Beqiraj tregon se ai nuk do të ketë rol kyç në këtë Institut, pasi thjesht do të jetë anëtar i bordit dhe nuk do të vendos i vetëm. “Edhe në të kaluarën nuk është se kam ndonjë lidhje me sistemin e mëparshëm. Të paktën nga familja ime s’ka qenë asnjëri komunist. Them që jam në pozicion të tillë edhe me eksperiencën time dhe mund të kontribuoj sepse në fund të fundit do jem anëtar i bordit Ekzekutiv. Nuk është se do kem detyra që vendos unë vetëm”, tha ish-kryetari i Akademisë së Shkencave.
‘Jo dijeni për procedurën e zgjedhjes së kandidatëve’
Deputeti demokrat, Romeo Gurakuqi ka kërkuar informacion nga kandidati për anëtar bordi në Institutin e Krimeve të Komunizmit, Gudar Beqiraj për mënyrën si është përzgjedhur nga Akademia e Shkencave për t’u paraqitur në Komisionin e Ligjeve. Beqiraj është shprehur se nuk ka dijeni për procedurën por thjesht është lajmëruar se do të jetë kandidat në këtë Institut. “Si kandidat nuk jam interesuar fare për procedurën me thënë të vërtetën. Më kanë thënë që do jesh kandidat për këtë pozicion dhe për më tepër nuk di”, tha Beqiraj.
Ndërsa deputeti tjetër i Partisë Demokratike, Enkeled Alibeaj ka këmbëngulur për të mësuar më shumë rreth të kaluarës së Gudar Beqirajt. “Juve si kandidat nuk keni qenë në atë kohë komunist ose kandidat për komunist?”, ka pyetur me ironi deputeti Alibeaj. Dhe ish-kryetar i ASH ka përsëritur që nuk ka qenë komunist as ai as familjarët e tij. "Unë thashë që s’kam qenë por dhe s’kam asnjë nga familja. Tani mund të ketë qenë fat i mirë apo fat i keq këtë se di. Nga familja ime asnjë komunist. Se kam pas fatin në atë kohë. Do kisha qenë më mirë në atë kohë”, tha Beqiraj, duke shtuar se nuk ka njohuri për studimet humanitare por vetëm për matematikë, informatikë dhe peshëngritje. Ndërkaq Beqiraj deklaron se ndryshe nga ai që di për 3 fusha të caktuara, njerëzit në Shqipëri i dinë të gjitha.
Diskutimi i demokratëve me ish-kryetarin e ASH:
-Fino(PS): Për këtë pozicion që ju kandidoni cilat janë risitë që ju do sillni nëse kuvendi ju zgjedh?
-Gudar Beqiraj(ish-kryetar i ASH): Gjatë këtyre viteve unë jam përpjekur të kem marrëdhënie shumë të mira me Institutin, mendoj që me atë mendje që kam unë mendoj se mund të kontribuoj për problematikat që ka ky institut, me thënë të vërtetën kam qenë gjithë kohën mbështetës i tyre. Edhe në të kaluarën nuk është se kam ndonjë lidhje me sistemin e mëparshëm. Të paktën nga familja ime s’ka qenë asnjëri komunist. Them që jam në pozicion të tillë edhe me eksperiencën time dhe mund të kontribuoj sepse në fund të fundit do jem anëtar i bordit Ekzekutiv nuk është se do kem detyra që vendos unë vetëm.
-Gurakuqi (PD): Doja të dija cila ka qenë procedura në Akademinë e Shkencave në përzgjedhjen e tre emrave që kanë ardhur në komisionin e nderuar?
-Gudar Beqiraj: Si kandidat nuk jam interesuar fare për procedurën me thënë të vërtetën. Më kanë thënë që do jesh kandidat për këtë pozicion dhe për më tepër nuk di.
-Gurakuqi (PD): Cili është vokacioni juaj në fushën e studimeve humanitare, në fushën e shkencave historike dhe të trashëgimisë që kanë lënë pas të persekutuarit politik dhe tradicioni?!
-Gudar Beqiraj: Për sa i përket pjesës humanitare, unë nuk e thashë por jam prej vitit 1993 president...
-Gurakuqi(PD): E kisha për studimet humaniste...
-Gudar Beqiraj: Nuk kam të bëj fare me atë fushë unë. Fusha ime është matematika dhe informatika, këto dy gjëra di. Di dhe një tjetër që është sporti i peshëngritjes të tjera gjera nuk di të bëj në jetën time.
-Alibeaj (PD): Juve si kandidat nuk keni qenë në atë kohë komunist ose kandidat për komunist?
-Gudar Beqiraj: Unë thashë që s’kam qenë, por s’kam asnjë nga familja. Tani mund të ketë qenë fat i mirë apo fat i keq këtë se di. Nga familja ime asnjë komunist. Se kam pas fatin në atë kohë. Do kisha qenë më mirë në atë kohë...
-Alibeaj (PD): Fat i keq apo fat i mirë?
-Gudar Beqiraj: Për në atë kohë është e keqe se do kisha qenë më mirë.
-Alibeaj(PD): Kriter tjetër është se juve, nuk duhet të keni qenë i shkolluar apo të keni bërë shkolla në vendet e Traktatit të Varshavës?
-Gudar Beqiraj: E thashë edhe njëherë, matematikë, informatikë dhe peshëngritje. Se këtu në Shqipëri i dinë të gjitha njerëzit. Po unë këto të tre i di.
-Alibeaj (PD): Nuk duhet të keni qenë anëtar apo bashkëpunëtor i shërbimeve të sigurimit të shtetit dhe të vendeve të traktatit të Varfshavës. Si deklaroheni në këtë rast?
-Gudar Beqiraj: Deri në ndërrimin e sistemeve kam qenë matematicien i thjeshtë. Pra bashkëpunëtor shkencor. Jam marr me gjeofizikën, gjeologjinë dhe naftën.
-Alibeaj(PD): Jo ndonjë punësim te sigurimi i shtetit.
-Gudar Beqiraj: Jo atë fat se kam pas.
-Qefalia (PS): Ju thatë që më kanë thënë të kandidoj. Nuk është aspirim dhe dëshirë e juaj për të kandiduar..
-Gudar Beqiraj: Më ka thirrur kryesia e Akademisë dhe më kanë thënë që pranon të jesh kandidat për të qenë anëtar i Bordit Ekzekutiv të Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit. Duke pasur parasysh marrëdhëniet e mia me këtë Institut, i thashë po.
d.c./shqiptarja.com