Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko dhe Ministri i Financave Petrit Malaj po marrin pjesë në mbledhjet e pranverës që po zhvillohen në Uashington nga Fondi Monetar në Ndërkombëtar dhe nga Banka Botërore. Përgjatë datave 16–19 prill 2026 në takime diskutohet mbi ekonominë, në kontekstin aktual global që është i trazuar nga Lufta në Lindjen e Mesme.

Guvernatori Sejko dhe ministri Malaj kanë takuar edhe Shefin e ri të Misionit të FMN-së për Shqipërinë, Diego Cerdeiro, i cili do të zëvendësojë zj. Anke Weber.

“Ekonomia shqiptare vijon të shfaqë ritme të qëndrueshme rritjeje, e mbështetur nga një treg pune i fortë, inflacion i ulët, si dhe një sistem financiar i shëndetshëm. Megjithatë, pasiguritë në mjedisin ndërkombëtar, veçanërisht zhvillimet në Lindjen e Mesme, mbeten faktorë që kërkojnë vëmendje të shtuar”, thuhet në njoftimin e Bankës së Shqipërisë.

Për shkak të tensioneve ndërkombëtare që kanë rritur rrezikun e një vale inflacioni, politika monetare tha guvernatori do të vijojë të mbetet e orientuar drejt stabilitetit të çmimeve, duke u bazuar në zhvillimet e reja dhe në vlerësimin e rreziqeve.

Ndërsa Ministri i Financave thotë se diskutuan mbi situatën ekonomike aktuale.

“Diskutuam mbi ecurinë e ekonomisë, parametrat makroekonomikë, si dhe rëndësinë e vijimit të politikave të kujdesshme për ruajtjen e stabilitetit ekonomik e financiar”, shkruan Malaj.

Për shkak të luftës në Lindjen e Mesme, janë përkeqësuar edhe pritshmëritë për rritjen ekonomike. Në raportin e fundit të FMN, parashikohet që ekonomia e Shqipërisë të rritet me 3.4% nga 3.6% që ishin pritshmëritë.

Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se, “aktiviteti global tani përballet me një provë të madhe nga shpërthimi i luftës në Lindjen e Mesme”. Edhe pse situata është e pasigurt dhe fundi i luftës është i paparashikueshëm, FMN thotë se rritja globale pritet të ngadalësohet në 3.1% në vitin 2026 dhe 3.2% në vitin 2027.