Profili institucional në Facebook i Bashkisë së Bacoli-t në periferi të Napolit, ka përfunduar në duart e hakerave, të cilët kanë shpërndarë në media sociale foto dhe video me pull të kuqe të vajzave me origjinë aziatike.
Këto video shkaktuan shumë komente të ndryshme nga përdoruesit, ku edhe Kryebashkiaku i rajonit Giosi Gerardo reagoi ashpër duke u bërë thirrje përdoruesve që të mos klikojnë në to, pasi mund të transmetojnë viruse.
“Është e patolerueshme, teknikët po punojnë për të rikthyer normalitetin. Qëllimi është që problemi të zgjidhet sa më shpejt. Mos klikoni mbi ato postime, mund t’ju transmetojnë viruse në kompjuterët, celularët dhe tabletët tuaj. Kam raportuar prej ditësh për sulmet sociale që nuk janë më kundër meje, kundër kryetarit, kundër administratës. Por në mënyrë të pabesueshme ndaj institucionit bashkiak. Kundër qytetit, kundër Bashkisë, kundër Bacoli-t. Një opozitë e vendit. Është e patolerueshme, e padurueshme. Gjithsesi ne përgjigjemi gjithmonë njësoj. Me punë, duke bërë detyrën. Dhe me buzëqeshje. Do të raportojmë ngjarjen e rëndë në polici. Së bashku askush nuk do të na ndalojë”, theksoi ai.
Gjithashtu në profilin e Bashkisë kishte edhe komente sarkastike, ku shkruanin: “Unë nuk e kam njohur më parë Bashkinë e Bacoli-t, por tani do të vij patjetër atje me pushime. Më pëlqen ky proçes i ndërkombëtarizimit të Bacolit… Bravo kryetar!. Bom i turistëve japonezë në Bacoli. Ndihma për të moshuarit është e rëndësishme. Bravo Bashkisë!”.