Kuvendi i 11 dhjetorit i thirrur nga Sali Berisha do të jetë një miting politik dhe skenari i Berishës është që të shkojë në selinë blu dhe të pushtojë selinë. Kështu tha në emisionin Repolitix në Report Tv, ish-deputeti i PD-së Azgan Haklaj, i cili shtoi se nëse mësyn në seli do të quhet si rrëmbim i opozitës legjitime dhe grusht shteti. Nga ana tjetër, Haklaj shtoi se Lulzim Basha, me këtë datë do të organizojë festën e themelimit të PD-së. Haklaj tha se demokratët ta marrin vesh mirë, pasi Lulzim Basha nuk shkarkohet më 11 dhjetor.
'E di mirë Berisha se nuk bëhet dot kryetar i PD. Skenari është do mblidhemi në miting, do e nxjerrim Bashën nga selia e do të pushtojnë selinë e PD-së. Unë do të jem aty, më 11 kemi festën e PD-së se do bëjë festë në selinë e PD-së. Në të njëjtën ditë do të jetë edhe festa e Bashës dhe Kuvendi i Berishës. Berisha nuk mund ta thotë tani se unë do të bëj një Parti, Partia Konservatore Shqiptare. Partia Demokratike ka bërë një kongres të ligjshëm. PD e ka zgjedhur kryetarin me një anëtar me një votë edhe Berisha ka qenë pjesë e këtij procesi. Basha nuk shkarkohet me 11 dhjetor. Nëse mësyn në selinë e PD-së është rrëmbim i opozitës legjitime, është grusht shteti.'- tha Haklaj.
Situata në PD është mjaft e ndarë, me dy Kuvende Kombëtare, një i thirrur më 11 dhjetor nga Sali Berisha dhe një tjetër më 18 dhjetor thirrur nga kreu i PD, Lulzim Basha. Pak ditë më parë, pas takimit të zhvilluar me dyer të mbyllura me 71 kryetarët e degëve, Basha tha se kushdo që shkel vendimin e Kryesisë së Partisë, përfshirë këtu edhe Sali Berishën, fatin e ka të caktuar nga Statuti i Partisë. Me këtë ai ka nënkuptuar se kushdo që paraqitet në Kuvendin e thirrur nga Sali Berisha do të këtë pasoja.