Hapen zyrat e reja të Lagjes 12/ Veliaj 'Tani mund të regjistroheni pranë banesës tuaj'

Nga sot, banorët e zonës së Freskut, Qesarakës dhe ish-Fizikës Bërthamore nuk kanë pse udhëtojnë gjatë për të marrë një shërbim në njësinë e tyre administrative. Pas hapjes së njësisë 13 në zonën e Kodrës së Diellit dhe Selitës, njësisë 14 në zonën e Kasharit dhe Unazës së Re, Bashkia e Tiranës hapi edhe zyrat e reja të njësisë 12 që përfshin lagjet e reja të krijuara vitet e fundit në veri-lindje të kryeqytetit. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj pa nga afër mjediset e reja dhe kushtet që ofron zyra e re, ndërsa theksoi se ky është një premtim i mbajtur për gjithë banorët e kësaj zone.

“Na nisi viti i ri vërtet mbarë, me tre njësi të reja, një këtu tek Fresku, një tjetër te Kodra e Diellit dhe një njëri tjetër te zona e Astirit. Të gjithë ata që janë ndjerë sikur banojnë në një brez kufitar, pra në një zonë asnjanëse, as këtej, as andej, sot kanë njësitë e tyre. Kjo është një mundësi fantastike për të gjithë qytetarët që duan të marrin shërbimet, duke filluar nga ndihma ekonomike, nga certifikatat, apo kartat e reja të identitetit, t’i bëjnë pranë zonës së tyre. Sot është një ditë feste për gjithë komunitetin që jeton tek Teleferiku, tek Fresku, mbi Fizikën Bërthamore, gjithë zona e Qesarakës”, tha Veliaj.

Ai shtoi se tashmë që edhe kjo zonë ka një njësi të vetën që ofron lehtësi për të marrë shërbimet pa qëndruar në radhë, banorët të shfrytëzojnë kohën e mbetur për të kryer regjistrimet e gjendjes civile pranë kësaj njësie.

“Duke qenë se banorët kanë shumë kërkesa për bashkinë, kemi dhe ne një kërkesë për ta. Kërkesa e tyre për bashkinë është që të rriten investimet, kërkesa e bashkisë është që të rriten regjistrimet e tyre këtu. Falë votës në Parlament është hequr gjoba, pra regjistrimi bëhet falas; mund të jesh nga Lushnja, nga Librazhdi, Kukësi, Këlcyra, por vjen tek Njësia dhe e transferon falas gjendjen tënde civile”, theksoi kryebashkiaku.

Veliaj  ftoi qytetarët e zonës të regjistrohen sepse sipas tij më pas, jo vetëm do të marrin shërbimet më afër dhe më shpejt, por edhe zona përfiton më shumë investime në rrugë, ujësjellës, kënde lojërash, etj.

“Po u regjistrove këtu, mund të bëjmë më shumë investime këtu. Numërohesh nga bashkia jote, e cila të ketë mundësi të investojë në rrugë, në lagje, në shkolla e çerdhe. Kjo na mundëson që gjëra të thjeshta, si të marrësh kartën e Aleatit pa radhë apo të votosh në një qendër votimi që nuk është as lart në Dajt, as poshtë te Oxhaku, apo edhe për shërbime të tjera, për të cilat nuk ke nevojë t’i hipësh malit sipër, tani që shërbimet jepen këtu. Statistikisht kemi parë një fluks regjistrimesh tek dy njësitë e tjera që janë hapur. Mezi pres që këtë fluks ta shohim dhe këtu, që pastaj të përgjigjemi me investime për banorët që jetojnë këtu. Ndaj ftesa për banorët është: Na ndihmoni, t’ju ndihmojmë. Duke u regjistruar këtu, numërojmë sa banorë ka zona dhe buxhetojmë respektivisht për këta banorë”

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët