Llogaria në Instagram e kryeministres italiane, Giorgia Meloni, është hakuar. Madje, për pak minuta në profilin e kryeministres italiane është publikuar një postim me shkrimin 'Faleminderit Elon free Btc!' dhe fotografia e rreme e profilit të Elon Musk.
Pas pak minutash, teknikët e Palazzo Chigi kanë ndërhyrë menjëherë për të fshirë përmbajtjet false të publikuara, por tashmë ato po qarkullojnë në rrjetet sociale.
Lajmin për hakerimin e faqes së Instagramit e konfirmoi drejtpërdrejt Palazzo Chigi. Profili i hakuar është ai personal, historik i Melonit, i hapur vite më parë. Aktualisht po vijojnë të gjitha hetimet e nevojshme.
Sulmi kibernetik ndodhi teksa Meloni po fluturonte për në Romë pas vizitës në Egjipt.