro. Zgjidhja e vetme është që grurin ta magazinoj deri në pritje të rritjes së çmimit. Të paktën të arrijë 35 lekë për kg”.

 Fermeri nga Lushnja thotë se e gjithë kjo situatë e ka demotivuar, për të shtuar të mbjellat me grurë vitin e ardhshëm dhe se do të shohë si zgjidhje largimin në emigracion.

 Ai kërkon ndërhyrjen e institucioneve shtetërore për zgjidhjen e problematikës, ndërsa shton se deri tani, asnjë nga kompanitë e blojës nuk është afruar për blerjen e grurit.

 Ndihma e përfituar nga Ministria e Bujqësisë zë 3% të shpenzimeve për mbjelljen e grurit, duke përfshirë përfitimin e 960 litrave naftë me vlerë 17,000 lekë dhe subvencionin direkt prej 30,000 lekësh vetëm për 10 ha tokë të mbjellë me grurë (në total nga subvencionet përfitoi 300 mijë lekë.

 Për pjesën tjetër të ngastrave nuk përfitoi subvencion direkt nga Ministria e Bujqësisë, pasi pronat i zotëron me kontratë qiraje dhe pronarët janë larguar prej vitesh në emigracion. Kjo situatë e penalizoi për aplikimin).

 Situata është e ngjashme edhe për një tjetër fermer me të cilin biseduam në fshatin Plug të Lushnjës. Gramoz Hida, prej 10 ditësh, mban të mbuluar me plastmasë në arë 60 tonë grurë, pasi mungon tregu i shitjes.

 “Çmimi i grurit është shumë i ulët, nuk na leverdis ta shesim me këtë çmim, kur kostot e mbjelljes kanë qenë shumë të shtrenjta, për shkak të çmimit të lartë të farës, plehrave dhe naftës. Duhet të gjendet një zgjidhje për ne.

 Nuk mund ta lëmë grurin pafundësisht në arë. Do të jemi të detyruar ta magazinojmë deri sa çmimi të rritet”, pohon z. Hida, i cili për këtë vit ka kultivuar 27 ha grurë.

 Çmimi nën kosto është problematikë edhe për fermerët e Korçës. Në zonën e Pojanit, sipas agronomit Nevion Telha, gruri po kërkohet me çmim 25 lekë për kg.

 Në Korçë, një nga zonat me kultivim të lartë të grurit, sipas agronomit Telha, në shtëpitë e fermerëve ka ende grurë të pashitur të prodhuar nga sezoni i mbjelljeve të vitit 2021. Edhe fermerët e Lushnjës kanë grurë të pashitur nga sezoni i vjetshëm.

 Nga fabrikat e përpunimit, sasia e blerë e produktit vendas është shumë e ulët. Kryetari i Shoqatës së Përpunuesve të Miellit, Adi Haxhiymeri, pohoi më herët për “Monitor” se arsyeja e mosfurnizimit me sasi të lartë të grurit vendas është se nuk garantohet cilësia.

 Sipas tij, mungesa e cilësisë është ndikuar nga kushtet klimatike dhe shirat e shumta këtë vit para sezonit të korrjes. Në lidhje me çmimin e ulët të shitjes që po u ofrohet fermerëve, z. Haxhiymeri argumentoi se është i njëjtë me nivelin e çmimit të grurit në bursat e huaja.

 Në 20-ditëshin e parë të muajit korrik, çmimi i grurit në bursë ka variuar nga 227 deri në 240 USD për ton. Pas datës 20 korrik, çmimi i grurit në bursë ka shënuar tendencë në rritje. Në ditët e fundit të muajit korrik, çmimi i grurit ka arritur pikun më të lartë në vlerën e 256 USD për ton, rreth 18,5% më i lartë se periudha e fillimit të muajit korrik.

 Çmimet e grurit u rritën më 20 korrik 2022, pasi Rusia kërcënoi tërheqjen nga marrëveshja e Detit të Zi dhe se do t’i trajtonte anijet që nisen për në portet e Ukrainës si transportues mallrash ushtarake, duke thelluar frikën për një krizë globale të sigurisë ushqimore, sipas përfaqësuesve të OKB-së dhe Bashkimit Europian.

 Ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar tha se dalja e Rusisë nga marrëveshja që lejonte eksportet e grurit nga Ukraina përmes Detit të Zi mund të rrisë çmimet globale të grurit me 10-15%.

