Të gjithë personat që do të deportohen në Rinas për shkelje të rregullave të qëndrimit në vendet “Shengen”, do të intervistohen në qendrën e re të pritjes dhe intervistimit të inauguruar sot në Rinas. Gjatë kësaj ceremonie Ambasadori Britanik, Nicholas Cannon, u bëri thirrje shtetasve shqiptare te zbatojnë rregullat e lëvizjes së lirë dhe të mos shpenzojnë para dhe kohë kot. Të njëjtën thirrje bëri edhe zv.ministrja e Brendshme Elona Gjebrea.

“Të gjithë atyre që kanë qëllim të emigrojnë në mënyrë të paligjshme në Britani, u bëj thirrje, që të mos ta bëjnë këtë, pasi do të jetë një shpenzim i kotë parash dhe kohe. Mënyra më e mirë për qytetarët e këtij vendi është që të respektojnë rregullat”, - u shpreh Cannon.

Gjatë ditës së djeshme me një avion të posaçëm u kthyen 44 shtetas shqiptarë, nga të cilët 34 nga Anglia dhe 10 nga Franca, të cilët rezultonin me qëndrim të parregullt në këto vende.