/ATSH/.- Nënkryetari i PDK-së, Xhavit Haliti, ka thënë se marrëveshja mund të finalizohet vetëm në praninë e dy kryetarëve, Hashim Thaçi, i PDK-së, e Isa Mustafa i LDK-së.
"Nuk ka marrëveshje pa qenë prezentë dy liderët, ndërsa harmonizimi i programeve besoj se është i përfunduar, ndërsa të tjerat janë çështje e negociatave, që po zhvillojnë grupet përkatëse dhe po presim që të finalizohet marrëveshja", citohet ai sot në një prononcim për "Zërin".

"Nëse kryeministri Thaçi kthehet në kohë do të takohet së pari me grupin e punes dhe pastaj me Isa Mustafën dhe të shohim se si po ia lidhin kokën kësaj pune", ka deklaruar Haliti.

Kryeministi Hashim Thaçi në fillimin e kësaj jave ka udhëtuar drejt Nju Jorkut për seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën.
Në fjalën e tij në Këshllin e Siugurimit ai ka thënë se, "tani, me kënaqësi të veçantë mund t'iu konfirmoj se duke respektuar vullnetin e qytetarëve të Kosovës, vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe falë rolit lehtësues të Presidentes së Republikës së Kosovës, dy partitë më të mëdha, partia fituese - Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje së bashku me të gjitha minoritetet dhe ju konfirmoj që javën e ardhshme do të krijohen institucionet e reja të Republikës së Kosovës".

"Posaçërisht e rëndësishme është se ky koalicion është arritur nga vetë partitë kosovare, pa ndërhyrje nga jashtë, që është një arritje e madhe nëse e krahasojmë me periudhën e protektoratit të OKB apo në fillimet e pavarësisë, ku bashkësia ndërkombëtare ka luajtur një rol aktiv në krijim të institucioneve. Por tani më në fund kemi një proces dhe rezultat vendor dhe jemi krenarë që Kosova ka kaluar edhe një test të pjekurisë politike", ka theksuar Thaçi në KS të OKB-së.