TIRANE- Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet hap sot javën çame me një sërë akvititesh në kujtim të 3000 shqiptarëve që humbën jetën nga genocidi çam.

Një sërë aktivitetesh pritet të organizohen nga dita e sotme deri të shtunën kur në qendër të vëmendjes do të jenë dëshmitë e atyre që në moshë fare të vogël përjetuan kalvarin e vrasjeve dhe gjenocidit. Çështja çame do të prezantohet edhe në Kuvendin e Shqipërisë.

Bulevardi i Dëshmorëve të Kombit dhe Sheshi Rilindja (Zogu i Zi) është veshur me logon "I Love Çamëria", ndërkohë që në Sheshin Skënderbej dhe në Sheshin Nënë Tereza janë vendosur parrulla tredimensionale me të njëjtën logo.

Akvitivitet nisën sot në orën 11:00 te sheshi i “Tre Vëllezërve Frashëri, përballë Piramidës. Kreu u PDIU-së mbajti një fjalim.
"
Dhënia drejtësi për çështjen çame është sot më e rëndësishme se çdo post ministror. Besoj se bërja e varrezave të Kllogjerit, ku dergjen 3 mijë shqiptarë që dhanë jetën vetëm sepse ishin shqiptarë është shumë më e rëndësishme se çdo përfshirje jona kudo dhe në çdo post. Ne jemi këtu për të kërkuar drejtësi për Çamërinë", deklaroi Idrizi, në përgjigje të pyetjes së gazetarëve nëse pretendon PDIU poste ministrore, pas ndryshimeve të fundit në qeveri.

Në javën çame, PDIU fton të gjithë qytetarët të marrin pjesë pasi Çamëria, kultura dhe çështja çame u përkasin çdo shqiptari. Ndërsa aktivitetet do të kulmojnë të shtunën në Kllogjer ku mbi 3000 shqiptarë të Çamërisë humbën jetën nga etja dhe uria gjatë marshimit të tyre biblik nga Çamëria në shtetin shqiptar, pas dëbimit genocidial të bandave të Napoleon Zervës. Aty do të ndërtohet varreza monumentale. Po kështu do të nisë ndërtimi i kompleksit muzeal të Hasan Tahsinit dhe Bilal Xhaferrit në Ninat.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)