 Rusia kishte kërcënuar më parë se do të tërhiqej nga marrëveshja, duke u ankuar për një marrëveshje të lidhur me OKB-në për të lehtësuar dërgesat e grurit dhe plehrave ruse. Marrëveshja e grurit u nënshkrua fillimisht në korrik 2022 dhe do të përfundonte më 18 maj 2023, por zyrtarët e Ukrainës dhe Rusisë ranë dakord për rinovimin.

 Ukraina dhe Rusia së bashku përbëjnë gati një të tretën e eksporteve globale të grurit, sipas Gro Intelligence, një firmë e të dhënave bujqësore. Ata janë gjithashtu ndër tre eksportuesit kryesorë globalë të elbit, misrit dhe vajit të lulediellit.

 Pas fillimit të luftës në Ukrainë në shkurt të vitit të kaluar, Moska bllokoi dërgesat e rëndësishme të grurit nga portet e vendit të Detit të Zi. Kjo do të thoshte se miliona tonë drithëra të rajonit shkuan pa u dorëzuar në shumë vende që mbështeten në të.

 Pavarësisht se çmimet e drithërave në bursa prej disa muajsh vijuan tendencën e rënies, edhe importuesit vendas parashikojnë rritje të çmimit të tij e ndikuar nga thatësira e pazakontë në stinën e pranverës në Spanjë, duke i dëmtuar jo vetëm të mbjellat me grurë, por edhe të ullirit.

 Masat e Ministrisë së Bujqësisë

 Për shkak të rritjes së lartë të çmimit të drithërave vitin e kaluar në tregjet e huaja të ndikuara nga lufta Rusi-Ukrainë, Ministria e Bujqësisë nxiti fermerët me subvencione direkte në vlerën e 30 mijë lekëve për hektar për shtimin e sipërfaqeve të mbjella.

 Kujtojmë gjithashtu se në kulmin e krizës së çmimeve, qeveria hoqi tërësisht lehtësitë fiskale për sektorin në fillim të vitit 2020, duke sjellë për pasojë që shumë fermerë të braktisin tokat për shkak të kostove të larta të lëndëve të para. Heqja e skemës së TVSH-së së rimbursueshme apo edhe rikthimi i TVSH tek inputet bujqësore (prej vitit 2018, TVSH tek inputet bujqësore ishte zero) u zëvendësuan me skemat e subvencioneve direkte.

 Por kur e gjithë kjo mbështetje rrezikohej të kthehej në bumerang, pasi çmimi i grurit në bursat e huaja filloi uljen e çmimit nën koston e prodhimit, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në një takim të zhvilluar me kompanitë e blojës, u kërkoi atyre që të blejnë grurin vendas, si zgjedhjen primare të lëndës së parë për fabrikat e tyre të blojës së miellit dhe prodhimit të bukës.

 “Kemi rënë dakord së bashku që, prioritet në këtë sezon të korrjeve të grurit do t’i japim mbështetje prodhimit vendas dhe fermerëve tanë, të cilët na kanë dëgjuar dhe janë orientuar drejt prodhimit të grurit gjatë sezonit të kaluar”, pohoi më herët ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca.

 Tashmë kur sasia e grurit vendas të grumbulluar nga kompanitë e blojës është shumë e ulët, Ministria e Bujqësisë shikon si zgjidhje të shpejtë të situatës për fermerët shqiptarë rritjen e çmimit të grurit në bursat e huaja, për shkak të rrezikut të tërheqjes së Rusisë nga marrëveshja e Detit të Zi. 

Drejtori i Përgjithshëm i Politikave dhe Programeve të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore dhe Zhvillimit Rural, Irfan Tarelli, tha për “Monitor” se institucionet shtetërore janë duke monitoruar ccdo ditë situatën për ecurinë e çmimeve të grurit në tregun vendas dhe veçanërisht në bursat e huaja. 

Z. Tarelli theksoi se për shkak të tërheqjes së Rusisë nga marrëveshja e Detit të Zi, prej 20 korrikut çmimet e grurit në tregjet e huaja kanë shënuar tendencë në rritje, e cila automatikisht do të reflektohet edhe në tregun vendas.

 Z. Tarelli pohoi se nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural paralelisht nuk mungon edhe orientimi për pikat e grumbullimit drejt fermerëve që kanë prodhuar grurë, por edhe fermerët, për azhurnimin e situatës, po orientohen drejt pikave të grumbullimit.

