Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko zhvilloi një takim me përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të kryesuar nga Zsuzsanna Hargitai, Drejtore Rajonale për Ballkanin Perëndimor dhe Matteo Colangeli, përfaqësues i BERZH-it për Shqipërinë. Sejko theksoi rolin pozitiv që programet e BERZH kanë pasur në zhvillimin e sistemit financiar dhe në forcimin e kapaciteteve institucionale të Bankës së Shqipërisë.
Guvernatori bëri një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike dhe financiare në vend. Ai theksoi se pavarësisht luhatjeve që vijnë nga sektorë të caktuar, zhvillimi vendit mbetet në një trend pozitiv, duke siguruar rritje të punësimit, përmirësim të shëndetit financiar të sektorit publik dhe privat, si dhe një trend rritjeje të presioneve të brendshme inflacioniste.
Ai theksoi se ky trend zhvillimesh pasqyron si efektet pozitive që ka sjellë politika jonë monetare stimuluese, ashtu dhe efektet e nismave të ndryshme që Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë në drejtim të reduktimit të kredive me probleme, të përmirësimit të ambientit të kreditimit, të përmirësimit të kuadrit mbikëqyrës dhe rregullatore dhe përafrimit të tij me standardet e BE-së, si dhe në drejtim të rritjes së formalizimit dhe zhvillimit e zgjerimit të mëtejshëm të tregut financiar.
Në fjalën e tij Guvernatori Sejko konstatoi se Banka e Shqipërisë ndan opinion të njëjtë më BERZH mbi sfidat e zhvillimit të vendit, duke e vënë theksin në mënyrë prioritare në nevojën e rritjes së produktivitetit dhe të aftësive manaxheriale në ekonomi, në nevojën e përmirësimit të gjithanshëm të infrastrukturës dhe të klimës së biznesit, si dhe në nevojën e mbështetjes së zhvillimit të sektorëve të cilët ofrojnë potenciale ende të pashfrytëzuara zhvillimi, si turizmi, energjia, dhe agroindustria.
Në kuadër të masave dhe instrumenteve konkrete, Guvernatori Sejko vuri në pah efektet pozitive që kanë pasur programet e ndryshme të BERZH në sektorin financiar, si ato të ndarjes së rrezikut të kreditit, të përmirësimit të aftësive manaxheriale të sektorit bankar dhe të institucioneve financiare jo-bankare, si dhe ato të mbështetjes direkte me kapital të segmenteve apo institucioneve të veçanta të sektorit financiar.