KINË - Ndodh që edhe hajdutët të tremben nga kërcënimet e pronarëve së sendeve të vjedhura, por ka edhe nga ata që nuk tërhiqen dhe janë të vendosur në punën e tyre. Një hajdut në Kinë i kishte vjedhur iPhone-in një biznesmeni në taksi dhe i kishte kthyer pas disa ditësh numrin SIM dhe kontaktet që ai kishte në telefon.

Sipas mediave kineze, Zhu Bin ishte plaçkitur në një taksi, teksa ishte duke udhëtuar me një tjetër pasagjer. Sipas Zhu, ai kishte në telefonin e tij më shumë se 1 mijë kontakte dhe ishte më shumë i shqetësuar për këtë listë kontaktesh se sa për telefonin e tij.

Kështu, për t'u siguruar që hajduti t'i kthente pas kontaktet që kishte në telefonin e tij, i dërgoi atij një mësazh. "Unë e di që je ai që ishe ulur pranë meje në taksi dhe të garantoj që do të të gjej. Shikoni kontaktet në telefonin tim dhe do ta kuptoni me çfarë biznesi merrem unë", shkruante Zhu në mesazhin që e dërgoi në numrin e tij të vjedhur.

iphone
(Foto: iPhone i vjedhur dhe kontaktet e shkruara në letër)

Zhu punon në një hoteleri, e cila në Kinë është zakonisht e lidhur me banda kriminale, dhe duke marrë parasysh mesazhin e tij kërcënues, hajduti u motivua t'i kthente përgjigje.

Një ditë më pas, në adresë të pronarit të telefonit erdhi një zarf që përmbante një kartë SIM dhe 11 faqe të shkruara me dorë në të cilën ishin 1 mijë kontaktet e biznesmenit.

Zhu thotë se ishte i habitur nga ky fakt dhe supozon se dora e hajdutit duhet të jetë e "fryrë" duke shkruar kaq shumë emra dhe të dhëna.



(v.gj/shqiptarja.com)