Hap pas hapi/Si e futi Berisha në burg Fatos Nanon, ‘ushtarët’ që përdori nga Blerim Çela tek Alush Dragoshi, montimi i akuzës nga frika se i rrezikonte pushtetin

Hap pas hapi/Si e futi Berisha në burg Fatos Nanon, ‘ushtarët’ që përdori nga Blerim Çela tek Alush Dragoshi, montimi i akuzës nga frika se i rrezikonte pushtetin

Disa muaj pasi u zgjodh President, në fund të vitit 1992 dhe në fillim të vitit 1993, Sali Berisha nisi të shihte dy kundërshtarë si rrezik serioz për pushtetin e tij. Ata ishin kryetari i opozitës Fatos Nano dhe Azem Hajdari, i pari pretendent për kryeministër, siç edhe ndodhi më vonë, ndërsa i dyti gëzonte një mbështetje të ‘frikshme’ në radhët e demokratëve dhe ishte pa diskutim pretendent në hije për të marrë një ditë drejtimin e PD-së. Për të mbajtur nën kontroll Azem Hajdarin, Berisha angazhoi posaçërisht kreun e SHIK-ut famëkeq Bashkim Gazideden, për ta përgjuar dhe survejuar këmba-këmbas. Më 22 shtator 1992, Azem Hajdari, u ankua publikisht në Parlament se Bashkim Gazidede, ushtari i punëve të zeza të Berishës, e përgjonte.

Më vonë, Berisha e përjashtoi Azemin nga Partia Demokratike dhe grupi parlamentar demokrat, ndërsa e akuzoi si spiun. Nga ana tjetër, gazeta e PD-së, për rrjedhojë e Berishës, e quan Azem Hajdarin klloun mjeran të politikës shqiptare që udhëheq një tufë ordinerësh, përçarës, të dështuar si dhe e krahason me një kumarxhi. Berisha do të merrte frymë lirisht vetëm kur Azem Hajdari u ekzekutua në oborrin e Partisë Demokratike, në 12 shtator 1998. Që nga ajo ditë, Berisha e quan Azemin tribun të demokracisë, ndërsa vdekjen e tij, e përdori për të marrë pushtetin, përmes gushtit të shtetit të 14 shtatorit 1998.

Për të hequr qafet rrezikun tjetër, Fatos Nanon, Berisha gjeti një tjetër zgjidhje. Vendosi ta fuste në burg. Fillimisht, sapo mori pushtetin, Berisha tentoi ta izolonte Fatos Nanon, duke e goditur me polici dhe SHIK, duke i ndaluar mitingjet, të drejtën e fjalës në Kuvend dhe pjesëmarrjen në delegacione parlamentare. Në fillim të vitit 1993, nisi zbatimin e skenarit për ta futur në burg.

Lëvizje e para

Në 14 prill 1993, grupi parlamentar i PD-së, nën kontrollin e Berishës, thërrasin për interpelancë kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Blerim Çela, për të dhënë sqarime mbi një çështje të publikuar në media “për veprime abuzive dhe spekulime nga ana e shoqërive “Levante Co” dhe “Iliria Hollding” lidhur me sjelljen e ndihmave të qeverisë italiane për Shqipërinë”.

Në 27 prill 1993 Blerim Çela paraqitet në Parlament. Sipas Blerim Çelës, në nëntor 1990, Farudin Hoxha, në emër të Komitetit të Bashkëpunimit Ekonomik, lidh një marrëveshje me Ajdin Sejdinë, i paraqitur si president i firmës “Iliria Hollding”, për ushtrim aktiviteti në Shqipëri. “Farudin Hoxha i krijoi kushtet Ajdin Sejdisë për të sjellë në Shqipëri Xhuzepe Perniolën, presidentin e firmës italiane “Levante Co”, firmë italo-jugosllave, që u mor me livrimin dhe grabitjen e ndihmave italiane të akorduara për emergjencën”.

Akuzat për Nanon

Fatos Nano akuzohej se kishte autorizuar Ajdin Sejdinë të përgatiste bisedimet me kompani të ndryshme për përpunimin e naftës. “Veç sa më sipër, Fatos Nano, me cilësinë e kryetarit të Këshillit të Ministrave, dhe Shkëlqim Cani, si zëvendëskryeministër, kanë kryer shkelje të tjera për të favorizuar firmën “Iliria Hollding””. Nano, me gjithë sinjalizimet që ka marrë për personalitetin e Ajdin Sejdisë, nuk ka marrë asnjë masë për sqarimin e tij, po përkundrazi, ka vazhduar ta mbështesë”, thotë Blerim Çela.

