Hamami në muret e Kalasë së Krujës, i cili ishte kthyer në një relike të harruar të këtij qyteti historik, duke mbetur nën hijen e Kështjellës mbresëlënëse dhe të Pazarit aq tërheqës, tashmë do t'i kthehet qytetit i restauruar.
Dëshmi mjaft domethënëse kulturore e Perandorisë Otomane, me një arkitekturë unikale, e cila ofronte pastrim fizik dhe shpirtëror, ky monument aq i rëndësishëm për komunitetin mysliman dhe gjithë qytetin e Krujës, ka nje potencial turistik të konsiderueshëm edhe në kuadrin e zhvillimit në vazhdimësi të një rrjeti objektesh të trashëgimisë që ofronte shërbime, si në Shqipëri, ashtu edhe në gjithë Ballkanin.
Hamami në muret e Kalasë së Krujës
Monumentet potenciale të këtij rrjeti përfshijnë hamamet e Gjirokastrës, Shkodrës, Elbasanit e Durrësit.
Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës ka njoftuar së fundmi se restaurimi i këtij monumenti do të rigjallërojë të gjithë zonën rrethuese, duke kontribuar në një zhvillim turistik të qëndrueshëm të qytetit për brezat e ardhshëm, si dhe duke rritur ndërgjegjësimin mjedisor.
Restaurimi i Hamamit në muret e Kalasë është një projekt i CHWB, me fondet e qeverisë suedeze dhe i mbikëqyrur nga DRKK Durrës.
/ATSH/