Hapen 6 zyra të reja të aplikimit për dokumente biometrike jashtë Shqipërisë, ministri Lleshaj apel emigrantëve: Regjistroni adresat (VIDEO)

Shqiptarët që jetojnë jashtë vendit do të kenë mundësi të aplikojnë për dokumentet biometrike edhe në 6 zyra të reja që hapen në 5 kryeqytete evropiane dhe në konsullatën e Barit. Lajmin e dha sot ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili ishte për inspektim në zyrën e aplikimit për dokumente biometrike, në Njësinë Administrative nr. 6, Kombinat. 

Ai, duke njoftuar hapjen e 6 zyrave të reja të aplikimit për dokumente biometrike pranë Konsullatës në Bari Itali, si dhe ambasadave shqiptare në Vjenë, Austri, në Paris, Francë, në Berlin, Gjermani, në Stokholm, Suedi dhe në Stamboll, Turqi, ftoi qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë, të bëhen pjesë e procesit të regjistrimit të adresës së tyre në vendet ku banojnë.

"Vitet e fundit, Qeveria ka zgjeruar shumë përpjekjet për të rritur shërbimet ndaj qytetarëve. Sot jemi në një zyrë të tillë, ku ofrohen shërbime për një kategori të madhe shërbimesh. Duhet thënë se zgjerimi i shërbimeve kërkon dhe bashkëpunimin e qytetarëve, me qëllim që të rritet prania e tyre në shërbimeve online. Një pjesë e madhe e shërbimeve sot kanë kaluar online dhe numri i tyre po shtohet nga dita në ditë, ndaj kërkohet që qytetarët të bëhen pjesë e këtij procesi.

Përmes shërbimeve online janë kursyer shumë andralla, shumë përpjekje, shumë kohë, shumë para, që qytetarët e shpenzonin për të marrë shërbime elementare, të cilat tani mund t’i marrin vetëm me një klik nga kompjuteri i shtëpisë së tyre nëse do të bëhen pjesë e këtij procesi. Por që të bëhen pjesë e këtij procesi është e rëndësishme që qytetarët të mund të identifikohen, e për këtë arsye pajisja me ID kartë është thelbësore. ID karta është çelësi, është kyçi që hap derën për të gjitha këto shërbime online apo dhe në mënyrë fizike. Ndaj e shfrytëzoj mundësinë sot për t’u bërë thirrje qytetarëve që të nxitojnë për të aplikuar pranë zyrave të ndryshme të aplikimit, si kjo që jemi sot, apo të tjera në gjithë vendin, me qëllim që mos të befasohen kur t’u kërkohet kartë e re identiteti.

Aq më tepër që po hymë dhe në vitin 2021, që është viti i zgjedhjeve, ku ID karta është kusht për identifikimin e zgjedhësve për marrjen e tyre pjesë në këtë proces. Ndaj i ftoj qytetarët të mos presin minutën e fundit, por të afrohen pranë zyrave të aplikimit, të aplikojnë për sa kushtet janë optimale dhe t’i mundësojnë vetes aksesin, të marrin çelësin e shërbimeve, jo vetëm për identifikimin e përgjithshëm, por dhe një numër të madh shërbimesh që do të ofrohen vetëm kundrejt ID kartës. Sot në kushtet e dixhitalizimit të madh, ne ekzistojmë realisht vetëm kur jemi bërë pjesë e rrjetit. Në rrjet mund të futemi vetëm përmes identitetit tonë që është karta, ndaj e shfrytëzoj dhe njëherë dhe e përsëris këtë thirrje, me qëllim që mos të befasohemi në ditët dhe muajt në vijim.

Ndërkohë gjej rastin të theksoj se ne po zgjerojmë shërbimet edhe për qytetarët që janë jashtë vendit. Kemi hapur një numër të madh zyrash aplikimi pranë konsullatave tona në shumë vende ku nuk i kemi pasur. Janë 6 zyra të reja të hapura.  Në të njëjtën kohë gjej rastin të ftoj të gjithë bashkë-atdhetarët tanë të bëhen pjesë e procesit të regjistrimit të adresës së tyre në vendet ku banojnë, në mënyrë që të bëhen përfitues të shërbimeve të ndryshme në Shqipëri, ku edhe e drejta e votimit do të jetë njëra prej tyre", tha Lleshaj, nga Kombinati ku shoqërohej nga Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile Bledar Doracaj dhe Kryetari i Njësisë, Adriatik Merko.

Kujtojmë se një vendim i Qeverisë, i publikuar në fletoren zyrtare, i kërkon bashkëkombësve emigrantë të nisin vetëdeklarimet për adresat e tyre në portalin qeveritar e-Albania. Në formular, emigrantëve u kërkohet të deklarojnë: të dhënat e adresës së saktë në shtetin ku ka vendbanimin e përhershëm, për veten e tij dhe/ose edhe për anëtarët e së njëjtës certifikatë familjare, në rastin kur ata jetojnë me deklaruesin. Ky është një hap shumë i rëndësishëm për tu mundësuar vota më 25 prill.

 

K.T./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • alfredi: 02/12/2020 16:46

    po ne Athine kur do te hapet

    Përgjigju
  • Lezha: 02/12/2020 14:27

    Pershendetje Redaksi e "Shqiptarja.com". Si ne shum media shqiptare dhe ju nuk keni mbetur pa u infektuar nga fjalet e huaja-qe ne shqip i kemi-, fjala "AKSES/IN", "KART" e shum te tjera shum kollaj mund ti shkruani ne shqip. Dhe me e rrala "ID", ne at qe ju e quani "ID", ne shqip quhet "Leternjoftim", dhe jo ID. Une ju, ju mendoj si media serioze prandaj shpresoj te reagoni. Pershendetje nga F.Z.K

    Përgjigju
  • Lori: 02/12/2020 14:17

    E pse duhet te deklarojm adresen te shteti shqiptar? Ca sherbimi mund te ofroj shqiperia nje emigranti? Ruani ato lek me mir ndihmoni njerzit ne shqiperi

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja