Zyrtarët e lartë të administratës qeveritare vrapojnë të kapin poste kyçe në profesionet e lira, tani që rotacioni qeveritar është diçka evidente. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe me Dhomën Kombëtare të Ndërmjetësuesve, pak ditë më parë. Institucioni i ndërmjetësimit, i krijuar në vitin 1999, nuk ka pasur deri tani një traditë të konsoliduar, që të garantonte profesionalizmin dhe efektivitetin e procesit të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve ndërmjet palëve jashtë dyerve të gjykatave.
Ky është një institucion, që u shtohet atyre të avokatit, përmbaruesit privat, e shumë profesione të tjera të lira, të cilat vende më të zhvilluara se Shqipëria i kanë dhe i përdorin prej vitesh. Aktualisht, rezulton që të jenë dhënë mbi 100 licensa për ndërmjetësues, që të realizojnë pajtime në rrugë profesionale, midis personave fizikë apo juridikë, pa qenë nevoja për t’u përballur me rrugën ligjore. Por, papritur, numri i tyre është rrudhur në mënyrë të menjëhershme dhe, sipas ministrisë së Drejtësisë, që jep licensat, kemi vetëm 27 ndërmjetësues persona fizikë dhe 2 subjekte juridike që mund të ushtrojnë këtë aktivitet. Pakësimi është bërë me qëllimin e vetëm që të sigurohej anëtarësimi në Dhomën e Ndërmjetësimit dhe sigurimi i kryesisë së saj nga persona që largohen nga qeveria.
Sipas burimeve zyrtare të ministrisë së Drejtësisë, komisioni i licencimit ka dhënë licenca për 186 persona si ndërmjetës nga të cilët edhe 2 persona juridikë. Që nga ky moment, ata duhej të kishin të drejtën të zgjidheshin e të zgjidhnin organet drejtuese të Dhomës së tyre. Por, në mbledhjen e parë për konstituimin e Dhomës, është zgjedhur si kryetare Drita Avdyli, ende në detyrë si drejtoreshë e Drejtorisë së Shtetësisë dhe Migracionit pranë ministrisë së Brendshme, e cila kishte marrë licensën në tetor të vitit të kaluar dhe nuk e ka ushtruar asnjëherë këtë profesion.
Madje, edhe NIPT-in ajo e ka marrë nga dita e shtunë, kur normalisht administrata e regjistrimeve nuk duhej të funksiononte. E pyetur nga Shqiptarja.com, zonja Avdyli përgjigjet nga telefoni i punës (06941.......), por sqaron menjëherë se ka dhënë dorëheqjen nga dita e hënë.
Kjo nuk është hera e parë që zyrtarë qeveritarë rendin të sigurojnë vendin në profesione të lira, kur të mos jenë më në qeveri. Por, të rendësh për të kryesuar Dhomat Kombëtare të profesioneve të lira, kjo flet për më shumë se kaq dhe konkretisht për një tendencë për të kontrolluar aktivitetin në shkallë kombëtare, për të përfituar më shumë porosi se të tjerët, ashtu siç po bën mazhoranca në ilje edhe me intitucionet e pavarura, që emërohen nga parlamenti.
Kontestimi
I pyetur nga "Shqiptarja.com", një prej ndërmjetësve më me eksperiencë në fushën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me ndërmjetësim, avokat Artion Beqiraj tha se ai, bashkë me shumë të tjerë, nuk janë lejuar të merrnin pjesë në takimin e thirrur nga ministria e Drejtësisë ditën e dielë, më 7 korrik, mbajtur për ngritjen e Dhomës së Ndërmjetësve (DHKN). Ai thekson se ushtron prej 4 vitesh punën e ndërmjetësit pranë Qendrës së Ndërmjetësimit, ngritur në Gjykatën e Rrethit Durrës, si dhe ka qenë pjesë e grupit dhe tryezës konsultative për hartimin e ligjit 10385/2011 “Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve” dhe pjesëmarrës e ligjërues në forume kombëtare e ndërkombëtare të ndryshme për ndërmjetësimin.
Pasi janë njoftuar nga Komisioni i Licensimit të Ndërmjetësve (KLN) se do të mbahej mbledhja për organizimin e DHKN-së, shumë ndërmjetës kanë shprehur kundërshtimin e tyre,për shkak të parregullsive dhe shkeljeve ligjore, ku përfshihet ajo se rregullat e organizimit dhe funksionimit të Dhomës duhet t’i vendosin vetë/vetëm ndërmjetësit dhe pajisja me NIPT s’mund të vendosej si parakusht për pjesëmarrje dhe votim. Anëtarësia në DHKN fitohet me marrjen e licensës, ndërsa NIPT-i lidhet me ushtrimin e aktivitetit dhe monitorohet/kontrollohet nga organet tatimore.
Por, në total janë paraqitur vetëm 26 ndërmjetës, madje një numër që u përaqit, si Sokol Lulgjuraj, Eni Çobani, Ersida Teliti, Mevlut Derti, përfshirë edhe av.Beqiraj, nuk u lejuan të marrin pjesë në mbledhje për krijimin e Dhomës. “Unë personalisht e kam regjistruar ndërmjetësimin në QKR, që përpara hyrjes në fuqi të ligjit aktual 10385/2011 “Për ndërmjetësimin..” dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme në QKR dhe e kam depozituar në ministrinë e Drejtësisë në vitin 2012”, shton ai.
Shkeljet nuk qendrojnë te nisma e KLN-së për mbledhjen, por tek mënyra, procedura, rregullat e paravendosura prej saj. Në dy mbledhjet e mëparshme publike të zhvilluara janë ftuar të gjithë ndërmjetësit, ndërsa kësaj here është bërë një seleksionim i pakuptimtë dhe i dyshimtë.
Ministria e Drejtësisë ka ndryshuar më 5 korrik regjistrin e ndërmjetësve, që ka qenë më parë me 186 të licensuar, ndërkohë që aktualisht figuron me 26-28 ndërmjetës. Ndërkohë, po të kishte qenë pengesë marrja e NIPT-it, nuk ka si shpjegohet pse në mbledhje kanë marrë pjesë ndërmjetës që janë të pezulluar në QKR.
Rezultati
Në drejtimin e DHKN-së janë zgjedhur nga administrata shtetërore në ikje të paktën katër persona dhe dy prej tyre janë zyrtarë të lartë të ministrisë së Brendshme. Me sa duket, ndryshimi i rregullave në momentin e fundit, duke përjashtuar arbitrarisht 85 për qind të ndërmjetësuesve, është bërë pikërisht që atyre t’u gjendet një vend, nga i cili të kontrollojnë aktivitetin privat. Hapa aspak ligjore këto, të ministrit në ikje Eduard Halimi.
(Shkrimi u publikua sot në gazetën "Shqiptarja.com")
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)