Influencerja e njohur spanjolle Rocío Osorno ka përjetuar një nga netët më të frikshme të jetës së saj pasi dy hajdutë i kishin hyrë në shtëpi, teksa ndodhej aty bashkë me familjen.

Rocío ndodhej në katin e sipërm duke bërë disa video për rrjetet e saj sociale, krejtësisht e pavetëdijshme se në të njëjtin moment disa persona kishin hyrë në shtëpi.

Reagimi i saj i shpejtë ishte vendimtar për të shmangur një situatë me pasoja shumë të rënda. Njëra prej dritareve, e cila zakonisht qëndron gjithmonë e mbyllur, ishte e hapur. Në atë çast kthjelltësie, Osorno kuptoi se nuk ishte vetëm dhe filloi të bërtiste që pjesëtarët e tjerë të familjes të shkonin në një vend të sigurt. Ky ishte edhe momenti kur hajdutët dëgjohen duke folur me njëri-tjetrin, në shqip:

-Ej..na këtë merre këtë.

-Ku ta çoj?

-Hajde të ikim o burrë!

-Jena keq këtu…

-Hajde të ikim o burrë se na q**e nanën!

Influencerja u tha miliona ndjekësve në rrjetet sociale se ishte e shokuar, teksa u rrëfeu gjithë ngjarjen:

“Ishim të gjithë në shtëpi. Isha pikërisht lart duke regjistruar kur hyra dhe, falë Zotit, pashë dritaren e hapur dhe kuptova se ishte dikush aty, kështu që ika me vrap.”

Sipas rrëfimit të saj, ardhja e ish-bashkëshortit të saj, deputetit të VOX-it Jacobo Robatto, bëri që gjithçka të bëhej më e lehtë.

“Fatmirësisht, Coco sapo kishte ardhur rreth një orë më parë dhe telefonuam menjëherë në 112.”

Reagimi i shërbimeve të emergjencës ishte i menjëhershëm për shkak të seriozitetit të njoftimit për grabitje në shtëpi. Patrullat e Gardës Civile mbërritën në vendngjarje brenda pak minutash, megjithëse hajdutët tashmë ishin larguar.

Si dëshmi e përvojës tronditëse, Rocío Osorno vendosi të publikonte në rrjetet e saj sociale një fragment videoje të regjistruar nga kamera që ka të instaluar në dhomën e saj të garderobës. Në pamje, grabitësit shihen qartë duke vepruar me shpejtësi.

Të veshur me kapuçë dhe me elektrik dore të vendosur në kokë, kërkojnë me nxitim në sirtarët e bizhuterive dhe në raftet e garderobës, në kërkim të sendeve me vlerë.

Osorno ka deklaruar se në zonë janë raportuar edhe raste të tjera të ngjashme.