Sa i takon ndihmave, Blerim Çela tha se “Listat e mallrave sipas fondeve të akorduara nga qeveria italiane detyrimisht duhet të specifikoheshin nga Komisioni i Planit të Shtetit, Ministria e Tregtisë së Jashtme dhe Ministria e Tregtisë së Brendshme, të ngarkuara me këtë detyrë, që e njihnin dhe përgjigjeshin ligjërisht për plotësimin e nevojave të popullit me mallra ushqimore, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Bankën e Shtetit. Ish-presidenti Ramiz Alia dhe ish-kryeministri Fatos Nano, jashtë funksioneve të tyre dhe duke shkelur ligjet e kompetencat e organizmave të ngarkuara për tregtinë e jashtme, caktuan dhe diktuan firmën nga e cila do të bliheshin mallrat. Pushtetarët, me dashje, kanë pranuar çmime tepër të larta, të diktuara nga firma shitëse, mbi ato të tregut, si shtegu dhe burimi për të krijuar fitime spekulative...”.

Qëndrimi i Nanos

Fatos Nano deklaronte në Kuvend, se “Që në fillim dua të deklaroj përpara Parlamentit Shqiptar dhe përmes tij gjithë popullit,me përgjegjësi të plotë personale, civile, qytetare dhe politike, se pseudoakuzat dhe shpifjet e paraqitura nga materialin e Blerim Çelës e kompani nuk janë gjë tjetër vetëm se një montazh i inskenuar politiko-elektoral, me synime të mbrapshta dhe të ulëta për të likuiduar dhe kufizuar lirinë politike, madje dhe fizike të Partisë Socialiste, të Kryetarit të saj dhe opozitën e vërtetë në Shqipërinë e sotme. Prandaj, bëj thirrje që autorët e këtij skenari t’i bëjnë llogaritë saktë. Kjo çorbë e gatuar në kuzhinë antishqiptare dhe të lobeve të lidhura me to dhe që përdorin si mashë Blerim Çelën dhe njerëzit që qërohen nga kjo sallë, si ushtarë “Shvejk”, nuk mund të bjerë veçse erë të qelbur por që, për fat të keq, nuk e ka gëlltitur vetëm z. Blerim Çela. Me paturpësi dhe deficiensë politike dhe profesionale, Blerimi dhe ekipi i tij, lëshuan bombën tymuese të korrupsionit të Fatos Nano dhe të qeverisë të tij”.

Shfaqet sërish Blerim Çela

Deputetët e PD sjellin sërish Blerim Çelën në Kuvend në 30 qershor 1993, për të shtjelluar më tej akuzat ndaj Nanos. “Më jepni kompetenca të tjera, t’i ushtrojë kompetencat. Kaq sa më keni dhënë, po i bëj. Prandaj, të mos kërkohet ajo që nuk bëhet. Më kapin njerëzit: fute Fatos Nanon në burg! Nuk e fut Fatos Nanon Kontrolli i Shtetit në burg, Kontrolli i Shtetit e ka denoncuar, hetuesia ta futë në burg tani, në qoftë se vërtetohen ato që thotë kontrolli i shtetit. Por të gjitha janë të dokumentuara katërçipërisht”, thotë ndër të tjera Çela.

Në lojë futet kryeprokurori Alush Dragoshi

Pas Blerim Çelës, në lojë futet kryeprokurori i atëhershëm Alush Dragoshi, një besnik që Berisha e përdorte si kamxhik jo vetëm ndaj kundërshtarëve politikë, por edhe ndaj figurave të PD-së, të cilët për t’i mbajtur në rresht, u hapte herë pas here dosje penale. Me shkresën nr. 1117, datë 26.07.1993, Alush Dragoshi i kërkon Kuvendit që t’i heqë imunitetin deputetit Fatos Nano, me argumentin se “mbi bazën e materialit kallëzues të dërguar nga Shërbimi i Kontrollit të Shtetit në datën 06.05.1993, Prokuroria e Rrethit Tiranë ka filluar çështjen penale për krimin e shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 106 i Kodit Penal”.

Në kërkesën e tij, Alush Dragoshi thotë se “Si nga materiali kallëzues dhe hetimet e zhvilluara del se nga livrimi i ndihmave të dhëna për vendin tonë nga qeveria italiane për periudhën që ka qenë në detyrën e Kryeministrit Fatos Nano, është shkaktuar një dëm i rëndësishëm ekonomik në shumën 8 miliardë e 433 milionë e 064 mijë e 836 lekë. Në ardhjen e kësaj pasoje, krahas përgjegjësisë që kanë edhe personat e tjerë, del se ka përgjegjësi penale edhe deputeti Fatos Nano, i cili, me veprimet e mosveprimet e kundërligjshme, ka shpërdoruar detyrën, duke kryer veprën penale të parashikuar nga neni 106 i Kodit Penal, si dhe ka falsifikuar dokumente zyrtare, vepër penale kjo e parashikuar nga neni 110 i Kodit Penal”.

