Muaji më i preferuar i pushimeve sposton njerëzit nga vendet e banimit drejt destinacioneve të ndryshme. Më të famshmet janë më të populluarat, ose më saktë më të mbipopulluarat. Aty ku vendi nuk mjafton dhe turma të detyron të ecësh me hapin e një fëmije. Por për ata që kërkojnë më shumë qetësi dhe më pak njerëz nëpër këmbë ka disa vende ku mund të plotësojnë kërkesat e tyre.

Ja pesë nga destinacionet europiane të mrekullueshme, por shumë më pak popullore se simotrat e tyre të famshme

Folégandros, parajsa e Ciclad

Në kufirin jugor të arkipelagut të Egjeut, ishulli ka një bukuri të jashtëzakonshme që shtohet nga fshati Hóra.  Bukuria e Folégandros përfaqëson edhe historinë. Deri në fund të diktaturës ushtarake  të viteve 1967-74 ishulli është përdorur si një vend për të burgosur politikë dhe armikë të autoriteteve, ndërsa sot është një parajsë tokësore. Ishulli është i lidhur me Pireun nëpërmjet trageteve.

Toscana, turi Casentinos

Bukuria e Toskanës nuk ka nevojë për prezantim, plazhet dhe historia e saj janë një joshje më vetë për turistët. Nëse jeni lodhur duke parë shumë nga Firence, lëreni qytetin dhe drejtojuni lindjes. 60 kilometra me makinë për të shkuar drejt qetësisë ekstreme, mes pyjeve, panoramave të Casentino-s. këtu kostumet dhe kuzhina tradicionale janë ruajtur me krenari dhe truket për të joshur turistët ende nuk janë mësuar.

Vis, misteri i Kroacisë

Mes të gjithë ishujve kroatë, Vis (Lissa) është më enigmatiku. Në hartën gjeografike shquhet që është më I largëti mes ishujve kryesorë. Deri në fund të 1989-ës ishte një bazë ushtarake dhe kjo e ka penguar zhvillimin e tij. Por nëse kërkon natyrën e virgjër, paqen dhe qetësinë ia vlen të kalosh këtu. Ishulli ka dhe dy qendra të vogla të banuara, Vis e Komiža. Mjeti më komod për të arritur është trageti si për pasagjerë edhe për automjete.

Costa de la Luz, Spanja që pëlqehet

Të mbërrish në  Costa de la Luz nga Costa del Sol është si të hapësh dritaren dhe të mbushesh me ajrin e një mëngjesi me diell. Pasi kalon resortet dhe ndërtimet e pakontrolluara  gjendesh në mes të kënaqësisë që të dhuron Spanja. Vejer de la Frontera ka një labirint rrugësh të freskëta që përfundojnë në majë të një kodre shkëmbore. Los Caños de Meca është një qytezë bregdetare që shpalos plazhe spektakolare.  Këtu mund të bëhet ëindsurf, kitesurf, surf, por edhe shëtitje me kalë dhe ekskursione në afërsi të parkut natyror të Breña y Marismas de Barbate.

Franca, të dehur nga Bordeaux
Për të shpëtuar nga itineraret më të rrahura dhe të populluara në zemër të Francës është Fronsac, vetëm 10 minuta nga Saint-Émilion. Ai është një vend i qetë dhe i dashur në  bregun e djathtë të Dordogne. Rreth e rrotull ka disa kështjella të cilat ia vlen t’i vizitosh.Dhe po ashtu edhe fshatrat Castillon,  Cadillac, Blaye e Francs janë të mrekullueshëm me shumë kultivues të rinj të verës, të gjithë të përkushtuar ndaj Côtes-de-bordeaux, verës që ka lindur këtu.


Klasifikimi
Italia dhe Spanja dominojnë Europën


Në klasifikimin e vendeve më të bukura historike për kontinentin e vjetër kryefjala është Italia. Disi e kompensuar nga mungesa e theksuar e monumenteve të saj në 25 vendet më të bukura historike të botës, fqinji ynë fiton terren të plotë në klasifikimin europian te realizuar nga Tripadvisor.  Kështu nga 25 vendet 9 i përkasin Italisë, ku përmendim Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, Katedralja Duomo në Milano, katedralen e Shën Franceskut në Asizi, Koloseumi në Romë, katedralja e Sienës, Sheshi Mikelanxhelo në Firence etj. Por kreun e klasifkimit e mban Spanja me kishën-xhami të Cordoba-s.

Spanja përfaqësohet edhe me pesë vende të tjera, madje të renditura thuajse në krye të renditjes. Ndërsa në sy bie gjithashtu prania e Turqisë dhe e Greqisë me nga dy vende historike. Një vend është edhe për sheshin e famshëm të tregut në Krakovë të Polonisë, Katedralja e Durham në Angli apo ura Charles në Ceki.

Shkrimi u botua në suplementin "Fundjava" të gazetës "Shqiptarja.com"