Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi në një komunikim me mediat vlerëson miratimin e ndryshimeve në kodin civil si një reformë, që do t’i shërbejë qytetarëve në shumë aspekte e vecanërisht në të drejtën e fitimit të titujve të pronësisë.

“Reth 30 mijë qytetarë fitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga kjo paketë. 15 mijë qytetarë, të cilët deri dje ndiqnin jo më pak se 5 hapa për të lëshuar dëshminë e trashëgimisë harxhonin jo pak lekë në gjykatat e Shqipërisë, - tha Halimi.

Ndërkaq në vijim të konferecës Halimi pranon problemin e drejtësisë me dosjen Dajti por thotë se shteti i ka krijuar të gjitha mundësitë të pandehurit për një avokat mbrojtës.

“Zgjidhja, që i është dhënë gjykatës në lidhje me pagimin e cdo avokati që do zgjedhë i pandehuri nga shteti duke i lënë të pandehurit të zgjedhë kë të dojë ai. Nëse ai nuk zgjedh, afatet pezullohen dhe vazhdon qëndron në burg”, - tha Ministri.

Një tjetër shpjegim i dhënë nga Ministri Halimi ka qenë problemi i transferimeve të burgosurve shqiptar të dënuar jashtë drejt burgjeve tona.

“Brenda këtyre 4 viteve të paktën 3 mijë shqiptarë, që vuajnë në burgjet e huaja do vijnë në Shqipëri”, - shtoi Halimi.

Halimi gjithashtu tha se reformat në sistemin e drejtësisë do të vazhdojnë më tej me sistemin e burgjeve private, pallatin e drejtësisë dhe me ndryshimet në kodin penal për dënime më të ashpra ndaj agresorve.

(ad.ti/shqiptarja.com)