 Në lidhje me masat për grumbullimin e grurit nga institucionet shtetërore, ose blerjen e tij nga fermerët për rezervat e shtetit, deri në stabilizimin e tregjeve, të cilat zbatohen edhe nga Maqedonia e Veriut, drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Zhvillimit Rural pohoi se kushtëzohen nga pamundësia financiare. 

Në total, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, të mbjellat me grurë këtë vit u rritën rreth 4,5% krahasuar me vjet, për shkak të politikës së nxitjes së prodhimit nëpërmjet subvencionit direkt prej 30,000 lekë për ha. Ndërsa skema e subvencionit të kulturës së grurit me naftë ka nisur zbatimin prej vitit 2021. 

“Gruri nuk është një kulturë me avantazh konkurrues, sepse kushtëzohet nga ekonomia e shkallës. Gjithashtu, shumë fermerë në vend janë të detyruar të mbjellin grurë të kushtëzuar nga tipologjia e tokës për zona të caktuara, pasi nuk mund të mbjellësh kulturë tjetër bujqësore. Pjesa tjetër e mbjellin për vetëkonsum, si dhe për ushqim për kafshët.

 Masa e posaçme subvencionuese erdhi pas sulmit rus ndaj Ukrainës e cila shkaktoi rritje të menjëhershme të çmimit të drithërave, por edhe mungesë të produktit.

 Përballë kësaj situate, ne ndoqëm politikat subvencionuese që i zbatuan edhe shumë shtete të tjera, që të nxisnim prodhimin te fermerët, të cilët u prekën nga kostot e larta, por edhe të ruanim pavarësinë ushqimore”.

 Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në total u mbështetën me subvencione 4 mijë fermerë, me një fond prej 5 milionë USD. Ndërsa u shtuan rreth 2,500 ha me të mbjella më shumë se viti 2022. Për këtë vit, totali i të mbjellave me grurë arriti në 57,500 hektarë.

 Ministria e Bujqësisë parashikon për kulturën e grurit edhe zbatimin e disa masave afatgjatë. Drejtori i Politikave Zhvilluese, z. Tarelli, pohoi se gruri do të mbështetet me një masë të re të vazhdimit të programit IPARD III, për rritjen e kapaciteteve të magazinimit nëpërmjet financimit 50% nga fermerët dhe 50% nga fondet e BE-së.

 “Pra synojmë të ndërhyjmë në segmentin e zinxhirit të vlerës jo vetëm për grurin, por edhe për prodhime të tjera bujqësore, ku përfitues do të jetë fermeri. Për përfitimin e fondeve do të vendoset si kusht edhe përdorimi i farës së certifikuar, pasi në disa fara që përdoren nga fermeri, ka probleme te rendimenti”, veçoi ai.

 Portalit të Fermerit, i cili funksion prej dy muajsh, duke orientuar fermerët me çmimet e përditshme të tregut për fruta-perimet, do t’i shtohen edhe çmimet për disa produkte të tjera bujqësore. Së shpejti do të përfshihet edhe çmimi i bursave.

Sa grurë prodhohet në Shqipëri?

Në vitin 2022, sipas të dhënave të INSTAT, prodhimi i drithërave është 690,854 tonë. Në Qarkun e Fierit është shënuar niveli më i lartë me 171,017 tonë, ndjekur nga qarqet Elbasan dhe Korçë me 95,376 tonë dhe 81,092 tonë. Krahasuar me vitin 2021, prodhimi i drithërave ka pësuar rënie të lehtë.

Por nuk janë të pakta rastet kur shifrat e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural që raportohen tek INSTAT të mos përputhen me realitetin në terren. 

Sipas të dhënave të Shoqatës së Përpunuesve të Miellit, prodhimi i grurit të fermerëve mesatarisht në vit arrin 60,000 deri në 70,000 tonë grurë, kurse sasia e importuar arrin nga 250,000 deri në 300,000 tonë grurë në vit.

 Fabrikat e përpunimit pohojnë se prodhimi që jep Ministria e Bujqësisë arrihej vetëm në periudhën komuniste, ku parcelat e mbjelljes së grurit ishin më të zgjeruara dhe rendimenti ishte më i lartë.

 E njëjta sasi prodhimi raportohet edhe nga fermerët, kultivues prej vitesh të grurit. Sipas tyre, prodhimi vendas nuk mund ta tejkalojë sasinë e 60,000 tonëve pasi shumica e fermerëve prodhojnë sasi të ulët gruri, vetëm për konsum familjar. Fenomeni ndodh edhe për shkak të parcelizimit të lartë që i është bërë ndër vite tokës bujqësore.

 Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Zhvillimit Rural, Irfan Tarelli, sqaroi se totali i prodhimit prej 690,000 tonë drithëra, përfshin edhe misrin.

 Sipas tij, totali i prodhimit të grurit prej 230,000 deri në 250,000 tonë në vit, përfshin sasinë e grurit që del në treg, sasinë që përdoret për vetëkonsum dhe pjesën që përdoret për ushqim për kafshët.

 Të dhënat e prodhimit, sipas tij, fillimisht vlerësohen në nivel administrativ, ku prodhimi llogaritet nga ekspertët e bujqësisë në terren nëpërmjet sondazheve të kryera.

 Këto të dhëna kryqëzohen edhe me ato të grumbulluara nga vetë fermerët, por edhe të makinave korrëse dhe shirëse. “Pra janë një sërë të dhënash që nga niveli administrativ, të fermerëve dhe të autokombajnave që kryqëzohen për të dalë niveli i prodhimit. Marzhi i gabimit është shumë i ulët”.

 Për sa i përket rendimentit të grurit, sipas Tarellit mesatarja e prodhimit arrin 40 kv për ha, ndërsa nuk mungojnë rastet kur rendimenti në disa fermerë të zonës së Lushnjës ka arritur edhe në 80 kv për ha.

 Sipas agronomëve, Shqipëria e ka arritur rendimentin më të lartë të prodhimit të grurit vetëm në periudhën komuniste, në nivelin 75 kv për ha.

 “Pavarësisht se fermerët e kanë mekanizuar prodhimin, duke përdorur mjetet bujqësore, por edhe kanë shtuar plehërimin e tokës, nuk mund të arrihet rendiment më i lartë se ky nivel, për shkak të parcelimit të tokës.

 Aktualisht, mesatarja e rendimentit prodhues arrin 35 kv për ha. Në disa raste mund të arrijë edhe 50 kv, por jo më tepër”, shton agronomi Nevion Telha.

 Por a do të arrijë të zgjidhet situata e grurit për fermerët shqiptarë? Për sa kohë do të qëndrojnë përgjatë autostradës dumat me grurë? / Dorina Azo, Monitor/ 

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 14/08/2023 03:42

    /REDI/,100 % dakord me ju.Nga ana tjeter nuk e kuptoj pse duhet te blene fare nese kane mbjelle dhe me pare grure?! Gjyshi e stergjyshi im megjithese kryesisht merreshin me vreshtari,kur kultivonin grure,si fare perdornin grurin e tyre,pra nuk blinin.Nejse,nese nuk gjendet shpejt nje zgjidhje,do te kemi dhe nje pasoje te rende nga gruri i lene ne fushe-nje mbishtim te minjve dhe mund te shfaqen semundje te tilla si murtaja,hantavirus,etj qe mund te kalohen ne grure e te konsumatori,pa llogarritur se cfare demesh mund t'i sjellin cfaredo lloj prodhimi keta brejtes te rrezikshem vitin e ardhshem,kerdia ka per t'u bere.Injoranca e fermereve dhe indeferentizmi i shtetit per te ndihmuar te pakten me magazinimin kane pasoja te renda,nuk jane shaka.

    Përgjigju
  • redi: 13/08/2023 12:47

    Shtimi i siperfaqes me grure dhe mbi prodhimi ishin jo zgjedhje e fermereve por politika e qeverise per mos tu varur nga importi ,qe me luften ne Ukrahine cmimi u rrit dhe per pasoje miliona euro shkuan per impotin e tij.Duhet zgjidhje dhe aty hyn roli i shtetit ,qe duke blere grurin e prodhuar per rezervat shteterore i mbyll rrugen abuzimit te tregtareve te tij.Una them se shteti eshte rregullatir i ekonomise qe duget te mbroje konsumatorin dhe prodhuesin,dhe mos themi qe tregtia e grurit po kthehet ne monopol shkaterryes per bunkun.Ne jeto kushte nuk funksionon cmimet i eregullon tregu

    Përgjigju
  • Nexhi: 13/08/2023 09:46

    Ja dhe katunoret laluc qe duan te perfitojne nga situata dhe duan te fitojne me dy duar. Katunori i trash vizionin e ka zero, vetem te zhgrapja e ka mendjen. Ptu laluc kokpalare

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja