Në fjalën që mbajti në Konferencën shkencore për 100-vjetorin e Bankës së Shqipërisë, guvernatorei Gent Sejko renditi disa sfida me të cilat përballet banka. Sipas tij, sfida e parë ka të bëjë me rritjen e tensioneve politike në botë, gjë që ka ndikuar edhe në ekonomitë e vendeve jo të prekura. 

Po ashtu, sipas tij, një tjetër sfidë është edhe inovacioni financiar që po ecën me ritme të shpejta. Ai tha se inovacioni ka përfitime por sjell edhe një sërë rreziqesh. Një sfidë e tretë, tha Sejko, është edhe stadi i zhvillimit të Shqipërisë dhe implikimet që ka për modelin e rritjes në të ardhmen. Sejko thotë se Shqipëria, si një vend me të ardhura të mesme, është e ekspozuar ndaj një konkurrence më të fortë. 

"Sfida e parë është rritja e tensioneve gjeopolitike në ambientin e huaj. Rikonfigurimi i zinxhirëve të prodhimit botëror, si dhe rritja e barrierave tregtare, janë tashmë një realitet i ri ekonomik. Ky realitet dëmton ekonomitë në zhvillim në dy mënyra. Së pari, ai frenon alokimin efektiv të resurseve në nivel global e rajonal, duke reduktuar aftësinë e vendeve në zhvillim për të tërhequr investime dhe kapital të huaj. Së dyti, ai rrit volatilitetin dhe pasigurinë, duke frenuar investimet afatgjata dhe duke detyruar vendet në zhvillim të forcojnë rrjetet e tyre të sigurisë, fenomen i cili – natyrisht – ka kostot e veta.

Sfida e dytë është inovacioni i shpejtë financiar. Gjatë dekadës së fundit jemi bërë dëshmitarë të një revolucioni të shpejtë financiar, i cili ka potencialin të transformojë rrënjësisht vetë këtë industri. Digjitalizimi i vazhdueshëm i sistemeve të pagesave, evoluimi i shpejtë dhe rritja e përdorimit të teknologjisë blockchain, të aseteve digjitale dhe të financës të decentralizuar, ka përfitimet dhe rreziqet e veta. Përfitimet e inovacionit vijnë nga reduktimi i kostove dhe zgjerimi i aksesit në financë, çka rrit eficiencën e industrisë financiare dhe kontributin e saj në zhvillimin e vendit. Nga ana tjetër, rreziqet potenciale burojnë si nga ndikimi negativ që ky inovacion ka në modelin e biznesit dhe bilancet e ndërmjetësve tradicionalë financiarë, ashtu edhe nga eksperienca e pakët e rregullatorëve, publikut të gjerë, por edhe e operatorëve të kësaj industrie.

Sfida e tretë ka të bëjë me vetë stadin e zhvillimit të Shqipërisë dhe implikimet që ky stad ka për modelin e rritjes në të ardhmen. Si një vend me të ardhura të mesme, Shqipëria është tashmë e ekspozuar ndaj një konkurrence më të fortë për kapital e fuqi punëtore në tregun evropian. Po ashtu, Shqipërisë i duhet të bazojë gjithnjë e më shumë modelin e saj të zhvillimit te rritja e produktivitetit, inovacioni, si dhe identifikimi dhe zhvillimi i avantazheve të saj krahasuese. Kjo sfidë e fundit bëhet edhe më e komplekse në prani të trendeve të pafavorshme demografike - në Shqipëri, rajon e më gjerë -, të cilat vendosin një premium të lartë për fuqi punëtore të kualifikuar.", tha Sejko. 

Sejko u ndal edhe te roli që ka Banka qendrore në procesin e integrimit. 

"Banka e Shqipërisë dhe sektori bankar shqiptar kanë pasur e do vijojnë të kenë një rol të madh në këtë proces. Si kryesuese e dy Grupeve Ndërinstitucionale të Punës për Integrimin Evropian për 2 kapituj të Acquis dhe si kontribuuese e qenësishme në 6 kapituj të tjerë, Banka e Shqipërisë është pjesë integrale e procesit të negociimit. Në të njëjtën kohë, puna që kemi bërë për konvergjencën rregullatore dhe integrimin e sistemit financiar shqiptar me atë evropian, proces i cili shënoi së fundi një arritje të madhe me anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA, ka shërbyer si promotor i integrimit të gjithë ekonomisë shqiptare.", shtoi ai.


Lajmi kryesor:

Konferenca për 100 vjetorin e Bankës së Shqipërisë, Rama: Institucion që na përfaqëson të gjithëve, të shohë me kurajo edhe ndaj risive