TIRANE - “Ky është momenti më i mirë që po kalon ekipi kombëtar i futbollit, që nga themelimi. Duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht këtë moment të mirë për të realizuar ëndrrën që të gjithë e dëshirojmë, kualifikimin në kampionatin botëror të Brazilit” kjo është deklarata e ish-trajnerit të ekipit kombëtar të futbollit, Astrit Hafizi në prag të ndeshjes me ekipin e Norvegjisë. Por a jemi më shumë euforikë sesa duhet?

“Të gjithë kanë të drejtë që të ëndërrojnë, aq më tepër kur bëhet fjalë për kualifikimin në një event të tillë me përmsa madhështore. Shqipëria ka bërë një rrugë mjaft të mirë deri tani. De Biasi ka bërë  një punë të shkëlqyer duke afruar shumë elementë të rinj dhe përmirësuar cilësinë e grupit” deklaron Hafizi. Por a është kjo kombëtarja më e mirë që kemi pasur?

“Nuk mund të them që kjo është kombëtarja më e mirë që kemi pasur, pasi ekipi që kam drejtuar unë ka pasur probleme duke filluar nga kushtet ku stërviteshim dhe shumë cështje të tjera që kombëtarja aktuale i ka zgjidhur me kohë. Por momenti është më i miri, fitorja me Norvegjinë është detyrim për të vazhduar ëndrrën dhe për të konfirmuar se kjo është kombëtarja më e mirë e të gjitha kohërave, për rezultatin mendoj vetëm se duhet dhe do të fitojmë” deklaron Hafizi.

Si radhë herë i të njëjtit mendim është edhe ish-trajneri tjetër i kombëtares, Bejkush Birçe, kjo sipas tij falë edhe ekipeve në grup, pasi me të gjitha mund të fitojmë, por edhe mundë të humbasim, nëse nuk tregohemi të kujdesshëm. “Kombëtarja ka ndryshuar krejtësisht, De Biasi arriti që të rinovojë grupin duke e kaluar periudhën e tranzicionit me sukses.

Ekipi ka elementë mjaft të rëndësishëm, të cilët nëse lidhen mirë me njëri tjetrin mund të prodhojnë shumë lojë dhe rezultat. Këtë moment të artë duhet ta shfrytëzojmë për të fituar me cdo kusht, pasi ri rrallë herë mundësitë i kemi. Unë besoj që edhe me pak punë do të merren frytet e punës së teknikut italian.

Ajo që më dhemb më shumë është që nga kampionati shqiptar ka shumë pak futbollistë të grumbulluar. Megjithatë e rëndësishme është që ata që të luajnë të japin maksimumin që edhe Shqipëria të bëhet pjesë e një botërori. Jemi në rrugë të mbarë, tani duhet të mbajë atë që kemi arritur me shumë mund dhe sakrificë” përfundon Birçe.
 
FIFA:BASHA, ABRASHI DHE RAMA TË AKTIVIZOHEN ME SHQIPËRINË

FIFA u jep dritën jeshile për të luajtur me Shqipërinë dy lojtarëve, Vullnet Bashës dhe Abrashit. Të dy këta lojtarë kanë qenë pjesë e skuadrës së Shpresave me Zvicrën, ndërsa tani kanë përfundimisht të drejtë të luajnë me Kombëtaren Shqiptare. Përveç këtyre dy lojtarëve që tashmë kanë marrë të drejtën për tu aktivizuar me kuqezinjtë ndaj nordikëve edhe Valdet Rama ka marrë OK e FIFA-s për të luajtur me 7 Qershor ndaj vikingëve.

Rama ndryshe nga dyshja Abrashi dhe Basha ka luajtur me fanellën kuqezi në ndeshjen miqësore që kjo e fundit zhvilloi ndaj Letonisë. De Biazi do të ketë më shumë mundësi përzgjedhje për formacionin e parë, ku të tre lojtarët pritet të japin kontributin e tyre në ndeshjen e radhës.

SALIHI: TA HARROJMË BRAZILIN, NËSE HUMBASIM, BUSHI: KUJDES!

Hamdi Salihi dhe Alban Bushi kanë bërë thirrje për qetësi dhe për të qëndruar me këmbë në tokë në prag të ndeshjes me Norvegjinë, pasi do të jetë shumë e vështirë të përsëritet suksesi i Oslos. “Mendoj se duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë pasi pas kësaj ndeshjeje kemi tre transferta të vështira. Duhet të harrojmë Brazilin dhe të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës" deklaroi Salihi.

Alban Bushi ka pohuar se Norvegjia mbetet një ekip shumë i fortë. “Norvegjia është skuadër e fortë. Publiku duhet të na ndihmojë dhe shpresoj në një rezultat pozitiv" tha Bushi. Bushi është edhe autori i golit në ndeshjen që Shqipëria barazoi me Norvegjinë para disa vitesh në Tiranë. Ndërsa Salihi shënoi golin e fitores në Oslo në Mars.
 
Shkrimi u botua sot në gazetën shqiptarja.com (print) 05.06.2013