Banka e Shqipërisë ka tërhequr edhe njëherë vëmendjen për rëndësinë e ruajtjes së ekuilibrave fiskalë dhe për kontrollin e deficitit buxhetor dhe të borxhit publik në nivele të përballueshme e të padëmshme për ekonominë shqiptare.
Në opinionin tonë, prioriteti afatmesëm i politikës fiskale duhet të mbetet ruajtja e disiplinës buxhetore, u shpreh Ardian Fullani gjatë një konference për shtyp. Në afat të gjatë, sipas tij, borxhi publik shqiptar duhet të reduktohet dhe të ankorohet në një rregull fiskal të besueshëm, efektiv dhe transparent.
ÇMIMET
Sa i përket situatës së tregut vendas, ai tha se çmimet e konsumit u rritën mesatarisht me 2.5% në tremujorin e parë të vitit 2013, por ecuria e inflacionit vijon të përcaktohet nga çmimet e ushqimeve: kontributi i tyre përbën rreth 90% të inflacionit total.
RRITJA
Analizat e BSH, të bazuara mbi tregues indirektë, vlerësojnë se rritja ekonomike ka qenë e ulët këtë vit – ajo është mbështetur kryesisht në kërkesën e huaj, ndërkohë që komponentët e kërkesës së brendshme vijojnë të shfaqin një ecuri të plogësht, tha Fullani, duke shtuar se konsumi dhe investimet private mbeten të dobët, në prani të pasigurive për të ardhmen, të ngadalësimit të të ardhurave të disponueshme, të kushteve më të shtrënguara të financimit dhe të kapaciteteve të lira të prodhimit.
Ekonomia shqiptare shfaqi shenja dobësie gjatë vitit të kaluar, duke reflektuar pasigurinë e përgjithshme në ambientin e brendshëm dhe të jashtëm. Ecuria e konsumit dhe investimeve private mbetet e dobët dhe e paqëndrueshme, shtoi ai.
BANKAT
Në dy muajt e parë të vitit, kredia për ekonominë ka shfaqur një ecuri të dobët në të gjithë segmentet e saj, deklaroi guvernatori, duke saktësuar se në fund të muajit shkurt, portofoli i kredisë së sektorit bankar ishte vetëm 1.7% më i lartë se një vit më parë.
Reduktimi i radhës i normës bazë u reflektua shpejt dhe i plotë në tregun ndërbankar dhe në tregun primar të letrave me vlerë të qeverisë, por ndikimi i saj në interesin e depozitave ka qenë i pjesshëm, ndërsa ai në interesat e kredisë, edhe më i zbehtë.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.75%.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 01.05.2013
Redkasi Online
(b.mshqiptarja.com)