TIRANË- Valën e përjashtimeve nga PD, Sali Berisha e sheh si një moment pozitiv për partinë. Në një takim me drejtuesit dhe koordinatorët politikë të PD, ai komentoi heqjen e katër anëtarëve nga lista e PD Elbasan, por edhe përjashtimin e dy demokratëve nga grupi i Këshilltarëve Bashkiakë të Durrësit, duke thënë se kanë tradhtuar idealet e demokratëve dhe se punuan për mazhorancën e krimit.  

Në veçanti u ndal në rastin e Doris Madhit, për të cilën thotë se po “çirret në media” pse u përjashtua, por vetë Berisha e akuzon se në zgjedhje i shërbeu PSD-së së Tom Doshit.

“Asnjë ndikim përveç se pozitiv, kanë momentet e largimit të atyre të cilët në fushatën elektorale kanë tradhtuar idealet e demokratëve dhe kanë punuar për mazhorancën e krimit. Mos mendojë njeri se, në shërbim të socialistëve do të ndodhet në gjirin tonë. Jo. Zonja që deri dje ishte e nderuar, bën fushatë për kandidatin e Tom Doshit dhe pastaj del e çirret para mediave të qeverisë se më hoqën nga lista. Jo zonjë, hoqe veten nga lista.Dhe tjetri shkon e voton për buxhetin e Sakos dhe pastaj bërtet, thotë më ndëshkuan se, prita këtë apo atë. Nuk impresionohemi ne nga këto”, theksoi Berisha.

Berisha thotë se nuk do të pranojnë në gjirin e tyre njerëz që i shërbejnë PS apo që shkelen e shiten.

“Vërtetë ka një grusht njerëzish që shkelen, shiten, bëjnë pazare, por absolutisht demokratët janë në këmbë, janë më të fuqishëm se kurrë dhe do të jenë më të fuqishëm. Ne i qëndrojmë përpjekjeve tona të fuqishme për anëtarësime, për afrim të vlerave, për organizim sa më solid”, tha kreu i PD.

Ndonëse përjashtimet kanë nisur, kryedemokrati thotë se do të hapin partinë dhe drejtuesve dhe koordinatorët politikë të PD u la porosi për sa më shumë anëtarësime.

“Thelbi i këtij takimi është ky: Çfarë do të bëni për anëtarësime të reja. Janë me qindra, por dhe mijëra demokrate e demokratë të paanëtarësuar që kërkojnë të marrin dokumentin e PD-së, kërkojnë të regjistrohen, janë njerëz idealistë. Por hasin në plogështinë, apatinë tonë.  Nuk është hera e parë që e shtrojmë këtë, e kemi shtruar dhe në mbledhje të tjera, por tani kjo bëhet imperative. PD-ja ka domosdoshmëri urgjente për ripërtëritjen dhe anëtarësime të reja”, vijoi Berisha.

Përveç Dooris Madhit, nga listat e anëtarësisë së Partisë Demokratike në Elbasan rezulton të jetë hequr edhe emri i Rudina Allës, kryetare e forumit demokrat të Gruas, ish-deputetes Zheni Gjergji, e emëruar drejtoreshë në Spitalin e Elbasanit, apo Alesia Balliut. Kjo e fundit ka shpallur publikisht ambicien për të kandiduar në garën për kreun e Partisë Demokratike, përballë Sali Berishës, por që me sa duket ka shtuar pakënaqësitë brenda selisë blu.

Kjo valë përjashtimesh vjen vetëm disa ditë pasi PD, përjashtoi si këshilltarë të saj në Këshillin Bashkiak të Durrësit Dritan Burgijën dhe Arlind Boshkun, pasi këto të fundit mbështetën lëvizjen e Ervin Salianjit.