Me kostume tradicionale, nën tingujt e çiftelisë, muzikës dhe valleve, artistët e Ansamblit “Gurra e Kurbinit”, dhuruan emocione në skenën e Pallatit të Kulturës në Lezhë, me vlerat më të mira folklorike të zonës.

“Ideja ishte që të përcillnim absolutisht në mënyrë të konsoliduar vlerat e folklorit tonë shqiptar, por në veçanti në këtë rast, atij kurbinas. Duhet dëshira dhe këmbëngulja e artistëve dhe mjeshtrave në veçanti, që ta lëvrojnë dhe të thellohen dhe mos të ndalen, për të përçuar vlera të tilla të rralla autentike.”, tha instrumentisti Altin Toma.

“Kurbini ka vlera të jashtëzakonshme të trashëgimisë kulturore.”, tha këngëtari Kurt Lika.

“Kemi patur një sukses tepër të madh këtë vit. Menduam që të paraqesim disa koncerte për rrethet tona që na kanë mirëpritur gjithmonë që prej në Laç, në Rrëshen dhe këtu në Lezhë.”, tha këngëtarja Dhurata Alia.

“Gati gjysma e orkestrinës janë të rinj, nga 16-17 vjeç, plus edhe këngëtare të reja, po vijnë dita- ditës në ‘Gurrën e Kurbinit’”., vërejti drejtuesi i ansamblit, Lad Cara.

Qëllimi i këtij turi koncertesh në Laç, Rrëshen dhe Mirditë, kërkon të mbajë gjallë traditën dhe ta përcjellë atë te brezi i ri.