Kuvendi mblidhet menjëherë

Po atë ditë, pra në 26 korrik 1993, Kuvendi i kontrolluar nga Sali Berisha mblidhet për të diskutuar për kërkesën e kryeprokurorit Alush Dragoshi për t’i hequr imunitetin Nanos. Deputeti Arben Imami kërkon kohë pasi Komisioni i Mandateve sapo ishte njohur me materialin. Kuvendi u mblodh sërish të nesërmen, me datë 27 korrik 1993. Në këtë seancë, deputeti socialist Namik Dokle mban një qëndrim të fortë.

Dokle shprehet se “Në datën 26 korrik, pas një fushate të paskrupullt politike kundër Partisë së opozitës dhe liderit të saj Fatos Nano, të organizuara nga një klan revanshist partiako-qeveritar i PD-së, pas një presioni antiligjor dhe antidemokratik mbi drejtësinë, u arrit që të formulohej kërkesa për heqjen e imunitetit të deputeti Fatos Nano. Makinacioni politik duket qartë edhe në veprimtarinë e ngutshme të komisionit, pa i dhënë aspak kohë atij që të procedojë sipas rregullores së Kuvendit Popullor.

Pas Idajet Beqirit, ky është rasti i dytë që një kryetar partie përndiqet me mjetet politiko-policore dhe gjyqësore të një shteti me karakteristika të hapura totalitariste dhe neodiktatoriale, ndërkohë që shtypi zyrtar i PD-së ka nisur të formulojë kërcënimet për kundërshtarë të tjerë politikë..... Presidenti Berisha, në krye të PD-së blu, dirigjon dhe vëzhgon se si po shkatërrohet shteti i së drejtës dhe demokracia, duke marrë përgëzimet dhe shpërblimet e tallave të fshehta, të cilave u shërben me besnikëri...”.

Kuvendi i kontrolluar nga Berisha i heq imunitetin Nanos

Në emër të komisionit të mandateve foli Arben Imami, i cili u shpreh kundra heqjes së imunitetit të Nanos, duke hedhur poshtë akuzat si të pambështetura në prova. Megjithatë, shumica e deputetëve votuan për t’i hequr imunitetin Fatos Nanos. Me këtë vendim, Kuvendi i hapi rrugë arrestimit. Data ishte 27 korrik 1993.

Nano arrestohet pas tre ditës

Në 30 korrik 1993, tre ditë pas vendimit të Parlamentit për t’i hequr imunitetin, prokuroria arreston Fatos Nanon. Më 2 gusht 1993 grupi parlamentar i PS-së, duke e konsideruar si burgosje politike arrestimin e Nanos, nisi nënshkrimin e një peticioni në të gjithë vendin për lirimin e Nanos. Peticionin ua dërgoi përfaqësive diplomatike në Shqipëri. Ndërsa më gusht 1993, Fatos Nano shkroi një letër nga burgu, ku e shpallte veten të burgosur politik.

Nano dënohet me 12 vjet

Berisha kërkonte me çdo kusht të mbante Nanon në burg. Pasi deputetët e PD-së, kreu i KLSH Blerim Çela dhe Alush Dragoshi e kishin bërë punën e tyre, tashmë radha ishte e gjyqtarëve.  Më 3 prill 1994, Fatos Nano u dënuar me 12 vite burg. Apeli nuk e rrëzoi vendimin, por vetëm uli dënimin nga 12 në 11 vjet. Në vitin 1995, Nano kërkoi lirim të parakohshëm në Gjykatën e Kasacionit. Kërkesa e tij u rrëzua nga gjyqtarja Vitore Tusha, sot kryetare e Gjykatës Kushtetuese.

Fatos Nano la qelinë në vitin 1997, pas një amnistie. Më vonë, Nano rrëzoi të gjitha vendimin dhe procesin si të paligjshëm dhe politik, u konsiderua si i burgosur politik dhe mori dëmshpërblim për vitet e burgut.

I.K/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Andi: 06/02/2021 21:14

    Mos eshte gje ky Blerim Cela shoku fatos tushes qe mjellosen me kokaine qe ne 10 te mengjesit ne zyren fatosit

    Përgjigju
  • Vicidoli: 06/02/2021 21:12

    Mira ka ba Birisha tan me i kall keta kamunista.

    Përgjigju
  • Demokraci ala Sali: 06/02/2021 20:26

    Ky kryedemokrati dhe kriekomunisti o i vriste o i fuste ne burg ata qe i prishnin pun.

    Përgjigju
    • Andi: 06/02/2021 21:37

      Brerim cela mos eshte shoku fatos tushes qe mjellosen me kokaine qe ne 10 te mengjesit

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen