Anëtari i kryesisë së PDK-së dhe ish-këshilltari i Hashim Thaçit, Abelard Tahiri ka  takuar me ish-presidentin e Kosovës pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë .

Në një postim në rrjetet sociale Tahiri shkruan se kësaj herë udhëtimi drejt Hagës ishte ndryshe pas vendimit të Gjykatës Speciale të cilën e ka cilësuar si të padrejtë.

Ai gjithashtu ka bërë me dije mesazhin e Thaçit për të gjithë protestuesit që kanë dalë në shesh në Prishtinë kundër vendimit teksa shtoi se ish-kreu i UÇK-së u ka dërguar të fala nga zemra. Tahiri shton se Thaçi është shprehur se protestuesit janë zëri i fuqishëm kundër padrejtësisë.

“Ky është një tjetër rrugëtim drejt Hagës, pas kaq shumë udhëtimesh gjatë këtyre gjashtë viteve. Por kësaj here ishte ndryshe. U mërzita shumë kur e takova Presidentin pas vendimit të padrejtë. E megjithatë, ai ishte i qetë, i fortë dhe i sigurt. Me besimin se drejtësia do të triumfojë dhe se Apeli do ta korrigjojë këtë padrejtësi.

Ai ju dërgon të fala nga zemra, secilit prej jush që jeni në sheshin e Prishtinës dhe që u bëtë zëri i fuqishëm kundër padrejtësisë. Faleminderit për qëndresën, për solidaritetin dhe për zërin tuaj që nuk u shua. Drejtësi për çlirimtarët”, shkruan ai.

Më 16 shtator Dhomat e Specializuara në Hagë dënuan me nga 25 vite burg Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin, me 18 vite Kadri Veselin dhe me 13 vite Rexhep Selimin për krime lufte.

Për Hashim Thaçin, trupi gjykues se ai ishte "anëtar kyç" në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal, inkurajoi krimet ndaj kundërshtarëve, kishte dijeni për një numër të konsiderueshëm krimesh dhe nuk ndërmori hapa për t'i parandaluar apo ndëshkuar.

Për Kadri Veselin, gjykata tha se ai ishte figurë kyçe në zbatimin e këtij plani, kontribuoi në identifikimin dhe neutralizimin e personave të konsideruar të dyshimtë dhe "mori pjesë dhe inkurajoi krimet".

Për Jakup Krasniqin, trupi gjykues tha se ai përdori rolin e tij si zëdhënës i UÇK-së për të promovuar politikën e shënjestrimit të kundërshtarëve, emëroi persona besnikë në pozita kyçe dhe nuk ndërhyri për të parandaluar krimet, megjithëse kishte dijeni për to.

Ndërsa për Rexhep Selimin, gjykata tha se ai inkurajoi dhe mori pjesë në kryerjen e krimeve, kishte dijeni për keqtrajtimet dhe vrasjet, por nuk ndërmori masa për t'i parandaluar.

Foto: Postimi i Tahirit